Kur demokracitë përplasen
Volker Perthes
Sot detyra e demokracive perëndimore është që të pranojnë
dhe të përballen me “dallimet demokratike” në nivelin ndërkombëtar, duke synuar
koalicione shumëpalëshe për menaxhimin apo zgjidhjen e problemeve
Berlin, qershor – Natyra multipolare e sistemit të sotëm
ndërkombëtar sërish do të vihet në pah gjatë samitit të radhës të G20-ës në Los
Cabos të Meksikës. Tani problemet globale nuk zgjidhen, krizat nuk menaxhohen,
rregullat globale nuk definohen vetëm nga një numër i vogël i fuqive
perëndimore. Fuqi të mëdha dhe të mesme, si India, Brazili, Indonezia, Koreja
Jugore, Turqia dhe Afrika Jugore po ashtu kërkojnë të kenë ndikim.
Disa prej këtyre fuqive vazhdojnë të jenë ekonomi në
lulëzim. Megjithatë, politikisht, shumica prej tyre e kanë kapërcyer pragun që e
pengonte qasjen e tyre në vendimmarrje. Pesë anëtaret e përhershme të Këshillit
të Sigurimit të OKB-së vazhdojnë të mbrojnë të drejtën e tyre për t’u vërë veto
rezolutave, derisa fuqia e tyre ushtarake vazhdon të jetë e pakonkurrencë.
Megjithatë, ato nuk kanë më burime dhe legjitimitet të mjaftueshëm për t’u
përballur të vetme me sfidat globale ose krizat.
Ndarja në dy pole është gjë e së kaluarës dhe ka shumë pak
gjasa që të shprehet në një “G2” kinezo-amerikan. Po ashtu, ka shumë pak gjasa
që në të ardhmen e afërt ndonjë prej shteteve të klubit, si G-7 ose G-8 do të
jetë sërish në pozitë të tillë. Madje edhe G-20 në përbërjen e vet aktuale mund
të mos përfaqësojë në mënyrë të duhur
forcat që do ta bëjnë shekullin njëzet e një.
Për SHBA-në, Bashkimin Evropian, Japoninë dhe anëtaret e
tjera të “Perëndimit të vjetër”, lajm i mirë është se shumica e fuqive në
lulëzim që po synojnë rol më aktiv global janë po ashtu demokraci. Brenda
G20-ës vetëm dy shtete – Kina dhe Arabia Saudite – nuk duan në mënyrë eksplicite
që të bëhen demokraci liberale, derisa i treti, Rusia, është zhvilluar në
autokraci me fasadë demokratike.
Lajm edhe jo aq i mirë është se këto fuqi të reja
demokratike jo domosdo e përkrahin agjendën politike të Perëndimit të Vjetër.
Për shembull, ato kanë dallime rreth politikave për klimën, duke i parë si
kërcënim për zhvillimin. Ngjashëm, ndonëse fuqitë e reja të mesme dhe të mëdha
mund të mos pajtohen, ato janë në përgjithësi më skeptike si rreth sanksioneve
ndërkombëtare, ashtu edhe ndërhyrjeve ushtarake.
Për më tepër, disa prej këtyre shteteve më të rëndësishme
kanë dallime të konsiderueshme me SHBA-në, e shpesh edhe me BE-në, rreth qasjes
së duhur sa u përket konflikteve rajonale, posaçërisht në Lindje të Mesme.
Kështu, më 2010, SHBA-ja e gjeti veten në një kontest të rëndë diplomatik me
Turqinë dhe Brazilin rreth zgjidhjes së konfliktit me Iranin rreth programit të
tij bërthamor.
Ndonëse nuk e pranoi, SHBA-ja shihej qartë se ishte e
pakënaqur për shkak se këto dy shtete u munduan të luajnë rol të pavarur
diplomatik.
Dallimet janë po ashtu të dukshme aty ku fuqitë e mëdha dhe
të mesme demokratike kanë formuar grupe të reja apo klube, si BRICS, së bashku
me fuqitë jodemokratike. India, Brazili dhe Afrika Jugore po ashtu janë duke
përdorur formate të tilla në mënyrë pragmatike për të ndjekur interesat e tyre
apo thjesht për të demonstruar peshën e tyre të shtuar ndërkombëtare. Ka shumë
pak ujdi midis tyre në një anë dhe Kinës apo Rusisë në anën tjetër – sa u
përket vlerave politike apo çështjeve themelore të rendit ndërkombëtar.
Së bashku me shumë shtete të tjera në Jugun global,
megjithatë, Rusia dhe Kina kanë tendenca që ta mbrojnë parimin e mosndërhyrjes
dhe ato në përgjithësi nuk janë të gatshme të përkrahin përpjekjet amerikane
apo evropiane për projektimin e demokracisë apo mbrojtjen e të drejtave të
njeriut në shtetet e tjera.
Jo shumë pak politikëbërës në SHBA dhe Evropë kanë reaguar
me habi, madje edhe neveri, ndaj përpjekjeve të këtyre fuqive në lulëzim për të
ndjekur agjendat e tyre në skenën botërore. Reagimet e tilla pjesërisht
pasqyrojnë mënyrën e vjetër të të menduarit, të rrënjosur në Luftën e Ftohtë,
kur shtetet demokratike mund të kishin dallime rreth detajeve, mirëpo
pajtoheshin rreth çështjeve kryesore të politikës ndërkombëtare. Ata që ndiqnin
agjendë ndryshe rreth çështjeve substanciale, ose nuk ishin pjesë e “kampit
demokratik”, ose nuk ishin shtete me ndikim në skenën ndërkombëtare.
Për dallim nga kjo, një karakteristikë e rëndësishme e botës
së sotme është se vlerat e përbashkëta demokratike nuk garantojnë marrëveshje
rreth çështjeve substanciale të politikës ndërkombëtare. Sa më shumë demokraci
që të ketë, aq më shumë konflikte interesi dhe dallime pritet që të dalin në
pah midis shteteve demokratike.
Nuk ka arsye që të veprojmë me nervozizëm kur shtetet si
Turqia, Brazili dhe Afrika Jugore caktojnë prioritete të ndryshme prej atyre të
Evropës apo SHBA-së, apo kanë qëndrime të tjera rreth trajtimit të konfliktit
arabo-izrael, Iranit, ndihmave zhvillimore, promovimit demokratik apo mbrojtjes
së ambientit. Shembulli i SHBA-së tregon në mënyrë të qartë se fuqitë e mëdha
demokratike shpesh ndjekin interesat e tyre pa pasur parasysh të mirën e
përbashkët që e kanë definuar të tjerët. Me fjalë të tjera, rendi demokratik po
bëhet gjithnjë e më i shumtë. Detyra e demokracive të etabluara perëndimore
është që të pranojnë dhe të përballen me “dallimet e tilla demokratike” në
nivelin ndërkombëtar, duke synuar koalicione shumëpalëshe për menaxhimin apo
zgjidhjen e problemeve.
Në parim, BE-ja ndodhet në pozitë më të mirë se SHBA-ja (e
aq më shumë Kina) për t’u marrë me këtë detyrë. Evropianët janë mësuar të
përballem me dallime dhe të arrijnë konsensus midis shteteve që në parim
mendojnë ngjashëm. Në këtë aspekt, Evropa duhet të mësohet të jetë më e qartë
dhe më transparente rreth interesave të ndërlidhura me politikat e saj, e jo
vetëm të sugjerojnë se qëndrimet e saj për një temë specifike paraqesin
zbatimin e vetëm racional të vlerave normale demokratike.
Comments
Post a Comment