Plejadë ngjyre, idesh e ndjenjash
Nga Dr. Ilir Muharremi
E vërteta në art është e lidhur me botën e synimeve,
aspiratave, shpresave, idealeve që frymojnë, ndezin dhe lëkundin shpirtrat,
mendimet e paragjykimet tek njerëzit e zakonshëm. Këtë e vërejtëm në “Plejadën
e Artistëve Ndërkombëtar”, të organizuar nga piktorja Miradije Ramiqi. Ngjarja
në Hotel Prishtina, mblodhi për një javë artistë të ndryshëm, nga vende të
ndryshme.
Arti i jep idetë estetike në një nivel të lartë, dhe sipas
strukturës së ndërgjegjes së rëndomtë të njeriut.
Shkëmbimi ideve, polemikat artistike e zbrazja e ngjyrave në
pëlhurë shfaqeshin si dramë artistike me karaktere të ndryshme, që ngjallnin
freski, melankoli dhe frymëzim tek artistët. Pronari i hotelit Blerim Islami -
që ishte donatori kryesor i këtij manifestimi - ditë e natë shoqërohej me
artistë dhe vlerësonte, kritikonte dhe polemizonte veprat të cilat krijoheshin
përditë nga duart e mjeshtërve të rinj, të cilët në gjithë lëvizjen e
karaktereve dhe situatave jetësore e mbërthenin spektatorin.
Artistët, Lumturi Blloshmi, Agron Mulliqi, Ferid Morina,
Adrian Dule, Natali Nikolovska, Fatos Bylykbashi, Magbule Xhemajli, Fatos
Arapi, Marjana Goxhabeliu, Brunilda Mumajesi... përpiqeshin të qëllonin idenë e
brendësisë me një lëvizje dhe lëkundje ndjenjash, duke u izoluar në
personalitet apo duke individualizuar. Kjo pra ndodhi në një shkallë, përderisa
pjesa tjetër e artistëve ishin izoluar nëpër dhoma, ku krijonin artin e
pandikuar, me një varg emocionesh e ndërgjegjesh teorike të një dialogu të
brendshëm intraverz. As ata në asnjë mënyrë s’mbetën të thatë e të ftohtë,
ngaqë filozofia dhe idetë jepeshin si shqetësim i natyrshëm i një karakteri që
përpiqet t’ua gjejë shkakun gjërave.
Temat ishin të ndryshme, disa ishin të pasionuar pas
arkitekturës e disa polemizonin me individualitetin, duke nxjerr personazhe
artistike logjike të pasqyrimit dhe vazhdimësisë së realitetit objektiv të
kohës dhe hapësirës. Pra, raportin e elementit ekspresiv dhe substancial në figurën
artistike; raportin e elementit përshkrues, psikologjik, njohës e vlerësues,
krijues e transformues; raportin e elementit emocional e racional, rrugët e
afirmimit estetik e të patosit.
Për shembull, objekti i Bibliotekës Kombëtare dhe
Universitare u plasua në versione të ndryshme. Disa artistë i theksonin kupolat
si elemente kryesore, mbresëlënëse, estetike e përshkruese, pjesa tjetër grilat
e saj, që i vendosnin në një kozmos pa gravitet, duke dashur të theksojnë
hapësirën kompozicionale të objektit. Me forcën e tyre interpretuese, me
funksionin e një bote kërkimore, kuptimore, estetike, filozofike e sociale, ata
krijonin ndeshjen mes spektatorit dhe veprave. Depërtimi në përmbajtje të
veprave ishte i lehtë, sepse përdornin metoda e forma konkrete të perceptimit.
Qëndrimi vlerësues i artistëve stimulohet nga tërësia e pikëpamjeve
ideologjike. Lëvizjet e brushës ishin të ngadalta dhe precize, ndërkohë që të
tjerët spërkatnin me duar e këmbë mbi pëlhurë, duke paralajmëruar kështu se i
tërë trupi është funksional dhe i preokupuar me ndjenjën që se realizimi
shërbehet me çdo gjymtyrë. Temat më tepër ishin objektive se subjektive, dhe me
qëllim kohor, ngaqë për t’u zhytur në ujërat subjektive koha është më e gjatë.
Spontaniteti ishte një fenomen pozitiv, një teori dhe
praktikë artistike që shënon thëllimin e mëtutjeshëm të krijimtarisë. E tërë
puna njëjavore përfundoi me një ekspozitë, ku artistëve iu ndanë mirënjohje.
Organizatorja falënderoi sponsorët, kryetari i Prishtinës Isa Mustafa, ishte i
pasionuar pas veprave. Ai në natën solemne shprehu vullnetin dhe gëzimin që
kishte ndarë për artistët. Madje, i ftoi ata në një tubim në hotelin prishtinas
Swis Diamond. Artistët nuk flisnin gjë, i merrnin mirënjohjet dhe rreshtoheshin
të emocionuar, stresuar, por edhe të dominuar nga veprat.
Do të theksoja se artistët nëpërmjet veprave, por edhe me
shijet, format e kulluara dhe bukuritë e kulluara të tyre, realitetin e quanin
prozaik, poetik, shpirtëror. Një frymëzim aspak vulgar, ngaqë qetësia
mbretëronte në kompozicion, e perspektiva shfaqte atë dimensionin e tretë
iluziv në pikturë. Modernizmin dhe postmodernizmin e shihnin si koncept estetik
dhe të praktikave të shkollave të vjetra të artit.
Comments
Post a Comment