Kryeministri Berisha viziton ekspozitën e piktorit Gjovalin Paci



Kryeministri Berisha vizitoi sot pasdite, ekspozitën e piktorit Gjovalin Paci, kushtuar heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, në Muzeun Historik Kombëtar.
Në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë, piktori Paci kishte sjellë në këtë ekspozitë, me temë “Skënderbeu, Kalorësi i Lirisë dhe simbol i bashkimit”, 100 portrete e kompozime.
Duke e cilësuar Gjovalin Paci, përfaqësues të shkëlqyer e të denjë të arteve pamore shqiptare në Europë e në botë, Kryeministri Berisha bëri këtë vlerësim për ekspozitën dhe temën e saj.
 “Së pari, shfrytëzoj rastin, të falënderoj të gjithë ata që kanë bërë të mundur ekspozitën e piktorit të mirënjohur Gjovalin Paci, në Muzeun Kombëtar, me disa nga veprat e tij më të arrira, të frymëzuara nga prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, burri që i frymëzon shqiptarët në një përpjekje për të ardhme, që u jep nder e krenari, por edhe besim, më shumë se kushdo tjetër, Skënderbeu. Artistët, shkrimtarët, me muzën e tyre, natyrisht, frymëzimin e kanë të shumanshëm dhe po kështu, edhe filozofët, por në botën shqiptare, pas Krishtit e Muhamedit, Skënderbeu mbetet burimi më i madh i frymëzimit të gjenisë krijuese të kombit shqiptar, në histori, në letra, në pikturë e në të gjitha zhanret e artit. Skënderbeu mbetet për shqiptarët burimi më i madh i frymëzimit, për gjeninë e tyre krijuese. Në të vërtetë, jo vetëm në historinë kombëtare të shqiptareve, por në historinë e kontinentit europian dhe në historinë e botës, është një nga shembujt më të jashtëzakonshëm. Skënderbeu ia doli të ketë një shtet, këtu, në zemër të Europës, në Shqipëri, për dekada. Ndërkohë, kur të gjitha shtetet e tjera ishin shuar, nuk ekzistonin. Edhe Kostandinopoja ishte faktikisht, e rënë, e gjunjëzuar. Vetëm në kështjellën e tij valëvitej krenar flamuri i lirisë, flamuri i kombit shqiptar. Ndaj vjen natyrshëm,  nuk mund të ketë burim më të madh frymëzimi për artistin, sesa Skënderbeu dhe vepra e tij.
Piktori i shquar Gjovalin Paci hap sot, këtë ekspozitë, në Muzeun Kombëtar. Por, zoti drejtor i Muzeut e të nderuar të pranishëm, besoj se e dini se ekspozitat e Gjovalin Pacit janë hapur në muzetë më prestigjiozë të arteve në Europë e në botë dhe kanë marrë në këto galeri, vlerësimet më të mëdha. Gjovalini është një ambasador nomad, që mbart me vete gjeninë krijuese të kombit shqiptar nga një vend në tjetrin dhe kudo që shkon, me krijimet e tij të shkëlqyera, të një mjeshtërie të rrallë artistike u jep shqiptarëve nder e krenari. Ndaj zoti Gjovalin dua të të falenderoj shumë që ke hapur këtë ekspozitë, në këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, sikundër të falenderoj shumë për suksesin e madh që ke kudo në Europë, me të cilën ju bëni krenar të gjithë shqiptarët.”







Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk