Felix Baumgartner: Minutat e rralla në hapësirë
Red Bull Stratos/Misioni nga kufijtë e hapësirës përmbushet
me sukses
"Engjëlli jonë mbrojtës do të kujdeset për ty",
këto ishin fjalët që u dëgjuan nga Qendra e Kontrollit dhe Felix Baumgartner
hapi derën e kapsulës dhe u hodh.
Baumgartner zbriti në tokë me parashutën e tij rreth orës
20:20, 14 Tetor 2012, në shkretëtirën e New Mexico-s, pas 9:03 minutash nga
dalja e tij nga kapsula, e cila po mbahej konstante në një lartësi rreth 39,044
metra. Përgjatë 4:20 minuta rënie të lirë, përpara se të hapte parashutën, ai
pësoi rrotullime të shumta në hapësirë, por shumë shpejt Felix arriti të
fitonte kontrollin e trupit të tij, moment ky i cili u shoqërua edhe me
duartrokitje të shumta në Qendrën e Kontrollit të këtij misioni.
"Dita e sotme ka qenë plot ulje-ngritje, ashtu siç ka
qenë dhe i gjithë misioni" tha Baumgartner i çliruar. "Patëm një
ngjitje të mrekullueshme, më pas një problem temperature me pjesën e përparme
të kaskës që unë mbaja në kokë. Dalja nga kapsula ishte perfekte, por më pas
trupi im pësoi disa rrotullime me një shpejtësi marramendëse, moment ky
jashtëzakonisht i vështirë. Për disa çaste mendova se mund të humbja
kontrollin. Isha gjatë gjithë kohës i përqendruar për të rikthyer kontrollin në
trupin tim. Ishte më e vështirë nga sa e kisha menduar."
Në konferencën për shtyp pas përmbushjes së misionit
Baumgartner tha: "Teksa qëndronnë majë dhe shef gjithë botën, e ndjen
veten shumë të pafuqishëm,nuk mendon për thyerje rekordesh".Ai pranon se
ajo çfarë i vinte në mendje në ato momente ishte që të zbriste i gjallë në tokë
dhe shton: "Ndonjëherë të duhet të ngjitesh shumë lart, për të kuptuar
sesa i vogël je".
Gjatë ngjitjes Baumgartner pati një problem në lidhje me
temperaturën në pjesën e përparme të kaskës së tij në kokë, duke shkaktuar
avull në të, por fatmirësisht kjo avari nuk arriti të kthehej në një moment
fatal për misionin Red Bull Stratos. "Kjo është shumë serioze, Joe,"
i tha ai Kitttinger, konsulentit të tij dhe personit që mbante rekordin botëror
përpara hedhjes së Baumgartner, me të cilin komunikonte pa ndërpreje në radio.
“Unë nuk ndjej nxehtësi" – kanë qenë fjalët qetësuese të Joe Kittinger.
Miliona njerëz nëpër botë kanë pasur mundësinë për të
ndjekur live hedhjen e Felix Baumgartner nëpërmjet kanaleve televizive si dhe
në internet, ku është thyer një tjetër rekord në Youtube, me një shifër prej 8
milionë shikues.
Baumgartner dhe ekipi kanë shpenzuar pesë vjet për
realizimin e këtij projekti gjigant, i cili do të ketë një kontribut të jashtëzakonshëm
për shkencën dhe për mënyrën sesi trupi reagon në kushte ekstreme atmosferike
në kufijtë e hapësirës.
Comments
Post a Comment