Kadare në "New York Daily News": Shekulli ynë më i rëndësishëm e më dramatik

Intervistë e gazetës "New York Daily News" me shkrimtarin Ismail Kadare: Kombi shqiptar, ka jo një, por dy shtete në Ballkan, Shqipërinë dhe Kosovën… si përgjigje të dyfishtë që ka ky komb për vendosjen e harmonisë dhe paqes në gadishull

Nominimi për Çmimin Nobel për Letërsi ishte një prej të shumtëve, si e shihni këtë proces?
Mendoj se nominimi për çmimin "Nobel", qoftë edhe i përsëritur, është një kënaqësi për çdo shkrimtar. Ndërkaq, dihet se të gjithë të nominuarit humbin (nuk fitojnë), me përjashtim të fitimtarit. Megjithatë kjo nuk përbën ndonjë arsye për t'u mërzitur.
A ka ndryshuar ndjesia juaj ndaj kandidimit, nga i pari deri te ai i tanishmi?
Kjo varet nga rasti. Për shembull, unë kam qenë kandidat për herë të parë në kohën kur vendi im, Shqipëria, ka qenë jo vetëm një vend komunist, por një vend stalinist, më i ashpri në Europë. Dihej se në një vend të tillë ky çmim nuk do të pranohej kurrsesi. Kështu që gëzimi im ka qenë i përzier me shqetësimin e refuzimit të detyruar.
Çfarë mund të ndodhte?
Më 1958, kur shkrimtari rus-sovjetik Pastërnak, fitoi çmimin "Nobel", kundër tij shpërtheu një fushatë armiqësore në Bashkimin Sovjetik. Kam qenë student për letërsi në Moskë në atë kohë. Instituti ynë merrte pjesë në fushatë. Ditën studentët dilnin në miting kundër Pastërnakut, kurse natën ëndërronin "fatin" e tij. (Domethënë ta fitonin atë çmim "borgjez", pastaj të bëhej ç'të bëhej.) Pastërnaku u kërcënua nga shteti: në qoftë se nuk e refuzonte çmimin, do të dëbohej nga vendi i tij. Kurse po të ndodhte kjo në Shqipëri, nuk do të kishte dëbim, por shumë më keq: burg ose pushkatim. Këtë ngjarje e kam përshkruar në njërin nga romanet e mia të hershme, që titullohet: "Muzgu i perëndive të stepës".
Duke parë librat tuaj të shumtë duket se Shqipëria ka qenë burimi juaj i frymëzimit për shumë dhjetëvjeçarë por në kontekste të ndryshme…
Kështu thuhet zakonisht, por mendoj se kjo nuk është fort e saktë. Subjektet e veprave të mia kanë të bëjnë me një pjesë të madhe të globit tokësor: nga piramidat e Egjiptit te muri kinez. Kjo nuk është ndonjë veçanti e imja. Një pjesë e shkrimtarëve nuk e njohin kufizimin gjeografik apo historik. Letërsia e ka përmasën globale në natyrën e vet. Pavarësisht nga koha apo vendi ku prodhohet, ajo synon aty për aty gjithë botën dhe gjithë kohërat. Me fjalë të tjera, mund të thuhet se kur një popull arrin të krijojë letërsi ose art të çmuar, ai nuk e shfrytëzon për vete, siç bën me pasuritë e tjera, ta zëmë naftën (më falni për krahasimin), por ia fal si dhuratë gjithë njerëzimit. Mendoj se kjo është një nga veçantitë më të mrekullueshme të artit. Falë kësaj mrekullie, Shekspiri, për shembull, i përket po aq Anglisë e gjuhës angleze, sa gjithë botës. E kështu me radhë, gjithë gjenitë e njerëzimit.
Kush apo çfarë ju ka influencuar më së shumti në formimin tuaj letrar?
Ndikimet e mia më të ndjeshme kanë qenë nga ai që mund të quhet "krahu i zymtë i letërsisë botërore" (Dante, Shekspiri, Kafka). Pastaj nga pjesa antike e saj, kryesisht tragjedisë greke, dhe, pa dyshim, nga tradita shqiptaro-ballkanike.
