Afërdita Zonja: Pse u largova nga skena e festivaleve
Shfaqja juaj e fundit në televizion ishte pikërisht në emision “Pasdite
në Klan”, ku ju ishit e ftuar, cilat ishin emocionet që morët?
Sigurisht që ishte një pasdite e këndshme,
pasi ishte live dhe surprizat ishin të tilla. Por, ditën tjetër, emocionet
ishin edhe më të mëdha, pasi më erdhën shumë telefonata dhe përshëndetje, prej
dashamirësve dhe miqve të mi që ju kishte pëlqyer shumë emisioni.
Një pjesë shumë e bukur e të gjithëve ne është edhe fëmijëria, ju çfarë
kujtoni sot nga ajo periudhë?
Të them të drejtën, në atë moshë,
kur ti sapo ke filluar që të bësh diçka, siç ishte në rastin tim kënga, nuk ke
atë përgjegjësi që ke kur rritesh. Ke ato emocionet e moshës që janë në çdo
fushë ku ti shfaq talent, por gjithçka rrjedh më natyrshëm, dhe kjo është diçka
që ta afron vetëm ajo moshë, sigurisht që janë kujtime shumë të bukura, pasi
duke u rritur në moshë, gjithmonë kujton, si filluam, si jemi dhe si arritëm
deri këtu. Unë them se gjithmonë njeriu duhet të kthejë kokën pas. Dhe kjo
ishte një rritje graduale. Kur kthej kokën pas dhe kujtoj se kam qenë një vajzë
e vogël, e qetë, e urtë dhe të arrija që të ngjitesha në skenë me një pjekuri të
admirueshme, ishte një moment kur unë arrita të fitoja edhe çmime nëpër
festivale, ishte një arritje dhe një sukses e fryt i të gjitha atyre përpjekjeve
që kisha bërë ndër vite.
Meqenëse folëm për kthimin e kokës pas, a do të kishit bërë diçka
ndryshe?
Jo, nuk do të kisha bërë asgjë
ndryshe, jam shumë e lumtur me këtë që kam arritur deri tani, jo vetëm nga ana
e karrierës sime, por edhe nga jeta ime private.
Këto kohët e fundit, po shohim një rikthim të emrave të njohur të skenës,
si konkurrentë nëpër festivalet e ndryshme, a do t’ju shohim edhe ju, me një
rikthim të tillë?
Nëse do të kem një material të
bukur, pse jo?! Për momentin që flasim, nuk ekziston një gjë e tillë. Ndoshta
unë jam pak e ngarkuar dhe kam shumë aktivitete të miat personale, nuk jam marrë
me këtë gjë, pasi edhe kjo kërkon kohën e vet.
Fëmijët tuaj nuk u morën me muzikën, pse?
Dëshira ime ishte shumë e madhe që
ata të merreshin me muzikë, por asnjëherë nuk realizohet dëshira e prindërve me
sa duket. Kur kam qenë mësuese në Lice, unë i kam futur të dy, për piano. Ishte
e pamundur që djali të vazhdonte dhe pas klasës së tretë u largua, edhe Megi,
vajza, vazhdoi deri në klasën e tretë dhe e la. Megi ka të dhëna të mira dhe ka
një zë të bukur, por ajo muzikën nuk e ka pasion, këndon më shumë për qejf dhe
hobi, kërkon të bëjë diçka, por nuk i hyn seriozisht. Nëse do të bëjë diçka
seriozisht, mjafton që të thotë, sepse mësuesen e ka në shtëpi (Qesh). Fëmijët kanë
marrë tjetër drejtim, sepse kanë zgjedhur të bëhen juristë.
Çfarë ju largoi nga konkurrimi i festivaleve të fundvitit?
Po pas viteve ‘90, u bë një
ndryshim shumë i madh i mënyrës se si filluan që të bëhen festivalet. Dhe
gjithçka filloi që të bëhej “Playback”. Diçka që të gjithë këngëtarë e brezit
tim e refuzuan, sepse ne ishim mësuar që gjithçka të ishte live, sepse
emocionin që të jep kënga live, nuk e përcjell kurrë “playbacku”. Unë kudo që këndoj
edhe sot, këndoj live, sepse aty janë edhe vlerat e artistëve. Arsyeja tjetër që
ne u larguam ishte edhe se pse dikur kënduam pa asnjë interes financiar, pasi
merrnim shumë dashuri dhe respekt nga të gjithë, por vjen një moment që duhet të
mendosh edhe për anën financiare dhe duhet të mendoje edhe për veten. Por, me
kalimin e kohës, këngëtarët u kthyen dhe kanë kënduar në mënyrë sporadike, por
jo ashtu siç kanë qenë festivalet më parë. Sot kompozitorët e zgjedhin vetë këngëtarin.
Dhe nëse do të rikthehem, do të më duhet të kem një material shumë të mirë që të
më rikthejë, ashtu siç fansat e mi më kujtojnë. Kjo ka qenë një nga arsyet që
jam shkëputur nga skena, por jo nga jeta artistike dhe nga të kënduarit live.
A ju ka mbetur diçka peng?
Po, më ka mbetur. Unë kam
studiuar në Akademinë e Arteve me pedagogen e nderuar Nina Mula. Dhe përfundova
studimet si soprano lirike. Me të mbaruar Akademinë, ashtu siç ishte më se e
zakonshme në atë periudhë, studentët e rretheve duhet të ktheheshin në rrethin
nga kishin ardhur. Dhe në Korçë mua më emëruan mësuese kantoje në Liceun
Artistik të Korçës. Kjo vërtet që ishte një privilegj për mua, por unë isha
shumë larg asaj ëndrre që doja të realizoja, nuk arrita asnjëherë që të ngjitem
në skenën e teatrit të Operës dhe të jem pjesë e trupës së Operës dhe Baletit.
Kjo sepse unë ndenja për shumë vite në Liceun e Korçës. Që të më jepej një mundësi
të këndoja në një Opera, m’u kthye në një ëndërr në sirtar dhe sot e kësaj dite
më ka mbetur një nga pengjet e mia më të mëdha. Vërtet muzika e lehtë më dha atë
emër dhe më bëri të afërt me publikun, por ishte diçka që dija ta bëja, dhe unë
kërkoja diçka më shumë për veten, pra të bëja atë, për të cilën unë kisha
studiuar. Megjithatë, një kënaqësi e veçantë është kur shoh nxënësit që i kam përgatitur
vetë, janë pjesë e skenës së Operës dhe janë bërë këngëtarë shumë të mirë, është
një gjë që gjithsesi të mbush.
Ju nuk keni një klip tuajin, pse?
Kjo është e vërtetë, një klip
duhet, në këtë periudhë të karrierës sime jo për afirmim, por klip është diçka
që mbetet gjatë dhe mund të shihet në çdo kohë të jetës së një artisti.
Megjithatë, besoj se duhet ta mendoj më mirë dhe të bëj edhe një klip,
sigurisht të një kënge të re timen.
Yllka Selita
Comments
Post a Comment