Enada Hoxha: Të qenit koreograf, sfida më e vështirë për mua dhe Gerdin
Edhe pse fati është treguar shumë
bujar me primabalerinën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Enada Hoxha,
ajo asnjë ditë nuk resht së punuari për të sjellë në çdo shfaqje elementë të
rinj si balerinë dhe koreografe. Në një intervistë për “Summer Time”, Enada
Hoxha rrëfen mungesën e Prof. Agron Aliajt, dashurinë për baletin, punët e saj
më të veçanta së bashku me partnerin e saj në skenë dhe jetë, si dhe projektet
që do ta rikthejnë në shtator në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. “Mua
dhe Gerdit na mungon jo vetëm puna me të, por mbi të gjitha prezenca e tij.
Pasioni që kishte për punën, për jetën, të bukurën. Më mungon prekja e tij kur
krijonte me ne, këshilla në prova dhe përpara shfaqjes dhe shprehja e tij: “Dil
në skenë dhe shkëlqe!” – këto janë fjalët që Enada, me lot në sy na tregon për
mungesën e punës së Prof. Agron Aliajt. Enda Hoxha është balerina e Parë e
Teatrit të Operës dhe Baletit dhe aktualisht është balerina më e mirë e
Shqipërisë. Gjatë gjithë karrierës së saj artistike ka marrë vlerësime
maksimale nga kritikat mbareuropiane. Ajo ka shkëlqyer për shumë vite në skenën
shqiptare, talenti i saj i jashtëzakonshëm, tashmë i ka kaluar muret e
vendlindjes së saj, duke u bërë balerina më e famshme edhe jashtë kufijve.
Baleti “Zhizel” dhe “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” ishin dy punët
e fundit që ju realizuat me të ndjerin Prof. Agron Aliaj. Ju mungon zëri dhe
puna e tij sot?
Ah, profesor Agroni! Mua dhe
Gerdit na mungon jo vetëm puna me të, por mbi të gjitha prezenca e tij. Pasioni
që kishte për punën, për jetën, të bukurën. Më mungon prekja e tij kur krijonte
me ne, këshilla në prova dhe përpara shfaqjes dhe shprehja e tij: “Dil në skenë
dhe shkëlqe!”. Teksa e kujtoj më mbushën sytë me lot. Ndërsa, zëri i tij më
kumbon akoma “Puno. Mos shtero së punuari. Ke akoma vite përpara për të kërcyer
dhe duhet ta çosh përpara këtë art të bukur siç është kërcimi!”. Ruajmë kujtime
të jashtëzakonshme me profesorin. Na mbeten shumë projekte pa realizuar, por
setin fotografik që bëmë vetëm pak përpara largimit të tij nga jeta do të
mbetet kujtimi më i bukur i jetës dhe karrierës. Ai u bë njësh me ne dhe me
aparatin fotografik. Ato orë kemi qenë në një botë krejt tjetër, një botë që na
përkiste vetëm ne të treve. Dhe kjo faleminderit fotografit Armand Sallabanda që
arriti të bëjë mrekulli me ne.
Përveçse një balerinë profesioniste pranë TOB-it, ju keni marrë pjesë
dhe në disa evenimente, siç ishte ai i “Dancing with the stars”. Mbase kjo ju
bën më atraktive në balete?
Puna në “DWS” është e veçantë. Të
lodh shumë, por të jep shumë kënaqësi. Të rrit dhe të plotëson nga ana
profesionale jo vetëm si balerinë, por edhe si koreografe. Të mos harrojmë që
televizioni ndihmon shumë në promovimin e punës që bën një artist. Sidomos kur
bëhet fjalë për një audiencë të jashtëzakonshme që ka ky show gjigant. Të dy,
me Gerdin, ndihemi vërtet të nderuar që jemi pjesë e stafit të producentes
Holta Dulaku që në këto 10 vite ka realizuar projekte shumë profesionale dhe
unike në llojin e tyre.
Si prima balerinë, ju nuk reshtni së punuari çdo ditë së bashku me
Gerdin. Gjatë gjithë këtyre viteve keni ndonjë rol të veçantë që e kujtoni me
shumë dashuri ku në të njëjtën kohë e keni realizuar së bashku?
Fakti që në këto 18 vite në skenë
si balerinë të parë tregon që çdo rol të jetë përjetuar në mënyrë të veçantë
nga ne. I jemi përkushtuar për ta realizuar sa më bukur dhe në mënyrë sa më
profesionale. Një rol i veçantë dhe shumë impenjativ për ne është kur na kërkohet
nga TKOB të jemi koreografë dhe balerinë. Të qenit koreograf është roli më i vështirë
i joni. Ajo që kërkojmë është të jemi origjinal dhe të suksesshëm në atë që
krijojmë dhe kjo nuk është e lehtë. Do shumë punë dhe lodhje. Është një sipërmarrje
që na pëlqen.
Duke qenë se partneri juaj është balerin, ju bën të jeni më të
kuptueshëm me njëri-tjetrin në çdo moment?
Duke qenë se jemi rritur dhe
njohur në teatër, sigurisht kjo ka bërë që të kuptohemi mjaft mirë së bashku.
Kjo vihet re shumë mirë në skenë, përveç harmonisë së lëvizjeve, çfarëdolloj gjëje
që mund të ndodhë (se skena ka dhe të papriturat e saj) kujdesemi që të mos përcillet
tek publiku. Kjo tregon që me një shikim kemi përthithur çdo gjë tek njeri-tjetri.
Ndërkohë, bashkëpunimi ka edhe debate. Kjo vlen edhe për ne.
Meqenëse jemi në sezonin veror, Roan ju ndjen më afër, pasi jeni më pak
e zënë me baletin apo ndodh e kundërta?
Vërtet që puna jonë është
impenjative, gjithmonë jam munduar që të jem prezent për Roan. E kam zgjidhur në
forma të ndryshme. Përveç punës, vetes i kam privuar gjithçka për të qenë në
shtëpi. Përndryshe e kam marrë me vete në prova, në shfaqje ose kudo që kam qenë
e ftuar. Ndërsa, tani që jemi me pushime, ai çdo çast është me mua. Nuk e
kuptoj asnjë moment pa të dhe ai po ashtu.
Po Gerdi si baba, është i përkushtuar ndaj djalit po aq sa ju?
Padyshim që ka qenë dhe është
prezent për familjen dhe Roan. Del shëtitje, e çon tek lodrat, luan me atë
futboll, përveç daljeve të përbashkëta si familje.
Cilët janë projektet që do t’ju rikthejnë në shtator?
Projekte kemi shumë. Edhe oferta
të ndryshme nga të tjerë produksione. Po planifikojmë një shfaqje të re që do të
jetë homazh për maestron Agron Aliaj.
Ku do t’i kaloni pushimet verore?
Edhe këtë vit besoj do t’ia
kalojmë shumë mirë me familjen dhe shoqërinë. Pushimet tona fatmirësisht janë të
gjata dhe të mbushura me udhëtime.
Comments
Post a Comment