Copëza Amerike, me një të djeshme të braktisur, një e tashme e makthshme, një e ardhme surreale
Albert Vataj
Këto foto janë dëshmitarë të gjallë të një të djeshme që jep
shpirt dhe një të ardhme që ngaset të shkruhet në mermerin e ftohtë të
memuarit. Dyqane dhe kisha të heshtura, një tavolinë bilardoje që pret lojtarë,
një makinë e shkatërruar në një pikë karburanti… janë këto disa prej imazheve
që përkujtojnë disa prej qyteteve tashmë të braktisura në SHBA. Secili prej
këtyre qyteteve ka një histori të vetën: dikush është shkatërruar si pasojë e
zjarreve, një tjetër nga përmbytjet apo nga braktisja e vullnetshme. Tashmë
prej tyre kanë mbetur vetëm copëza kujtimesh dhe aspak jetë. Këto janë copëza të
vogla e të trishta të Amerikës së madhe, ëndërr e të gjithëve. Ku dje kishte
jetë, sot ka gërmalla dhe mbi ta ndërtohet kjo e vetmi e frikshme, ky stampim
surreal. Kujtimet e një jetë të vrullshme kanë zënë vend në këto pamje mjerane,
të hështura dhe plot panik. Ndërsa përcjell këtë mozaik të vetmisë amerikanë, të
braktisjes, një lloj ndjesie frike dhe paniku të mërthen, fundi të vërtitet përreth
si një shtjellë përpirëse. Vdekja ka sjellje të tillë të heshtur, të ftohtë dhe
ngjethëse. Këto gostitje surreale të realitetit mbushin me boshllëk atë pjesë
dyshuese të vetmisë sonë dhe vullnetit për të ndryshuar pjesën e errët që vjen
hera-herës, si për të na kujtuar se edhe ne jemi pjesë e udhes, e intinerarit,
e nisjes, vazhdimit dhe mbarimit. Ky evolucion, pjesë e të cilës i’a mohojmë
vetes, ndoshta për ta davaritur pjesëmarrjen në këtë amfiteatër horrori dhe
vdekjeje, është një dëshmi, është një e tashme, është braktisje, është vetmi. Në
domosdo jemi në të, në të shkuarën që po jep shpirt, në gërmallat që ngrihen
mbi gërmalla.
Comments
Post a Comment