Mid’hat Abdyl Frashërit, një Shërbestar për Kombin


Adriatik Alimadhi

I lindur bashkë me Lidhjen e Prizrenit dhe rritur me frymën e nxehtë të Ringjalljes Kombëtare, ishte e shpjegueshme që Mid’hat Frashëri të bëhej fanatik i fesë “Shqipëri”. Dhe këtij kulti ia kushtoi tërë jetën e tij për një gjysmë shekulli. Veprimtaria e këtij shqiptari të vërtetë shtrihet në të gjitha drejtimet e jetës kombëtare. Mid’hat Frashërit i interesonte çdo gjë që lidhej me jetën shqiptare, me gjuhën, me historinë, me nevojat e vendit, me çështjet e Shqipërisë. Që në rininë e hershme të tij, Mid’hat Frashëri u rrit dhe u edukua me ndjenjat e vyera të atdhedashurisë, me mallin e pashuar për vendlindjen e të parëve të tij. Babai i tij, Abdyl Frashëri, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, internohet dhe burgoset, dhe i dënuar me vdekje nuk pranoi t’i lutej Sulltanit për falje jete. Në gjyq, ai do të shprehej: “Mbretit nuk i sillem për të kërkuar mëshirë: Një dëshirë të vetme kam për të shprehur, që Mid’hati, djali im, në ka ndër dejë gjakun tim, dua të vazhdojë veprën time, që unë bëra detyrën ndaj kombit tim”. Kështu që Mid’hat Frashëri i vogël vihet nën kujdesin e vazhdueshëm të dy kolosëve të letrave dhe të Atdhetarisë, Sami dhe Naim Frashëri. Të dy këta burra të shquar me mësimet dhe porositë e tyre, me atë se çfarë transmetuan tek Mid’hat Frashëri, kanë padyshim vlera të pallogaritshme. Mësimet deri në gjimnaz i merr në Janinë dhe Stamboll. Fillon të shkruajë qysh herët dhe në vitet 1906-1907 boton në gjuhën shqipe artikuj rreth pavarësisë kombëtare shqiptare. Ende i ri në moshë, kur ishte 17 vjeç, Mid’hat Frashëri do të jepte shkëndijën e parë, se kishte nisur të ecte në udhën e ndritur të Frashërllinjve. Në një letër, që ai i dërgonte patriotit, Ibrahim Temos, midis të tjerave do t’i thoshte se ai e pati zgjedhur rrugën e tij, atë të shërbestarit të kombit.
Zakoni, tradita familjare, që kishte marrë në rininë e tij ishte të këshillonte shqiptarët të donin vendin e tyre, të bëheshin punëtorë të mirë e të urtë, të ruanin me dhembshuri trashëgiminë kombëtare. Ishte i thjeshtë, ishte i pastër dhe madhështor. Të gjitha punët e vogla dhe të mëdha, ia fali çështjes së kombit. Tradita familjare atdhetare e Mid’hatit do të dukej qartë, kur ai ishte vetëm 28 vjeç dhe u zgjodh në Kongresin e Manastirit, si kryetar i këtij Kongresi. Pjesëmarrja dhe nderimi i tij në këtë Kongres, si dhe botimi në Selanik i gazetës “Liria” në vitet 1908-1910, do të bënin që emri i Mid’hat Frashërit të përcillej tani me respekt, jo vetëm në qarqet intelektuale, por edhe ato atdhetare të Shqipërisë në ato vite. Një ngjarje tjetër kulmore në historinë e popullit tonë, ishte lufta për shpalljen e pavarësisë. Ka qenë veprimtaria e tij kombëtare, ajo që pati lënë gjurmë të thella në qarqet patriotike, që Mid’hat Frashëri, të zgjidhej delegat për në Vlorën e 28 nëntorit të vitit 1912, i propozuar nga tre krahina. Këto krahina, të cilat patën për nder të përfaqësoheshin nga Mid’hat Frashëri ishin: Kosova, Gjirokastra dhe Përmeti. Përgjegjësia e madhe politike dhe morale, të cilat i pati ndjerë qysh në fillim, bënë që biri i denjë i Përmetit të ndihmonte me mish e me shpirt lëvizjen autonomiste Shqiptare dhe më pas ai do merrte përgjegjësitë si Ministër i Punëve Botërore në të parën Qeveri Shqiptare të drejtuar prej Ismail Qemalit. Në fillim të viteve 20, të shekullit që lamë pas, Mid’hat Frashëri do të kryesonte disa delegacione shqiptare në Paris, Lozanë, Gjenevë etj., duke u shndërruar në një shtyllë e fuqishme për çështjen tonë kombëtare. Oratoria e rrallë dhe frëngjishtja ekselente, do të bënin që kancelaritë Europiane të dëgjonin me vëmendjen e duhur këtë diplomat dhe shqiptar të shquar. Gjithë kjo veprimtari kombëtare bëri që në vitet 1923-1926 shteti shqiptar ta emëronte Mid’hat Frashërin në funksionin e Ministrit Fuqiplotë në Athinë. Periudha si Ministër Fuqiplotë në shtetin Helen, ka koinciduar me dhunën e pashembullt të Athinës ndaj banorëve shqiptarë të Çamërisë. Këtë dhunë, shqiptari i madh u përpoq ta ndalte me të gjitha mjetet duke zbutur kështu në një farë mënyre plagët e shqiptarëve në viset e Çamërisë. Për këtë, Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë i ka paraqitur mbi 200 nota proteste qeverisë Greke. Në këtë funksion kaq të rëndësishëm Mid’hat Frashëri do të shpaloste idetë e tij atdhetare, ëndrrën e madhe të gjithë patriotëve shqiptarë, se pa Kosovë dhe Çamëri nuk ka Shqipëri. Korrespondenca më e madhe e ruajtur e administruar tregon, shpirtin e madh të këtij atdhetari ndaj kulturës dhe çështjes shqiptare, për të mos dëmtuar asnjë vlerë dokumentare dhe kombëtare, ai la testamentin e tij në 4 mars të vitit 1929, për krijimin e një “Instituti Albanologjie”, që të jetë një qendër të studimeve shqiptare, të mbrojë, të zhvillojë, të qëndresojë dhe të udhëheqë një studim që t’i përkasë Shqipërisë dhe shqiptarëve e që dëshirojmë të ruhet pranë këtij instituti. Libraria e tij në Tiranë ishte, një shkollë shqiptare ku bisedohej për jetën Kombëtare nxënës-mësues, shkollar të çdo dege, njerëz të mësuar dhe të pamësuar hynin në librarinë e tij si në shtëpinë e tyre. Dikujt i jepte një këshillë, tjetrit i tregonte diçka nga ajo që kishte parë dhe dëgjuar, dikujt i thoshte se sa të shkathët ishin shqiptarët jashtë atdheut. Pastaj binte biseda për Kosovën. Aty rrëmohej plaga më e madhe e tij; Mid’hat Frashëri fliste orë të tëra për Kosovën shqiptare, i tregonte ngjarjet një e nga një që nga Lidhja e Prizrenit, “Shqipëria Etnike” thoshte me mallëngjim, “duhet të punojmë për ta bërë Shqipërinë komb” dhe sytë e plakut mbusheshin me lot. Guximi atdhetar e nxiti Mid’hat Frashërin të kundërshtonte energjikisht 7 prillin e zi, pushtimin e vendit tonë nga okupatori Italian. Afroi patriotë të vjetër, afroi të rinjtë e ndezur, afroi arsimtarët, intelektualët dhe ju tha të shtrëngoheshin për një luftë të gjatë. Dy javë pas këtij pushtimi, kur pa se qeveria kukull shqiptare po i shiste parimet atdhetare, në bashkëpunim edhe me patriotë të tjerë Mid’hat Frashëri ideoi dhe filloi nga puna për krijimin e frontit të rezistencës kundër pushtuesve italianë. Ky front do të mblidhte në gjirin e vet ajkën e patriotizmit, atdhetarët dhe inteligjencën shqiptare, lidhjen gjenetike me familjen kombëtare të Frashëllinjve, kjo përbërje më pas u quajt: “Organizata Balli Kombëtar”. Trakti i parë i hedhur nga fronti i rezistencës në ditët e fundit të prillit 1939, i cili titullohej “Nacionalizma Shqiptare” në tetë pikat e saj shprehte se shqiptarët nuk do t’i reshtnin për asnjë moment përpjekjet e tyre për të çliruar atdheun nga okupatori dhe do të ndërtonin më pas një shoqëri demokratike sipas modeleve të Europës së qytetëruar. Të ruajë kufijtë e saj etnikë, të mbledhë në një ATDHE djemtë e saj, Nacionalizmi Shqiptar dëshiron që parimet e saj të jenë patriotike dhe mundohet që ato ta shtojnë e ta forcojnë këtë patriotizëm. Të njëjtat ide të “Nacionalizmës Shqiptare” u përcollën më pas tek “DEKALOGU” i Ballit Kombëtar, në vitin 1942. Ky atdhetar në pikat e para të “DEKALOGUT” do të hidhte me penën dhe mendjen e tij se luftojmë për flamurin kuq e zi, për mbrojtjen e të drejtave të popullit Shqiptar, luftojmë për një Shqipëri të lirë, etnike, demokratike, me bazë shoqërore dhe moderne, luftojmë për një Shqipëri, ku do të mbretërojë liria e fjalës dhe e mendimit. Si “Nacionalizma Shqiptare” ashtu edhe “Dekalogu” përcaktuan rrugën dhe përbënë veprim për krejt nacionalizmin dhe kombin shqiptar. Ky nacionalizëm u shfaq si marrëdhënie vëllezërish me të gjithë shqiptarët. Mukja, 2 gushti i vitit 1943, nuk mund të vinte rastësisht, ajo vinte nga fryma e bashkimit të shqiptarëve qysh nga Kuvendi i Lezhës dhe Lidhjes se Prizrenit. Edhe në këto momente të vështira i biri i Abdyl Frashërit, Mid’hat Frashëri e pa plotësisht të arsyeshëm bashkëpunimin me komunistët duke kërkuar bashkimin si një trup i vetëm në luftën kundër okupatorit dhe më pas vendosjen e pluralizmit politikë në Shqipëri. Mid’hat Frashëri u përpoq me të gjitha format edhe pas prishjes së kësaj marrëveshje nga sllavo-komunistët që në Shqipëri të mos ndodhte gjakderdhje, por kjo ishte e pamundur. Sidoqoftë, rrjedha e ngjarjeve të luftës së dytë botërore kishin përcaktuar në një farë mënyre fatin e Shqiptarëve. Triumfi i të ashtuquajturit internacionalizëm proletar ishte në krahun e kundërt të nacionalizmit të kulluar shqiptar dhe kjo ka qenë arsyeja, që për t’i shpëtuar barbarizmës komuniste, Mid’hat Frashëri së bashku me dhjetëra nacionalistë të tjerë morën rrugën e hidhur të mërgimit. Në 28 nëntorin e parë në mërgim, Mid’hat Frashëri i mbledh shqiptarët në Gruma të Italisë dhe iu tha, “Nga lind dielli gjendet Shqipëria, drejtoni sytë e trupin dhe shpirtin nga atdheu i robëruar”. Në Itali, Francë dhe SHBA, zemra e Mid’hat Frashërit, rrahu me të njëjtin shqetësim për çështjen shqiptare. Më 26 gusht të vitit 1949 zgjidhet në krye të Komitetit “Shqipëria e Lirë” duke dashur të ndikojë sa më shumë në kancelaritë e vendeve demokratike, për të shembur një orë e më parë, telat me gjemba pas të cilave, komunistët e Tiranës dhe ata të Beogradit gjakosnin mijëra shqiptarë.
Dikush e pyeti në mërgim: “Po emri juaj?” Ai i përgjigjet: “Djalë shqiptar, djalë shqiptar, biri im”, dhe kështu mbeti deri në fund të jetës, shqiptar i vërtetë. Mid’hat Frashëri, deri në momentin e fundit të jetës ka qenë dhe mbetet shërbëtori më besnik i Kombit Shqiptar. Dy periudha me rëndësi në vazhdimin e historisë Shqiptare patën protagonistë, atë e bir, Abdylin dhe Mid’hat Frashërin. Babait të tij i caktoi historia për të përmbajtur me fuqi Shqipërinë e katër vilajeteve, Mid’hat Frashëri i vuri detyrë vetes e shokëve të fitonin Shqipërinë e humbur, Shqipërinë etnike, Shqipërinë e bashkuar dhe të vëllazëruar, por kjo nuk u realizua sa ai ishte gjallë, zemra e të cilit lëndohej tek shikonte se si vuante atdheu i tij nga murtaja komuniste. Ishte dhe mbeti deri në fund kundërshtar potencial i komunizmit, që u importua në vendin tonë. Rrallëherë paraqet rasti të nderojmë një personalitet me përmasa të mëdha kombëtare si figura e Mid’hat Abdyl Frashërit. Vetëm vdekja e shkëputi Mid’hat Frashërin nga detyrat e veta të familjes kombëtare të Frashërllinjëve. Kjo shënoi një humbje për ardhmërinë e Shqiptarëve. Jeta dhe vepra e tij, tërë ajo ç’ka Mid’hat Frashëri pati bërë për Shqipërinë ka merituar pa dyshim një përcjellje tjetër të këtij burri të shquar të Frashërllinjve, kemi kërkuar dhe presim që ky 100-vjetor ta gjejë plotësisht të rehabilituar figurën e tij dhe të jetë i vendosur me bustin e tij, përfundimisht në krah të babait të tij Abdyl Frashërit, xhaxhallarëve Sami dhe Naim Frashëri.