Çfarë mendoni për festën e 100-vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë?
Në 100 Vjetorin e Pavarësisë së shtetit të tyre, shqiptarët mund të thonë se ky ka qenë shekulli më i rëndësishëm e njëherësh më dramatiku në historinë e tyre. Shkëputja nga Perandoria Osmane, dalja nga komunizmi dhe rikthimi në kontinentin mëmë, Europën, mund të përcaktohen si tri ngjarjet themelore të këtij kombi.
Të gjitha këto ndodhën brenda këtyre 100 viteve. Dhe mendoj se nuk janë pak.
Si e gjen ky përvjetor sot kombin shqiptar?
Gadishulli i Ballkanit, në të cilin bën pjesë Shqipëria, njihet sot si një nga zonat më të shqetësuara të Europës. Ndonëse pranohet njëzëri si zanafilla antike e qytetërimit europian, kjo biografi e fisme nuk e ka shpëtuar dot nga cilësimi si gadishull problematik, me të cilin Europa e Bashkuar ka vite që detyrohet të merret. Është një gjë pozitive, që të gjithë popujt e gadishullit kanë një synim të përbashkët: hyrjen në Europë. Mirëpo kjo dëshirë bashkuese, nuk mjafton, për fat të keq që ata ta kapërcejnë përçarjen e tyre proverbiale. Kam pasur rastin të theksoj se janë tre popuj në Ballkan prej të cilëve varen shumë gjëra: grekët, shqiptarët dhe serbët. Janë fqinjë shekullorë, ndonëse identitetet, gjuhët, madje alfabetet i kanë krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Megjithatë, kjo nuk përbën asnjë arsye që të përligjë mungesën e harmonisë midis tyre. E thashë këtë për të ardhur te mendimi se, në qoftë se nga këto tre kombe, njëri prej tyre, kombi shqiptar, ka jo një, por dy shtete në Ballkan, Shqipërinë dhe Kosovën, e shoh këtë faktor si përgjigje të dyfishtë që ka ky komb për vendosjen e harmonisë dhe paqes në gadishull.
Qëkur veprat tuaja u përkthyen së pari në frëngjisht dhe pastaj në anglisht, ato kanë mbërthyer vëmendjen e elitës letrare si edhe atë të lexuesve të thjeshtë në mbarë botën. Çfarë konsideroni si më të rëndësishmen në këtë sukses tuajin?
Përkthimi dhe vlerësimi i veprës sime në Perëndim, në fillim të vitit 1970, ka qenë ngjarja më e befasishme dhe unikale në jetën time si shkrimtar. Ndoshta këto fjalë duken të tepruara, por unë do t'jua shpjegoj përse. Ky ishte një paradoks për një shkrimtar të njohur të një vendi stalinist, shteti më antiperëndimor i Europës, nga të gjitha pikëpamjet. Pyetja "përse?" do të bëhej nga të gjithë, e në radhë të parë nga vetë Shqipëria komuniste. Përse na e pëlqejnë këtë shkrimtar armiqtë tanë? Pyetja do të bëhej në një tjetër sens nga njerëzit liberalë në Shqipëri, nga lexuesit perëndimorë, nga unë vetë.
Nuk isha përfaqësues i ndonjë lëvizjeje kundër regjimit (një gjë e tillë as që përfytyrohej në Shqipëri), as disident i shpallur, i burgosur etj. Isha thjesht një shkrimtar. Nga ky botim dhe nga ky vlerësim në Perëndim, kisha bërë një zbulim të madh: mundësitë e mrekullueshme të letërsisë. Duke qenë në një vend që konsiderohej si një burg i madh, kisha shkruar letërsi që pëlqehej, që çmohej në botën e lirë. Shkurt, kisha bërë letërsinë që duhej. Kisha hyrë në klubin e letrave europiane. Me fjalë të tjera, kisha ndërruar kohë: nga koha e rendit stalinist kisha hyrë në kohën universale të artit. Ishte sikur të kapje të ardhmen, ta prekje, të jetoje në të.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk