Kujtim Shehu: Jeta ime, 17 vite mes muzikës dhe matematikës



 Izaura Ndoj

Pasioni për muzikën e ka bërë të jetë një ndër zërat më të bukur të muzikës popullore qytetare. Ky është këngëtari i muzikës popullore Kujtim Shehu, i cili në një intervistë për “Summer Time” rrëfen fillimet e tij drejt muzikës, karrierën artistike, punën me gjimnazistët si profesor matematike, si dhe projektet në vazhdim. Albumi i fundit që ka nxjerr në treg profesori i matematikës ka qenë “Ka dalë qejfi ashiqare”. “Kam nxjerrë gjithsej tri albume, ku me albumin e fundit pata shumë sukses falë bashkëpunimit me kompozitorin Adrian Hila, dhe sidomos me këngën ‘Gocë tirone’, e cila edhe tani këndohet shumë nëpër karaoke. Ndërkohë, këtë verë po përgatitem për një album të ri në bashkëpunim me kantautorin Sajmir Çili, album për të cilin do të më kërkohet shumë punë”, - tregon Kujtimi Shehu. Ndërsa, lidhur me fillimet e karrierës së tij, zëri i muzikës popullore shprehet se, “Fillimet e mia kanë qenë me muzikën e lehtë. Ajo ka qenë dëshira ime. Në fillim më ka pëlqyer vetëm muzika e lehtë dhe nuk kam dashur të këndoja këngë popullore. Kam filluar të këndoj në Pallatin e Kulturës Studenti me kompozitorin Ilir Dangëllia”. Më tej, gjatë intervistës Kujtim Shehu, na rrëfen dhe për familjen, lidhjen e ngushtë me djemtë dhe pasionet e tij.

Si kanë nisur fillimet tuaja drejt muzikës?
Fillimet e mia muzikore kanë qenë në Pallatin e Kulturës Studenti në vitin 1990 kur erdha në shkollë të lartë. Kompozitori Ilir Dangëllia ka qenë ai që më ka ndihmuar që unë të vazhdoja këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë muzikore. Aktivizimet e mia me muzikën kanë qenë të shumta në periudhën ‘90-‘94 në Pallatin e Kulturës Studenti, ku zhvillonim koncerte të shumta si në Tiranë, por edhe nëpër rrethe.

Prej sa vitesh merreni me muzikë?
Karriera ime artistike plotëson një trajektore të gjatë ndër vite. Kam gjithsej 22 vjet që merrem me muzikë, por dalja ime e parë në ekran ka qenë festivali në RTSH-së në vitin ‘91 me këngën “Ne studentët” të kompozitorit Ilir Dangëllia.

Gjatë kësaj karriere muzikore si këngëtar keni lëvruar dy zhanre të muzikës, atë popullore dhe të lehtë. Ku e keni gjetur më mirë veten?
Po është e vërtetë! Në fillimet e mia kam kënduar muzikën e lehtë dhe që atëherë kompozitori Ilir Dangëllia më thoshte që ti mund të këndosh shumë bukur edhe këngët popullore dhe ashtu ndodhi, sepse më pas kur unë isha në vitin e 3-të të fakultetit më kërkuan që të këndoja në një nga tavernat e Tiranës ku duhej edhe muzika popullore krahas muzikës së lehtë. Për mua, të kënduarit live nëpër ambientet muzikore ka qenë ajo që më bëri të jem ky që jam sot, sepse kam kënduar pothuajse çdo natë krahas fitimit për mua ka qenë një shkollë e kënduara live.

Përveçse një këngëtar, jeni dhe një profesor matematike në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja. Si ndodhi kjo zgjedhje, mund t’i cilësojmë si dy pasione të jetës suaj?
Në fakt, dy ëndrrat e mia kanë qenë muzika dhe matematika që në fëmijërinë time, të cilat u realizuan me ardhjen time në Tiranë në fakultetin e Shkencave të Natyrës në degën e Matematikës. Për këtë arritje jam i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë në jetën time dhe jam shumë i lumtur që kam 17 vjet që i ushtroj paralelisht të dyja profesionet.

Prej shumë vitesh lëvroni muzikën folk, e ndjeni mungesën e muzikës së lehtë?
Vërtet në ekran jam shfaqur më shumë me muzikën popullore, por muzikën e lehtë e ushtroj nëpër ambientet ku unë këndoj. Ajo më ndjek gjithmonë dhe asnjëherë nuk e braktis.

Tashmë, krijimtaria juaj artistike në muzikë ka kapur dy dekada. Ju si e shikoni manin për të bërë sa më shumë videoklipe duke lëvruar muzikë komerciale?
Në fakt, e vërtetë është se këngëtari duhet të prezantohet sa më shumë në ekranet televizive. Për këtë arsye them se unë duhet të kisha bërë më shumë në këtë drejtim, ndoshta është puna tjetër që ushtroj më pengon disi, por gjithsesi jam munduar dhe kam realizuar disa videoklipe kam marrë pjesë në shumë evenimente muzikore.

Si ju shikojmë jashtë muzikës në jetën familjare? Keni dy djem që ju ndjekin me pasion, keni dëshirë që njeri prej tyre të ndjekë rrugën tuaj?
Jam i martuar dhe kam një familje të mrekullueshme. Kam dy djem, Shpëtimin 11-vjeç dhe Kleisin 6-vjeç, jam munduar t’i përkushtohem shumë edhe familjes krahas muzikës. Sa për djemtë, Shpëtimi është i pasionuar pas futbollit, ndërsa Kleisit i pëlqen muzika. Mendoj që mund të bëhet edhe ai këngëtar, sepse ka zë të mirë dhe vesh muzike.

Cilat janë pjesëmarrjet tuaja nëpër festivale muzikore përveç të kënduarit live?
Kam qenë pjesëmarrës tek “Netët e Klipit Shqiptar” në edicionin e tij të parë. Aty jam vlerësuar me çmimin e “Publikut”, ku konkurrova me këngën “Kënga e dashurisë”. Kjo këngë ka qenë një ndër videoklipet e para që ka bërë TVSH-ja. Kam marrë pjesë edhe tek “Top Fest”-i. Kam qenë pjesëmarrës edhe në “Këngët e Stinës”. Por ajo që dua të theksoj është se këngë të lehta këndoj shpesh nëpër lokale ku jam i ftuar.

Albumi juaj i fundit ka qenë “Ka dal qejfi ashiqare”, do t’ju shikojmë së shpejti me një album të katërt?
Gjatë këtyre viteve kam nxjerr gjithsej tri albume, ku me albumin e fundit pata shumë sukses falë bashkëpunimit me kompozitorin Adrian Hila. Një sukses i këtij albumi ishte dhe kënga “Gocë tirone”, e cila edhe tani këndohet shumë nëpër karaoke. Ndërkohë, dy bashkëpunimet e fundit me këngë solo i kam pasur me kompozitorin Shpëtim Saraçi, të cilin e falënderoj shumë. Në këtë sezon veror po përgatitem për një album të ri në bashkëpunim me kantautorin Sajmir Çili, album për të cilin do të më kërkohet shumë punë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk