Floriana Garo: Uroj të jem mes më të mirave në “Miss World”
Është viti i saj. Starti, si prezantuese e Motit në televizionin “Abc News”, ka qenë i duhuri. Kjo, pasi Floriana Garo jo vetëm që mori pëlqimin e publikut në këtë rol prezantimi, por se edhe ofertat për të vijuan njëra-tjetrën. Pas zgjedhjes si imazh i firmës së veshjes “Cortefiel”, Floriana u bë pjesë e një prej sfilatave të njohura në vend me fustane nusërie, dhe ja... tani më superlajmi i bërë publik, që ajo do të përfaqësojë Shqipërinë në “Miss World” ka ekzaltuar jo vetëm atë, por edhe të fejuarin e saj, Tedin, familjen dhe të gjithë miqtë e Florianës. Këtë herë, ajo vjen në këtë intervistë për “Summer Time” pikërisht për të na treguar këto emocione të reja që po përjeton, përgatitjet dhe ambiciet që ka për një prezantim dinjitoz në kompeticionin botëror të bukurisë që do të zhvillohet në 18 gusht në Kinë.
Floriana, urime për pjesëmarrjen në “Miss World”! Çdo të thotë për ju
ky prezantim?
Faleminderit shumë. Është një
nder shumë i madh dhe një konsideratë e jashtëzakonshme që po më bëhet. Jam
shumë krenare që do ta përfaqësoj Shqipërinë në një eveniment kaq të rëndësishëm.
Për mua do të thotë realizim i një ëndrre që e kam pasur që fëmijë.
Si ju erdhi kjo ofertë?
Kjo ofertë erdhi nga përfaqësuesit
e “Miss World” në Shqipëri. Unë u përzgjodha nga ata dhe e madhja Vera Grabocka
ma komunikoi këtë lajm.
Është pjesëmarrja juaj e parë në një kompeticion bukurie e menjëherë një
prezantim botëror. Keni emocione?
Patjetër që kam emocione. Është e
vërtetë që unë nuk kam shumë eksperiencë si pjesëmarrëse në evente bukurie, por
do të bëj më të mirën time për ta përfaqësuar denjësisht Shqipërinë.
Jeni njohur me konkurrentet e tjera që marrin pjesë në këtë event
bukurie?
Jam njohur në mënyrë virtuale. Fotot
e tyre janë të publikuara në websitin zyrtar të “Miss World”, dhe kam pasur
mundësinë t’i shoh. Janë padyshim vajza shumë të bukura dhe jam e bindur që kanë
edhe një botë të pasur shpirtërore, duke marrë parasysh faktin që “Miss World”
mban moton "Bukuri me një Qëllim"/ “Beauty with a Purpose”. Me Miss
Gjermaninë me origjinë shqiptare, Martina Ivezaj, kam komunikuar edhe në “Facebook”.
Shpresoj që të krijojmë një lidhje të mirë, ndërkohë që jemi në Kinë.
Cilat janë ambiciet tuaja në këtë konkurs?
Ambicia ime është që ta përfaqësoj
siç duhet vendin tim, dhe të krijoj një imazh pozitiv për Shqipërinë dhe vajzat
shqiptare në të gjithë botën. Krahas kësaj, shpresoj që të kualifikohem ndër më
të mirat, dhe kjo famë të më ndihmojë të progresoj në karrierën time në fushën
e televizionit dhe modës.
Duket një vit i artë ky për ju, vetë si do ta përshkruanit?
Është e vërtetë ashtu dhe jam
shumë e lumtur për këtë. Unë besoj vërtet në të pasurit një këndvështrim
pozitiv për gjërat dhe ato vijnë vetë, nëse punon për t’i arritur. Në natën e
Vitit të Ri kam shpresuar shumë që ky vit të më sillte gjëra të bukura dhe deri
tani ashtu ka ndodhur. Falënderoj me gjithë zemër të gjithë ata që më kanë mbështetur
në televizionin “Klan” dhe “ABC News” e që më kanë ndihmuar të arrij deri këtu.
Krahas kësaj, i jam shumë mirënjohëse edhe firmës prestigjioze “Cortefiel” që më
ka zgjedhur si imazh zyrtar.
Kur zhvillohet spektakli dhe ai i keni nisur përgatitjet?
Spektakli zhvillohet më datë 18 gusht
në Ordos të Kinës. Përgatitjet i kam nisur që para 1 muaji. Kam filluar
intensivisht palestrën dhe kam filluar të jem më e kujdesshme me ushqimin.
Krahas kësaj po mendoj për veshjet që do të marr me vete.
Cila është pika juaj më e fortë që mendoni se do të pëlqehet nga juria?
Pika ime e fortë besoj se është
pjekuria, të folurit mirë anglisht dhe eksperienca si prezantuese televizive.
Shpresoj që këto të kenë një impakt të rëndësishëm tek juria.
Si e ka pritur këtë lajm i fejuari juaj? Familja?
Prindërit e mi dhe vëllai, i
fejuari im Tedi, dhe mamaja e tij, biznesmenia e njohur Shefikat Ngjela, e kanë
pritur vërtet shumë mirë këtë lajm. Ata janë vërtet shumë të impenjuar me të
gjitha përgatitjet e nevojshme që unë të dal sa më mirë në këtë eveniment ndërkombëtar
bukurie. E gjithë familja ime është jashtëzakonisht e lumtur dhe krenare për
suksesin që kam arritur deri tani.
Jam edhe unë shumë krenare për ata që më mbështesin
dhe që m’i bëjnë gjërat më të lehta!
Comments
Post a Comment