“Agon”, një film shqiptar në Festivalin e Çikagos
Ngjarjet e filmit “Agon” zhvillohen në Greqi, ku emigrojnë
dy vëllezër nga Shqipëria; njëri integrohet, tjetri përfshihet në punë jo të
pastra.
Festivali i Ndërkombëtar i Filmit në Çikago ka përzgjedhur
për herë të parë një film shqiptar në seksionin e regjisorëve të rinj.
Regjisori Robert Budina merr pjesë me filmin e tij “Agon”. Filmi trajton e
dramën e dy vëllezërve që emigrojnë në Greqi. Regjisori shqiptar Robert Budina
dhe filmi i tij i sapopërfunduar me metrazh të gjatë “Agon” janë përzgjedhur
dhe po marrin pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Çikagos në SHBA, në garën
zyrtare në seksionin për regjisorët e rinj. Festivali po zhvillohet nga data 11
deri në 25 tetor, ndërsa premiera botërore e filmit “Agon” do të bëhet në datat
18, 19 dhe 22 tetor në Çikago përgjatë zhvillimit të festivalit.
“Në çastin që erdhi përgjigja isha pak i befasuar, sepse në
Çikago ftohen filma që kanë marrë çmime në Europë. Ne marrim pjesë në seksionin
e regjisorëve të rinj. Atje është një seksion i madh me 20 filma dhe seksioni i
regjisorëve të rinj është vetëm me 12 filma. Ne jemi të vetmit që nuk kemi qenë
në asnjë festival tjetër. Që të arrish deri këtu, ata duhet të shohin një gjë
shumë të veçantë që të të pranojnë për mua kjo është më shumë se sa një sukses,
është një integrim” - thotë zoti Budina.
Ngjarjet e filmit “Agon” zhvillohen në Greqi, ku emigrojnë
dy vëllezër nga Shqipëria; ndërsa njëri integrohet atje me punë të rregullt,
tjetri përfshihet në punë jo të pastra.
“Vëllezërit përlasen
duke sjellë një dramë integrimi dhe jo një dramë emigracioni” - thotë regjisori
Budina. Unë kam dashur të them se ne shqiptarët në thelb kemi vlera
jashtëzakonisht pozitive, por që për momente të veçanta e humbim toruan dhe
bëjmë që të dukemi negative, pa lidhje. Në fakt, nuk është e vërtetë. Në thelb
ne jemi shumë pozitivë, dhe unë kam dashur ta grish këtë lloj imazhi që
ndërtojnë të tjerët për ne, duke na parë thjesht në mënyrë skematike, dhe nuk
na qëmtojnë nga brenda. Dhe nëse e kemi një problem, ta dimë pse e kemi. Unë
këtë jam përpjekur të them dhe kjo mbase ka bërë të veçantën” - thotë ai.
Filmi “Agon” është bashkëprodhim me kompani dhe qendrat
kombëtare të filmit nga Shqipëria, Greqia, Rumania dhe Franca. Zoti Budina
thotë se përzgjedhja e filmit të tij në festivalin e Çikagos është një provë se
ai që punon vlerësohet dhe bëhet i pranishëm, edhe pse me fonde të pakta dhe me
kushte të kufizuara.
“Gjithë kjo punë që
bëjmë në Shqipëri, ndonëse duket e pamundur të bësh filma, tregon që ne jemi të
pranishëm. Edhe shokë të tjerë të mi kanë bërë më parë filma që kanë patur
sukses, dhe kjo tregon se ne jemi të pranishëm, edhe pse me mjete shumë të
pakta. Kjo mënyra më e mirë se sin e duhet ta vazhdojmë këtë punë, në mënyrë që
të mos mbetemi prapa vendeve të tjera. Mendoj se është mirë që të flitet për
ne, për kinemanë tonë, jo thjesht për mua” - tha ai.
Komisioni i festivalit ka shkruar në njoftimin e pranimit se
filmi “Agon” vjen nga një vend i vogël, i cili shkakton turbullira të mëdha
shpirtërore, dhe kjo nuk ka të bëjë me ekzotikën e origjinës. Filmi “Agon” do
të konkurrojë për HYGON e Artë së bashku me një përzgjedhje prej 12 filmash të
tjerë nga e gjithë bota. Po çfarë mendon Budina për garën? A mban ai shpresa se
do të marrë çmim në Çikago me filmin e tij “Agon”?
“Aty janë 12 filma për regjisorët që kanë bërë filmin e parë
dhe të dytë. Është një garë shumë e fortë, sepse unë i kam parë të gjithë
filmat. Ata kanë marrë pjesë dhe çmime në festivale të tjera, mirëpo mbase kjo
e veçanta jonë do të tërheqë vëmendjen. Filmi është shumë provokativ. Kam
dashur të jem pa doreza, kam dashur t’i futem shpirtit të njeriut deri në
thellësi, kam dashur të ngjall emocione, kam dashur ta prek problemin, nuk i
jam fshehur atij. Për këto arsye filmi do të arrijë shumë shpejt tek publiku,
dhe shpresojmë që do të arrijë shpejt edhe tek kritika” - thotë zoti Budina.
Pjesëmarrja e filmit “Agon” në Festivalin e Çikagos është e
para për një film shqiptar, pas “Falja e gjakut” të Joshua Marston, në garën zyrtare
të këtij festivali. Autorët besojnë se kjo është një mundësi e mirë për të
paraqitur përballë industrisë së filmit në SHBA forcën e një kinemaje nga një
vend i vogël por që bart energji të madhe dhe i zbulon botës veçantinë e saj.
Ilirian Agolli
Comments
Post a Comment