Orhan Pamuk vlerësohet me Legjionin e Nderit
Shkrimtari turk, Orhan Pamuk, që është fitues i Çmimit Nobel
për Letërsi në vitin 2006, është dekoruar me Legjionin e Nderit, që është
mirënjohja më e lartë franceze. “Përkundër të gjitha mirënjohjeve zyrtare, ai
mbetet një shkrimtar i avangardës dhe një rinovues i përhershëm”, theksoi
ministrja franceze e Kulturës, Aurelie Filippetti, gjatë pritjes së shkrimtarit
veprat e të cilit janë shitur në më shumë se 11 milionë ekzemplarë. “Liria e
stilit tuaj përputhet në mënyrë të përkryer me liritë e njeriut... Ju, që kurrë
nuk kishit mëdyshje, qoftë edhe atëherë kur rrezikonit të mbeteshit i vetmuar,
për t’u ngritur kundër harresës dhe heshtjes historike”, shtoi ajo. Pamuk (60)
është një ndër intelektualët e pakët turq që në vitin 2005 pranuan ekzistimin e
gjenocidit turk ndaj armenëve. Është përndjekur disa herë nga gjykatat e
Turqisë, e pas shpërnguljes në SHBA, në vitin 2007 - ku jeton edhe sot -
ekstremistët turq e kërcënuan me vdekje. Veprat e tij janë ndër më të shiturat
në botë, dhe janë përkthyer në mbi 60 gjuhë botërore. Në vitin 2006 u bë
shkrimtari i parë turk që fitoi Çmimin Nobel për Letërsi. Shumë romane të tij
tashmë cilësohen vepra klasike, si “Shtëpia e Qetë”, “Quhem e Kuqe”, “Libri i
Zi”, “Ngjyrat e Tjera” dhe “Bora” - për të cilin në vitin 2005 fitoi çmimin
Medici në kategorinë e letërsisë së huaj – “Muzeu i Çiltërsisë”. etj.
Comments
Post a Comment