Kadare: Europa - gjendja e natyrshme e Shqipërisë, e vetmja
Ideja e Shqipërisë europiane, si frymë historike dhe realitet,
në një dialog të rrallë mes Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri,
Ettore Sequi, dhe shkrimtarit më të njohur shqiptar, Ismail Kadare. Shkëmbim
përsiatjesh mes shkrimtarit dhe diplomatit se si ky përcaktim dhe kuptimshmëria
e tij ndryshuan në kohë. Cili ishte dhe është ndikimi i idesë së Shqipërisë europiane
në politikën, shoqërinë dhe kulturën shqiptare?
Dialogu mes Ismail Kadaresë dhe Ambasadorit Sequi është i
pari i llojit të një kolane që do të publikohet në median e shkruar, ideuar nga
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, ku shkrimtarë, filozofë,
analistë, artistë ndajnë me Ambasadorin e Bashkimit Europian dhe me publikun
shqiptar vizionin e tyre mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Ambasadori Sequi: Zoti Kadare, ju falënderoj shumë që
pranuat të jeni pjesë e kësaj iniciative ku Ambasadori i Bashkimit Europian po
vendos një dialog të hapur me disa nga përfaqësuesit e shquar të shoqërisë
shqiptare lidhur me një nga temat më të rëndësishme të ditës, shumë "në
modë" për çdokënd, e cila është tema e integrimit europian të Shqipërisë. Është
nder për mua si përfaqësues i Bashkimit Europian t'ju kem ju si
bashkëbiseduesin tim në këtë shkëmbim të hapur idesh e pikëpamjesh. Ju jeni gjeniu
i letrave shqipe dhe nuk do ta teproja po të thosha personaliteti më i shquar i
kulturës shqiptare. Një mik shqiptar më ka thënë se, kohë më parë, mbase ende
në fillimin e ekzistencës së shtetit të ri shqiptar ose edhe pak më vonë, kur
një shqiptar udhëtonte jashtë Shqipërisë ose kur i hipte, për shembull, ndonjë
anijeje për të shkuar drejt Perëndimit, ai përdorte shprehjen "po marr
rrugën për në Europë", sikur Shqipëria të mos ndodhej në Europë. Më kanë
thënë se kjo shprehje përdorej edhe në Greqi para shumë kohësh. Personalisht,
besoj se Shqipëria i përket Europës, jo vetëm gjeografikisht, por si një
entitet i gjallë në shumë aspekte. Zoti Kadare, çfarë është Europa për
shqiptarët: një territor, koncept, qëllim, ëndërr, ribashkim e rikthim në
familje?
Është krejtësisht e vërtetë ajo që thoni ju për temën e
integrimit në Europë, si tema më pasionante e gjithë shqiptarëve sot. Do të
shtoja këtu: është lumturisht e vërtetë. E kundërta do të ishte e pikëllueshme.
Për sa i përket atij pikëshikimi të jashtëm të Europës, në Shqipëri e në
Ballkan, jam plotësisht në një mendje me ju. Veç këtu, në vend të fjalës
lumturisht, do të thosha fatkeqësisht. Europa për disa shekuj rresht u bë kaq e
huaj për Gadishullin Ballkanik, sa dukej sikur ndodhi një çarje tektonike. Në
të vërtetë, as Ballkani nuk u zhvendos askund e aq më pak zhvendosjen e bëri Europa.
Por, largësia e brendshme mendore e shpirtërore ishte e tillë sa që çoi në
krijimin e paradoksit që përmendët ju. Në shekullin e XX, si të mos i mjaftonte
largësia e vjetër, komunizmi shqiptar krijoi për Shqipërinë një largim të ri. Europa
u bë «imperialiste», hapësirë e ndaluar, dyfish e largët, shumëfish armiqësore.
Ne tani përdorim natyrshëm shprehjen: rikthimi në Europë, thua se bëhet fjalë
për një rrugëtim në kah të kundërt drejt kontinentit që kemi lënë pas e që na
pret. Kaq e rëndë ka qenë drama sa që e kemi vështirë të pranojmë se ne u bëmë
joeuropianë, me një fjalë, u ç’europianizuam, jo të transferuar në ndonjë
hapësirë tjetër, në ndonjë trevë internimi, por aty ku kemi qenë, mu në mes të
Europës. Aty u ndamë prej saj, u rrethuam me tela me gjemba, si të mallkuarit e
dheut. Ndaj, kur bëhet fjalë për integrim, për rikthim në Europë, dihet se ky
proces i kundërt do të krijohet atje ku ndodhi e keqja. Me fjalë të tjera, aty
ku kemi qenë, e aty ku jemi sot.
Në këtë kah, pyetjes suaj se ç’është Europa për Shqipërinë
do t’i përgjigjesha: vetvetja, ose gjithçka. Dhe do të shtoja, ndoshta, fjalët;
gjendja e natyrshme e Shqipërisë. E vetmja.
Nga "Kështjella" tek "Sjellësi i
Fatkeqësisë", nga "Viti i Mbrapshtë" te "Doruntina",
për të përmendur vetëm disa nga librat tuaj, ju flisni për marrëdhëniet e
Shqipërisë me Europën, për vendin e Shqipërisë në Europë, dhe për rreziqet e
shkëputjes nga Europa. Në shumë ese dhe intervista tuajat, ju flisni
për atë që ju e quani "identiteti europian i shqiptarëve".
Shkurtimisht, cilat do të ishin sipas jush tiparet dalluese të këtij
identiteti? Një pjesë të kohës ju jetoni në Francë, në "Europë". A
mendoni se ekziston një identitet i përbashkët europian ose siç thotë Wim Wenders,
një Europë si shpirt? Në qoftë se po, cilat janë marrëdhëniet e identitetit
shqiptar dhe atij europian në ditët tona?
Për të filluar nga fundi i pyetjes suaj. Europa si frymë, si
parim shpirtëror është përcaktuar qysh në shekullin e kaluar. Ajo ç'ka qenë e
vlefshme për kombin, ka vazhduar të jetë e vlefshme për një familje kombesh.
Dhe Europa, ashtu siç thoni ju, e tillë është konceptuar nga themeluesit
shpirtërorë të saj, si familje. Në këtë kah, krijimi i Europës se Bashkuar,
duke qenë lajm i mirë për europianët e vjetër, ka qenë dyfish i tillë për ne të
tjerët, ne që e kishim humbur atë. Për ne, Europa, përpara se të jetë një luks,
një shkallëzim drejt përparimit, një përkryerje, ka qenë një domosdoshmëri. Një
jetë e munguar. Për shqiptarët, populli më i vetmuar i kontinentit, ka qenë më
shumë se kaq: një vatër. Kjo mund të tingëllojë si patetike, por nuk është
ashtu. Për një popull pa familje, gjetja e kësaj të fundit është hyrje në një
fazë krejtësisht të re të ekzistencës. Me fjalë të tjera, për herë të parë në
këto 600 vitet e fundit Shqipëria bëhet gati të hyjë në kontinent pa vetminë e
saj. Dhe kjo fazë e re kërkon vetvetiu doktrinën e vet. Doktrinat e popujve
përpunohen shpesh në faza të vështira. Ka qenë rilindja kombëtare shqiptare,
bijë e iluminizmit të largët europian, që përcaktoi orientimin e ri shqiptar.
Sintagmat «Liri» dhe «Europë» po afroheshin përherë e më tepër. Lideri rilindës,
Naim Frashëri, shkoi edhe më tej, duke e parashtruar këtë ide të re në një
formë përmbysjeje kozmike. Në një vjershë programatike, ai do të shkruajë se
drita për Shqipërinë nuk lind nga Lindja, por nga Perëndimi. (O dritëz e
bekuar, që lind nga perëndon). Sipas rilindësve, një Shqipëri e lirë, serioze
dhe e moralshme mund të ishte e tillë vetëm në kontinentin e vet.
Kohë pas kohe, u them bashkëbiseduesve dhe miqve të mi
shqiptarë se të bëhesh pjesë e Bashkimit Europian, ose e Europës, është dhe
duhet të jetë natyrisht një objektiv kombëtar, madje sot më shumë se kurrë.
Por, nga ana tjetër, unë u them atyre se të bëhesh anëtar i familjes së madhe europiane
nuk është retorikë boshe ose një qëllim në vetvete. Personalisht, besoj se të
jesh pjesë e Europës, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera të
Ballkanit Perëndimor, është një objektiv, i cili i ndihmon vendet tuaja dhe
popujt tuaj të përqafojnë dhe venë në praktikë vlerat që qëndrojnë në themel
dhe që anëtarët e klubit europian i ndajnë së bashku, dhe që në fund të fundit
i bëjnë vendet dhe shoqëritë tuaja më demokratike, më të lira, më të begata: d.m.th.,
do të bënte që njerëzit tuaj të jetojnë gjithmonë e më mirë e më në paqe e
harmoni. Në një intervistë, ju flisni për "adhurimin pa kusht që
shqiptarët kanë për Europën" dhe i referoheni, madje, dhe një poeti
shqiptar të viteve '30, i cili shprehej se "ne e duam Perëndimin/Europën
me dashuri tragjike". Ne esenë tuaj brilante "Mbi identitetin europian
të shqiptarëve" ju shkruani se "humbja dhe rigjetja e kontinentit
mëmë, nuk të bën më pak europian se të tjerët. Përkundrazi, ajo të bën më
shumë". Si një vëzhgues i hollë dhe i veçantë i jetës shqiptare, a mendoni
se jo gjithmonë kuptohet se të udhëtosh pa viza në Europë nuk të bën
automatikisht pjesë të Europës ose europian, porse ka elementë të tjerë shumë
të rëndësishëm, ato vlerat themelore që përmendëm më sipër, të cilat një vend
duhet t'i përqafojë e t'i bëjë pjesë të brendshme e reflekse të vetat që të
quhet vend europian?
Është e vërtetë se kur diçka e dëshiron tej masës, rrugëtimi
drejt saj mund të ndërlikohet nga keqkuptimet. Shqiptarët janë të shquar për
këto të fundit. Të bindur se e duam më shumë dhe më ngutshëm se të tjerët Europën,
ka shumë prej nesh, që kujtojnë se ky është argument i mjaftueshëm për të
bindur këdo, se më shumë dhe më shpejt se të tjerët e meritojmë atë. Këtë
keqkuptim nga një tjetër, më i rëndë se ky, nuk e ndan veçse një hap. Keqkuptimi
i ri ka të bëjë me një përshkallëzim të dy të tjerëve. Nga formula; e meritojmë
ngaqë e duam, kalojmë lehtësisht në fazën tjetër, bindja se jemi ndërkaq europianë.
Nga një pikëshikim i parë, kjo bindje naive ngjan befasuese në kuptimin jo të
mirë të fjalës. Ju, si përfaqësues i Europës, keni plotësisht të drejtë të na
kujtoni se çështja e të qenit europian nuk është qëllim në vetvete, si të
thuash, ngjitja në një rang më të zgjedhur e më elitar. Përvetësimi i vlerave
të popujve që përbëjnë klubin europian, përpara se të jetë respekt për Europën
do të jetë respekt për vetveten. Ai lidhet me nivelin e jetës lëndore,
shpirtërore, institucionale, juridike. Të gjitha këto shkojnë bashkë, sipas një
harmonie të brendshme. Ndërkaq, ju jeni përfaqësues i Europës dhe unë, pa
dashur të luaj avokatin e djallit, do të doja t’ju thosha se një farë zjarrmie
e theksuar, një farë shprese e padurimi naiv, është ndoshta më e mirë se
ftohtësia dhe mosbesimi. Kur përmenda optimizmin e tepruar për europianizimin,
nuk fola për të kundërtën që, për fat të keq, gjithashtu është e tepruar.
Mendimi fatalist se ballkanasit nuk bëhen dot kurrë europianë, është i përhapur
në gadishull. S’duhet harruar se një perandori pushtuese shumëkombëshe, siç ka
qenë ajo osmane, një ndër synimet e përhershme që ka është krijimi i mosbesimit
të kombeve te vetvetja. Në fund të fundit besimi te vetja, në këtë rast, bëhet
pjesë e lirisë. Ai do të ndihmojë që vlerat dhe standardet europiane, për të
cilat flitet aq shumë sot, ta kenë më të lehtë rrezatimin e tyre tek ne.