Ai lindi në vitin 1880 në Janinë brenda kufijve të Shqipërisë etnike dhe mbylli sytë shumë larg atdheut në Amerikën e largët. Shërbestari i Shqipërisë, besonte me devocion fetar se: “Dita e Shqiptarëve” do të vijë! Dhe ato po vijnë Pavarësia e Kosovës, ftesa e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, rruga e Shqipërisë drejt Europës së Bashkuar, janë pjesë e realizimit të ëndrrës, amanetit të Mid’hat Abdyl Frashërit. Komuna Frashër, Bashkia Përmet kanë bërë aktin më madhor dhe njerëzor me titullin e dhënë nder i Komunës Frashër dhe nder i Bashkisë Përmet. Këto procese kanë hapur rrugën e pajtimit kombëtar, kanë bashkuar familjen tonë kombëtare, kanë bashkuar babë e bir pra, Abdyl dhe Mid’hat Frashërin, të cilët historia komuniste i bëri të ndarë, që komunizmi e përbalti padrejtësisht, e shpalli armik, e la në harresë, e diskriminoi padrejtësisht. Ata sot nuk janë më të ndarë prandaj le të shërbejë ky vendim i Komunës Frashër dhe Bashkisë Përmet si proces i fillimit të pajtimit kombëtar për të gjithë shqiptarët, vetëm në këtë mënyrë Shqiptarët do t`i japin dorën njëri-tjetrit, të pajtohen të harrojnë mëritë dhe të shohin njëri-tjetrin si vëllezër. Të zhvillojnë tolerancën, mirëkuptimin dhe dashurinë ndaj njëri-tjetrit. Këtej e tutje të shohim vetëm përpara dhe të bëhemi të ndërgjegjshëm se Europa e Bashkuar nuk mund të pranojë në gjirin e saj kombe të përçarë, në mëri, në grindje në kushte të ushtrimit të terrorit psikologjik e fizik midis tyre. Të kultivojmë tek fëmijët tanë traditat më të mira të paraardhësve tanë si atdhedashurinë, besën, nderin, trimërinë etj., virtyte të njohura të popullit tonë dhe me vlera universale. Kjo ishte edhe fryma e Shërbestarit të Kombit Shqiptar, Mid’hat Frashërit.
