Shkëlzen Jetishi: Suksesi im në muzikë është se këndoj këngën e mirëfilltë popullore
Këngëtari kosovar Shkëlzen Jetishi, apo, siç e njohim të gjithë, Xeni, do të
jetë një nga dhjetë këngëtarët që do të performojnë sot, në natën e parë të Festivalit
të Këngës Popullore të organizuar nga Radio Televizioni Shqiptar. Përveç këngës
tejet të njohur gjakovare “Dil një herë moj vajzë e bukur”, Xeni do të këndojë edhe
një krijim të ri, të cilin, siç u shpreh edhe vetë në një intervistë të dhënë për
gazetën “Koha Jonë”, ka menduar që të ketë edhe pak nga Shqipëria e Mesme,
pjesë e pandarë e repertorit të artistit, edhe nga Gjakova e tij e dashur.
Ju i keni munguar për një periudhë
kohe skenave shqiptare, dhe tani ju shohim në Festivalin e Këngës Popullore Qytetare,
si lindi ky bashkëpunim me TVSh?
Po në fakt e pranova këtë ftesë pasi, do të zhvillohet në kuadër të 100-vjetorit
të Pavarësisë së Shqipëri, aq më tepër nga një institucion i rëndësishëm siç është
Radio Televizioni Shqiptar. Gjithçka është menduar dhe punuar me shumë
seriozitet duke filluar nga drejtori i përgjithshëm dhe deri tek orkestrantët,
kjo është edhe arsyeja që unë pranova të jem pjesë e këtij evenimenti.
Ju do të përfaqësoheni me dy këngë,
mund të na thoni diçka më shumë për to?
Do të përfaqësohem me dy këngë, njëra do të jetë një këngë e dëgjuar, e
kompozuar nga Qamili i vogël, një kompozitor kosovar, një legjendë e muzikës
shqiptare. Kënga është me titull “Dil një herë moj vajzë e bukur”, me temë
lirike. Kënga e dytë është një kompozim i Florent Boshnjakut, me tekst të Shkëlqim
Rakut, po ashtu një temë lirike që ka brenda vetes, pak Shqipëri të Mesme, pak
Gjakovë. Të them të vërtetën ishte një kërkesë e imja ndaj kompozitorit që të
kishte brenda pak nga të gjitha trevat.
Festivali do të zhvillohet në dy ditë,
ju do të këndoni në të dyja këngët, apo do të jeni prezent vetëm në njërën nga
ditët?
Siç na tha edhe Drejtori Artistik, Edmond Zhulali, do të këndohet në të
dyja netët dhe të gjithë këngëtarët do të këndojë të dyja këngët brenda një natë,
duke u përsëritur edhe në natën e dytë.
Ju keni tre fëmijë, a ka trashëguar
ndonjëri prej tyre talentin tuaj?
Po kam dy djem dhe një vajzë. Djali i madh Korabi merret me muzikë, por për
momentin e ka ndërprerë dhe ka ikur në Amerikë. Vajza nuk ka zgjedhur të merret
me muzikë, por edhe ajo është në Amerikë. Ndërkohë, unë kam mbetur në shtëpi me
bashkëshorten time Valbonën dhe me djalin tonë të vogël 4 vjeç e gjysmë.
Po ju vetë, prej kujt e keni trashëguar
këtë zë të mrekullueshëm, ka kënduar dikush në familjen tuaj?
Po në familjen time të gjithë kanë pasur vokal shumë të mirë për të kënduar.
Mbaj mend që fëmijë që shpesh nëpër festa të ndryshme familjare ka pasur momente
kur familjarët e mi merrnin edhe ndonjë instrument dhe këndonin vetë, duke
krijuar një atmosferë shumë të bukur. Kështu unë vij nga një familje që të
gjithë kanë kënduar dhe sidomos për fatin tonë dhe timin në veçanti, edhe kjo
trashëgimi e muzikës së Shqipërisë së Mesme tek ne në Kosovë rrjedh prej
familjes sime, pasi një anëtarë i familjes sonë ka qenë në kohën e Zogut, kapter
këtu në Tiranë dhe ai sillte edhe këngët e bukura si “Bubullin te shkëmbi i Kavajës”
dhe shumë këngë të tjera të atyre viteve. Për sa i përket vokalit edhe baba im
ka kënduar në ato vite, por nuk kanë qenë mundësitë si sot, për të shpalosur
talentin.
Sa i përket pagesave, thuhet se jeni
një ndër këngëtaret që paguheni më shumë, a është e vërtetë kjo?
Sigurisht që muzika që unë lëvroj pëlqehet, sepse është një muzikë
popullore shumë origjinale, pa u afruar tek komerci. Ka pasur edhe raste kur
edhe unë në ndonjë gëzim familjar mund të këndoj një këngë të tillë, por
thjesht nëse më kërkohet, pasi kënga popullore e tabanit është ajo që pëlqehet
më së shumti. Dhe nuk kam pse gënjej, por është e vërtetë që unë paguhem shumë
mirë dhe me anë të këngës arrij të bëj një jetë shumë të mirë.
Cilat do të jenë projektet tuaja të
afërta?
Po sa më shumë që afrohet data e 100-vjetorit të Pavarësisë aq më të shumta
janë edhe aktivitet, kështu ftesat janë të shumta dhe do të doja shumë që të
kisha mundësi që të koordinoja datat dhe të jem prezent në të gjitha aktivitetet
që do të organizohen, pasi vërtet janë të shumta dhe duke qenë se unë jam pjesë
e kësaj shqiptarie, do të më pëlqente shumë që të festoja me të gjithë shqiptarët
kudo që janë këtë 100-vjetor të Pavarësisë sonë.
Comments
Post a Comment