Siç e përmendëm më sipër, që të jesh pjesë e Europës duhet
të përqafosh vlerat dhe parimet themelore të familjes europiane. Më10 tetor të
këtij viti, Bashkimi Europian do të nxjerrë një raport vjetor, që ne e quajmë
Raporti i Progresit, në të cilin do të bëjmë analizën dhe vlerësimin e
progresit të bërë nga Shqipëria që nga viti i kaluar në përpjekjet e saj për
t'u afruar me Bashkimin Europian. Partnerëve tanë shqiptarë u kemi thënë se ka
ende një sërë gjërash për të kryer, disa objektiva për të realizuar dhe disa
rezultate për të arritur para tetorit nëse ata duan të bëjnë përparim më të
shpejtë drejt Europës. Natyrisht, një pjesë e rëndësishme e punës që duhet
kryer bie mbi klasën politike. Deri më tash, mund të themi se disa nga synimet
janë arritur, megjithatë ka ende punë për të bërë. Në esenë tuaj "Mosmarrëveshja",
e cila me të drejtë është konsideruar si një nga veprat më të mëdha të mendimit
shqip, ju trajtoni mes të tjerash ato që ju cilësoni "marrëdhëniet e
vështira të shqiptarëve me veten e tyre". Personalisht, mendoj se çështja
e besimit të ndërsjellë mes shqiptarëve është një nga elementet e rëndësishëm
për ta që të mund të kenë sukses në rrugëtimin drejt Europës. Gjithashtu besoj
se dialogu, bashkëpunimi, konsensusi, mund të sjellin në fund të fundit
rezultate të prekshme. A mendoni se me më shumë mobilizim të përpjekjeve dhe më
shumë besim të ndërsjellë, klasa politike shqiptare mund të bëjë më shumë e të
arrijë rezultate më të mira? Dhe jo vetëm më të mira, por edhe më të shpejta,
sepse koha vrapon dhe ne nuk mund ta lemë atë të ikë. Para disa javësh, i
përmenda një miku dhe gazetari shqiptar atë që Xhon Kenedi ka thënë tek fliste
për kohën. Kenedi thoshte: "Marshalli i madh francez Liotej (Lyautey) i
kërkoi dikur kopshtarit të tij të mbillte një pemë. Kopshtari iu përgjigj se
pema donte shumë kohë të rritej dhe do të bëhej e madhe vetëm pas 100 vitesh.
Marshalli iu gjegj "atëherë, nuk kemi kohë për të humbur, mbille pemën që
sot pasdite". A mendoni se e gjithë shoqëria shqiptare, nëpërmjet asaj që
unë do ta quaja "trysni pozitive" dhe me më shumë angazhim, duhet të
luajë një rol më të madh që të arrihet më shumë e më shpejt progres në rrugën
drejt Europës?
Është hera e parë në historinë e Shqipërisë që një shekull
pas çështjes së pavarësisë, një tjetër synim bashkon si me magji politikën dhe
shoqërinë, opinionin publik dhe besimet fetare, elitën dhe njerëzit e thjeshtë.
E merrni me mend se përse e kam fjalën: për synimin europian. Asnjë parti
politike shqiptare, asnjë program apo doktrinë nuk mund të ketë jetë në qoftë
se krijon dyshimin më të vogël për orientimin europian. Kur pak më lart thashë
se Europa për ne është gjithçka, ndoshta u duk e tepruar, por e kam atë bindje.
Përveç vlerave të përbashkëta, përveç standardeve, ritmit të përparimit, që,
siç përmendët ju, pasqyrohet çdo vit te Raporti i Progresit, pakti me Europën
ne na mëson diçka që, në kushte të tjera, do të ishte gjëja më e vështirë për
t’u përvetësuar: harmonia me vetveten. Ky mirëkuptim vlen po aq për ne,
shqiptarët, sa ç’vlen për pajtimin ndërballkanik. Europa nuk ka arritur lehtë
te ky ushtrim i mirëkuptimit. Pa e ditur, ndoshta, as ajo vetë, madje pa e
ditur as ne, ajo ka punuar për ne. Jeta politike në Shqipëri ka nevojë të
ngutshme për «trysninë pozitive» europiane, siç e quajtët ju. Vetë shprehja
« jetë politike » është kuptimplote. Kemi të bëjmë me jetë dhe jo me
kacafytje politike, e cila në fund të fundit është pothuajse luftë. Dhe luftë
do të thotë gjysmë jetë, çka është pak a shumë gjysmë vdekje. Nuk pres ndonjë
idil as midis partive politike në Shqipëri, as në raportet shqiptaro-europiane
ose ballkaniko-europiane. Europa, duke përfshirë këtu Aleancën Atlantike, është
sot familja më shpresëdhënëse e kombeve, por kjo s’do të thotë se ajo mund të
jetë vetëm shëlbyese. Europa ka një traditë të ashpër dhe në thelb ajo është e
tillë. Ne të gjithë së bashku, kontinenti europian e Ballkani perëndimor, duke
përfshirë Shqipërinë, s’ka pse të bëjmë sikur tmerrohemi nga fjala «ashpërsi».
Ne të gjithë, na pëlqen apo s’na pëlqen, mbajmë një lidhje me Spartën. E Sparta
nuk ka pasur vetëm Termopile. Sigurisht që kronika e sotme e kontinentit është
e pasuruar me ndjesi humane të panjohura më parë. Ju më folët për ndodhinë e
bukur të treguar prej Kenedit. Do të doja të përmendja fjalët e një burri të
moshuar shqiptar, kohët e fundit në Paris, i ftuar prej vajzës së tij. I
magjepsur nga qyteti, njeriu kishte thënë me naivitet : mbase e kam
dëgjuar gabim, por më kanë zënë veshët se kjo këtu… Europa, kjo Europë e bukur,
mund të prishet. Shprehja «mund të prishet» ose «kam frikë se do të prishe »
ka qenë shumë e njohur për brezat e vjetër në vendin tonë. Përdorej për
Shqipërinë, sidomos në fillimet e saj, kishte qenë në ankth i vazhdueshëm për
të ardhmen. Do të bëhet Shqipëria apo s’do të bëhet. Do të mbetet në këmbë apo
do të prishet… E pabesueshme ishte që, një burrë i vjetër shqiptar, në
shekullin 21, të përdorte me të njëjtën ndjesi, të njëjtën shprehje për Europën.
Përtej rrahjes së mendimeve për të ardhmen e Europës, se a do të ndryshojë ajo,
se a do të kthehet në federatë shtetesh, apo në bashkësi politike etj.,
shqetësimin e një shqiptari të thjeshtë për të, më ka pëlqyer ta marr si
shqetësim për një hall të shtëpisë. Të shtëpisë së madhe të përbashkët.
Duke qenë shkrimtari më i njohur shqiptar, ju jeni padyshim
edhe një nga ballkanasit më të njohur sot jashtë kufijve të Gadishullit. Dhe
kam përshtypjen se të qenit ballkanas ju bën të ndjeheni mirë. Ndoshta nuk e
teproj nëse them se Kadare është një avokat i Ballkanit, një avokat paksa i
çuditshëm që e mbron Gadishullin e tij duke e dashur dhe kritikuar
njëkohësisht. Temë e preferuar e juaja mbeten marrëdhëniet e Gadishullit
Ballkanik me Europën dhe perspektiva europiane e rajonit. Në një nga
intervistat tuaja të fundit, ju shpreheni se "ballkanasit duhet të ndihen
të nderuar që Europa merret seriozisht me ta". Sigurisht, si Ambasador i
BE-së në një vend ballkanik si Shqipëria, mua më vjen mirë kur e lexoj këtë. Ju
gjithashtu keni folur edhe për një proces të nevojshëm pajtimi në Ballkan. Si e
shihni rolin e Europës në këtë kontekst? Çfarë mendoni se duhet të bëjnë më
mirë vetë ballkanasit dhe çfarë do të duhej të bënte më mirë vetë BE-ja. Një
miku ynë i përbashkët thotë se "Nëse Ballkani është problemi i Europës, Europa
është zgjidhja për Ballkanin". Sa dakord jeni me këtë pikëpamje?
Jam plotësisht në një mendje me ju. Në një rast tjetër,
bashkëbisedimi ynë do të dukej disi i njëtrajtshëm ngaqë po i rikthehemi të njëjtit
motiv. Por për Europën ka gjithmonë përjashtim. Për Europën, për raportet
Ballkan-Shqipëri-Europë, rrahja e mendimeve sado i pafundmë të duket, nuk është
kurrë i tepërt. Lidhur me atë që unë, duke e kritikuar, e mbroj Ballkanin,
është e vërtetë. Është kthyer në një farë mode sot ndjesia e turpit ndaj
përkatësive ballkanike. Madje, popuj të tërë kërkojnë t’i ikin gadishullit.
Duket sikur thonë: na quani si të doni, europianë juglindorë, euro-mesdhetarë,
post-europianë, veç ballkanas jo. Unë nuk i gjykoj për keq. Për vete nuk ndiej ndonjë
turp qe jam ballkanas. As krenari, natyrisht. Dihet se ky është gadishulli më
problematik i kontinentit. Siç dihet, që është ndër më të pasurit ne kujtime,
në mençuri dhe në marrëzi. Ndërkaq, kjo është pjesa që na përket nga bota, dhe
ne jemi të detyruar, nga vetvetja në radhë të parë, por edhe nga ju, të gjejmë
rrugën e vetme që na lejohet, atë të bashkëjetesës. Harmonia mes popujve të
gadishullit nuk kërkon ndonjë filozofi për t’u arsyetuar. Është thjesht një
gjendje që çon te jeta dhe jo e kundërta e saj. Më lejoni të përsëris idenë se
kjo harmoni (alias jetë) varet nga gjithë ballkanasit. Ndërkaq janë tre popuj
që lozin rolin kryesor në vendosjen e saj: grekët, shqiptarët dhe serbët. Të
tre të vështirë, të tre të rëndësishëm për mirë ose për keq. Nismëtimi i
projektit të pajtimit në gadishull nuk mund të vihet në lëvizje në qoftë se në
ndërgjegjen e tyre nuk bëhet zotëruese ideja se asnjeri prej këtyre tre popujve
nuk i merr leje tjetrit për të jetuar. Po nuk u kuptua kjo nuk mund të kuptohet
e s’mund të shpjegohet asgjë. Ndërkaq atmosfera në gadishull është ende larg
nga një emancipim i tillë. S’ka shumë kohë, ish ministri i jashtëm i një vendi
ballkanik, bëri betimin publik se vendimi i njohjes, domethënë e drejta për
jetë normale e gjysmës së kombit fqinj shqiptar, nuk mund të kalonte në OKB
veçse sipër kufomës së tij! Çdo koment do të ishte i tepërt. Këtij ministri
mund t’i thuhej vetëm një frazë: Si shumë rëndësi i jepni kufomës tuaj, zotëri!
Gadishulli s’ka nevojë për epope të rreme kufomash. Koha është për tjetër
epope. Sipas një koncepti të njohur, brenda kohës ka herë pas here një kohë të
veçantë, me mundësi të pazakonshme. Veç ajo ka një tipar: nuk zgjat shumë.
Thënë ndryshe, në qoftë se nuk e kap, ikën, dhe atëherë duhet pritur rishfaqja
e saj.
Më pëlqen të besoj se për gadishullin tonë ka mbërritur një
kohë e tillë. Në bashkëbisedimin tonë ne s’bëmë gjë tjetër veçse vërtetuam se
jemi nën ndikimin e saj. Shumë njerëz mund të thonë: përse gjithë ky preokupim për
ndërballkanizimin, për Europën, për orientimin europian? Ne kemi kaq probleme
të ngutshme, të përditshme, dramatike. I kuptoj fare mirë këta njerëz.
Shqipëria ka probleme të rënda e serioze. Probleme të demokracisë, të
pavarësisë së institucioneve, të drejtësisë, të korrupsionit, të votës së lirë,
pa folur pastaj për varfërinë e gjer te masakra e mjedisit. Ndërkaq, jam i
bindur se asnjëherë, për asnjë çast kjo çështje që biseduam nuk anashkalon
problemet e mësipërme. Përkundrazi, i prek të gjitha, jep alarmin për to,
kërkon zgjidhje edhe më të ngutshme për secilën prej tyre. Shpesh është bërë
zakon të thuhet se popujt i zgjidhin vetë problemet e veta. Tingëllon korrekte,
madje bukur, por nuk mendoj se është në çdo rast e vërtetë. Ja për shembull,
s’di ndonjë popull që ta ketë rrëzuar vetë fashizmin, aq më pak komunizmin, pa
një ndërthurje rrethanash globale. Ne kemi nevojë për ju. Kemi pasur nevojë për
ju gjatë gjithë shekullit, por kjo nuk u bë e mundur. Gjatë viteve të
komunizmit, Shqipëria bënte sikur shkëputej nga kampi sovjetik, por në thelb
kjo nuk ishte veçse një teatër i dyanshëm. Një pakt i fshehtë, më shumë i
nënkuptuar se i shprehur vazhdonte midis dy palëve. Thelbi i paktit ishte:
hidhni shkelma sa të doni, ne do t’ju mbrojmë, veç me Perëndimin mos u afroni!
Veç me Europën, kurrë! Sot, pikërisht Europa, është më e domosdoshme se
asnjëherë për ne. Ndërkaq, Shqipërisë i duhet të luftojë përpjekjet për
ndryshimin e orientimit europian, që shfaqen sot, si rrezik madhor në jetën e
saj. Ndodh që arsyet për domosdoshmërinë e Europës të mos formulohen gjithmonë
me qartësinë e duhur. Ndaj unë do të doja të përsëritja fjalët: ne kemi nevojë
për ju. E meqenëse gjatë bashkëbisedimit tonë ju cituat një poet, ma bëtë edhe
mua më të lehtë parafrazimin befasues të një poeti, që thotë se ka raste
kur dashuria shfaqet si një nga format më të larta të arsyes.
Comments
Post a Comment