* Kryetar i Partisë Balli Kombëtar

Biografi e Mid’hat Frashërit

Mid’hat Frashëri u lind në Janinë më 25 mars 1880. Fëmijërinë do ta kalonte me prindërit, të cilët e edukuan më ndjenja atdhetare. Në mënyrë të veçantë i ati, Abdyli, do t’i qëndronte pranë të birit, por kur Porta e Lartë e arreston këtë si udhëheqësi kryesor i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Mid’hati do të rritej nën ndikimin e dy xhaxhallarëve të tij Samiut dhe Naimit. Mësimet deri në gjimnaz i merr në Janinë dhe Stamboll. Fillon të shkruajë qysh herët dhe në vitet 1906-1907 boton në gjuhën shqipe artikuj rreth pavarësisë kombëtare shqiptare. Falë ndikimit të Sami Frashërit, Porta e Lartë e emëron në vitin 1908 si përfaqësues të Ministrisë së Jashtme në Selanik. Një vit më vonë më 1909 po në Selanik emërohet dekan i trupit diplomatik, nga qeveria turke. Në vitet 1908-1910, boton në Selanik gazetën në gjuhën Shqipe “Liria” duke e shndërruar këtë në tribunë të lëvizjes kombëtare. Në Kongresin e Shkronjave në Manastir, më 1908 Mid’hat Frashëri unanimisht zgjidhet kryetar i këtij kongresi. Pjesëmarrës direkt në lëvizjen autonomiste shqiptare, ai do të merrte pjesë në Kuvendin Historik të Vlorës, më 28 nëntor 1912 si përfaqësues i Kosovës, Gjirokastrës dhe Përmetit. Zgjidhet në kabinetin e Ismail Qemalit në funksionin e Ministrit të Punëve Botore. Jep dorëheqjen 6 muaj më pas. Në vitet 1913-1917 ndërmerr disa udhëtime në Turqi, Greqi, Bullgari, Kosovë, Zvicër, Itali dhe Francë. I kushtohet tërësisht çështjes shqiptare dhe në mënyrë të veçantë shkencës së albanologjisë. Shkruan në disa gazeta të Europës, si dhe mban shënime udhëtimi për t’i shkruar më vonë. Në vitin 1919 zgjidhet nga qeveria shqiptare e kohës si kryetari i delegacionit që do të përfaqësonte këtë qeveri në Konferencën e Paqes, në Paris. Në vitet 1923-1926 emërohet në funksionin e Ministrit Fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë.
Jep një kontribut të shquar në mënyrë të veçantë për çështjen çame. Pas neglizhencës së qeverisë shqiptare lidhur me genocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, jep dorëheqje në gushtin e vitit 1926. Në vitet 1926 – 1939 i kushtohet tërësisht shkencës së albanologjisë. Hap në Tiranë librarinë, “Lumo Skëndo” dhe mban kontakte me albanologë të shquar europianë. Ka marrëdhënie dhe letër-këmbime gjithashtu me disa prej bibliotekave më me zë të Europës. Në fillim të viteve ‘20, shkon në Amerikë ku zgjidhet kryetar i shoqërisë “Vatra”, por shumë shpejt kthehet në atdhe. Më 1929, në prani të noterit, kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe përfaqësuesve të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, i dhuron bibliotekës kombëtare rreth 24 mijë libra të bibliotekës personale. Në prill të vitit 1939, dy javë pas pushtimit të vendit tonë nga Italia formon së bashku me patriotë të tjerë organizatën e Ballit Kombëtar. Ky front do të mblidhte në gjirin e vetë ajkën e patriotizmit, atdhetarët dhe inteligjencën shqiptare, lidhjen gjenetike me familjen e Frashërllinjve, kjo përbërje më pas u quajt: “Organizata Balli Kombëtar”. Ideja qendrore e kësaj organizate ka qenë padyshim lufta kundër okupatorit. Pavarësisht prej situatave të turbullta që kalonte Shqipëria në vitet 1939-1944, Mid’hat Frashëri do të qëndronte në krye të Ballit Kombëtar, i prirur të bashkëpunonte edhe me forcat e tjera politike shqiptare (Konferenca e Mukjes 1-3 gusht 1943) që të shuante luftën vëllavrasëse, të krijonte imazhin e një shteti demokratik sipas modeleve perëndimorë.
Ishte dhe mbeti deri në fund armik potencial i komunizmit që po importohej në vendin tonë. Në Kongresin e parë të “Ballit Kombëtar” më 1 janar 1944, Mid’hat Frashëri zgjidhet kryetar i Ballit Kombëtar. Në nëntorin e vitit 1944, për shkak të instalimit të diktaturës komuniste së bashku më dhjetëra nacionalistë të tjerë merr rrugën e mërgimit.
Qëndron për disa kohë në Itali, duke mos e ndalur veprimtarinë antikomuniste, Mid’hat Frashëri së bashku me patriotë të tjerë krijoi në mërgim më 26 gusht 1949, Komitetin Kombëtar Shqipëria e Lirë, i cili kishte për mision të ndihmonte shqiptarët me çdo mjet, në largimin e qeverisë komuniste, si dhe të vazhdonin përpjekjet në shërbim të mbrojtjes së çështjes kombëtare shqiptare. Ndërron jetë në New York nga një atak në zemër në 3 tetor 1949. Në arkivin tonë shtetëror ndodhen mijëra faqe dhe dokumente që dëshmojnë veprimtarinë atdhetare, patriotike të Mid’hat Frashërit.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk