Bekim Fehmiu:E gjeti udhën e kthimit në Itakë, por s'e gjeti dot rrugën e kthimit në Kosovë



Bekim Fehmiu, pa dyshim aktori deri më tash më i famshëm shqiptar, që në vitin 1968, në kohën kur luante rolin e Uliksit në filmin me po  të njëjtin emër, mblidhte rreth ekraneve të RAI-s (Radiotelevizionit Italian) jo më pak se 16.6 milionë shikues (wikipedia gjermanisht, "Die Odyssee"), iu kthye Penelopës që e priste në Itakë, por s'iu kthye dot Kosovës që e donte, sikur s'dinte t’ia shprehte dashurinë.
Edhe ai e donte shumë Kosovën sa Uliksi Penelopën, aq sa për dashurinë e tij të madhe sakrifikoi edhe dashurinë e tij profesionale të quajtur skenë, aktrim. Në vitin 1987, në vitet e furtunës millosheviqiane kundër Kosovës dhe shqiptarëve, aktori i famshëm i teatrit dhe i filmit, i pari aktor nga hapësirat e ish-Jugosllavisë që kishte depërtuar në Hollywud, Bekim Fehmiu, në shenjë proteste ndaj padrejtësive që i bëheshin popullit të tij la skenën e filmit e teatrit për t'u mbyllur në vete si i ngujuari në Kullën e Ngujimit, si i vetëdënuari që e kishte dashur aq shumë Atdheun e Atdheu atë - një dashuri memecësh e shprehur, por e pathënë.
Pritej dikur se Bekim Fehmiu do ta luante rolin e Hamletit në skenën e Teatrit Popullor të Prishtinës, por nuk u bë. Bekimi nuk donte që rolet t'i bënte shpejt e shpejt siç i kërkohej. Ai s'e deklamonte dot as poezinë  pa u përgatitur, siç evokon Agim Vinca në shkrimin e tij "Sarajevë 1985. Një kujtim dhe një peng. Homazh për Bekim Fehmiun (1936 - 2010):
"Kur po bëheshim gati të niseshim, Bekimi tha se nuk do të vinte në drekë dhe, duke i kërkuar falje mikpritësit, shtoi se do të shkonte në hotel për t’u përgatitur për në mbrëmje. Dikush nga ne, që ishte pak më afër me botën e filmit dhe të teatrit, qeshi paksa me ironi në kuptimin: “Ç’përgatitje do të bësh ti, një aktor kaq me përvojë, për t’i recituar dy a tri poezi?!.
(...)
Poezitë e poetëve tanë atë natë tingëlluan po aq bukur serbokroatisht (alias boshnjakisht) sa edhe shqip, në mos edhe më bukur. Falë Bekimit. Zëri i tij i fuqishëm dhe qëndrimi dinjitoz impononin respekt, kurse figura e tij rrezatonte respektin për skenën, artin, publikun, por edhe për veten".
Por, Bekimi s'u ngjit dot në skenën e  teatrove shqiptare, ai s'arriti ta luante dot as rolin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, për të cilin ëndërronte dhe për të cilin kishte biseduar me regjisorë dhe aktorë shqiptarë me rastin e vizitës së tij në Republikën e Shqipërisë më 1972, nuk arriti as të deklamonte poezinë shqipe në "Sallën e Kuqe" të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, siç shpresonte Agim Vinca, por arriti, pas shumë vjetësh, falë organizimit "Dua më shumë Shqipërinë" ( të Vera Grabockës dhe të Ardit Gjebresë, të deklamojë vargjet e Nolit aq të dashura për të:
“O Flamur gjak, o Flamur shkabë,/ O vënt’ e vatr’ o nën’ e babë,/ Lagur me lot, djegur me flagë,/ Flamur i kuq, Flamur i zi!" (shih http://www.youtube.com/watch?v=T8Q7t-xj2IU)
Këto ishin vargjet e tij të vetme të deklamuara në një skenë shqiptare, pranë bardit të këngës e të moderimit shqiptar - Ardit Gjebresë, i cili bashkë me Vera Grabockën na e shpëtuan edhe një ikonë të artit nga errësira e harresës - Nexhmije Pagarushën.
Ishim në pritje të shfaqjes së tij në Kosovë, ishim në pritje të shkrepjes së meteorit që po shuhej afër dhe larg vendit të tij, por ai "humbi si një pasuri në heshtje". Titullohej pikërisht kështu ekspozita për nder të jetës dhe veprës së Bekim Fehmiut, organizuar në qytetin e tij të rritjes në Prizren dhe në qytete të tjera të Kosovës, por edhe në qytetin e tij të familjes e të punës në Beograd. Një kujtim i vogël për udhëtimin e madh jetësor të Uliksit që iu kthye Itakës, por s'iu kthye dot Kosovës.
Do të ishte mirë sikur njerëz që kanë zanat organizimin e manifestimeve të kujdeseshin për atë që nëpërmes ekspozitës "Humbi si një pasuri në heshtje" ta kthenin Uliksin në fillimin e udhëtimit të tij në Itali, atje ku dikur e shikonin me dhjetëra miliona shikues, ta sillnin edhe kah Tiçinoja e t'ia bënin një nder atij dhe Aleksandër Mojsiut...

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk