Saimir Pirgu: Shqipërisë i duhemi të gjithë
Arena festive e 100-vjetorit
të Pavarësisë, ka pushtuar mbarë popullin shqiptar. Por prania e artistëve, që
kanë nderuar shqiptarët anë e mban botës, nuk kishte si të mungonte në këto ditë
të shënuara për ne. “Rrugëtimi i Kombit” është koncerti, që ka mbledhur emrat më
të suksesshëm shqiptarë nëpër botë, për t’i ngjitur në arenën e “Pallatit të
Kongreseve”. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe të mungonte tenori me famë
botërore Saimir Pirgu. Në një intervistë Saimir Pirgu, pak orë
para koncertit rrëfeu ardhjen e tij në këtë ditë të veçantë për të gjithë
shqiptarët, lidhjen e tij me Shqipërinë si dhe dy ariet e kënduara nga i madhi
Gaqo Çako. Më tej gjatë intervistës, Pirgu tregon dhe projektet që do ta
ndjekin në vazhdim. “Pa diskutim që agjenda e koncerteve është mbyllur me kohë,
për të mos thënë deri më 2016-ën. Viti 2013 është viti “Verdian” dhe do të jem
në arenën e Veronës, por do ta nis me operën e Zyrihut, më pas do të jem në “Metropolitan
Opera” në Nju Jork, ku do të jem sërish në skenë me “Traviatën”. Interesante do
të jetë që tenori i madh botëror Placido Domingo, do të interpretojë “babain”
tim”, - shprehet Pirgu. E më pas projektet e tij vazhdojnë me të tjera
kryevepra si “Rigoleto” në “Royal Opera House Covent Garden” në Londër dhe
Zvicër, “L’Elisire d’Amoure” në Vjenë, “Makbeth” në Firence, “Bohem” në Washington,
“Don Giovanni” në Moskë, etj.
Riktheheni në skenën e Pallatit të Kongreseve në
kuadër të Koncertit Jubilar “Rrugëtimi i Kombit”. Si ndjeheni duke ditur që
kryesoni artistët më të mirë shqiptarë të ardhur në Tiranë për 100-vjetorin e
Pavarësisë?
Është një emocion tepër i
madh për mua, që jam pjesëmarrës në këtë koncert. Gjatë një bisede që bëra një
natë para këtij koncerti dhe me nënën time, po i tregoja asaj që jam shumë i
kënaqur, sepse jam krenar që ky 100-vjetor i shpalljes së Pavarësisë më
përfshin edhe mua, sepse është një vit shumë i rëndësishëm 2012. Nuk kishte si
të ndodhte ndryshe, ku me të gjithë impenjimet e mia të mos isha në Shqipëri. Kam
lënë provat që po zhvilloja dhe kam marrë një kolegun tim, i cili më ka
zëvendësuar atje, pasi sot dhe nesër do jem në atdheun tim, vendlindjen time që
më ka rritur dhe ndjekur nga pas.
Mund ta cilësojmë ardhjen tuaj në Tiranë si një dhuratë
për 100-vjetor?
Ardhja ime në Tiranë është
një impenjim, Shqipërisë i duhet Saimiri, Inva, Ermonela, i duhen të gjithë
shqiptarët, dhe në qoftë se ne sot nuk do të ishim këtu, do të ishte sikur t’i
mungonte një brinjë Shqipërisë. Ne duhet të shpresojmë që ka ardhur koha jonë,
ka ardhur koha e shqiptarëve dhe të bëhemi pjesë e asaj Evrope, që ne i kemi
munguar prej shumë vitesh.
Dy këngë të të madhit Gaqo Çako do të vijën përmes zërit
tuaj në koncertin “Rrugëtimi i kombit”...dy këngë që ju kanë shoqëruar gjatë fëmijërisë
tuaj?
Është një përgjegjësi kaq e
madhe, pasi janë kënduar kaq bukur nga i madhi Gaqo Çako. Ardhja jonë e
furishme brenda kësaj dite, besoj se do të më emocionojnë kur t’i prezantoj për
publikun shqiptar. Inva Mula këtë herë ishte dhe drejtore artistike në këtë
koncert dhe ajo kishte menduar që këto arie do të ishin gjëja më e bukur që unë
do të këndoja, “Fjalët e qiririt” dhe “Dua më shumë Shqipërinë”. Një prej tyre
është dhe një duet me sopranon Inva Mula. Unë jam rritur me këto këngë dhe
është një përgjegjësi shumë e madhe, ato janë kënduar aq bukur nga i madhi Gaqo
Çako, dhe kam jo pak emocione.
Para dy vitesh sollët një surprizë të bukur për të
gjithë artdashësit, një koncert recital. Keni ndonjë projekt që do t’iu rikthejë
sërish në skenën shqiptare pas Jubileut?
Ardhja ime në 2010 me një
koncert recital, ka qenë një ndër momentet e bukura të karrierës dhe sukseseve
të mija. Pavarësisht angazhimeve të shumta që kam, nuk e kam braktisur kurrë Shqipërinë
që më rriti. Shpresoj që vitin që vjen të bëj gati surprizën për publikun
shqiptar, një projekt artistik në Shqipëri.
Cilat janë projektet që do t’iu ndjekin në vazhdim pas
largimit nga Tirana?
Është një emocion i madh të
jem prezent përkrah artistëve dhe shqiptarëve në këtë ditë të shënuar. Pas
Tiranës, do t’i kthehem projekteve që kam lënë në mes siç është ai operas,
“Traviata” në Napoli të Italisë. Pas shumë përpjekjesh është vendosur që ky produksion
të transmetohet “live” në televizione si Rai dhe Mediaset. Shpresoj të jetë një
tjetër surprizë, që do më ndjekë gjatë këtyre ditëve.
Jemi në prag të festave të fundvitit, por besoj se agjenda
juaj prej kohësh është bërë gati për vitin 2013-të?
Pa diskutim që agjenda e
koncerteve është mbyllur me kohë, për të mos thënë deri më 2016-ën. Viti 2013
është viti “Verdian” dhe do të jem në arenën e Veronës, por do ta nis me operën
e Zyrihut, më pas do të jem në “Metropolitan Opera” në Nju Jork, ku do të jem
sërish në skenë me “Traviatën”. Interesante do të jetë, që tenori i madh
botëror Placido Domingo, do të interpretojë “babain” tim. Më vonë do të nis
punën për kryeveprat si “Rigoleto” në “Royal Opera House Covent Garden” në
Londër dhe Zvicër, “L’Elisire d’Amoure” në Vjenë, “Makbeth” në Firence, “Bohem”
në Washington, “Don Giovanni” në Moskë, etj.
Veprimtaria
Zanafilla dhe karriera e tij e suksesshme
Saimir Pirgu, 28 vjeçari shqiptar
me origjinë nga Elbasani është sot një nga tenorët më të njohur e më të kërkuar
të skenës operistike ndërkombëtare. Me një ritëm prej enfant prodige, ai i
përfundon në vitin 2003, në Konservatorin e Bolzanos, në Itali, studimet e
nisura në moshën 6 vjeçare në qytetin e lindjes. Në Itali e ka zanafillën edhe
karriera e tij profesionale. Po këtu, në 2004-ën, Saimir Pirgu debuton si
profesionist, në moshën rekord 22 vjeçare, në rolin e Ferrandos, në operan
moxartiane “Così fan tutte” të drejtuar nga maestro i madh italian Claudio
Abbado. Që atëherë karriera e tij, e vlerësuar me çmime prestigjioze
ndërkombëtare, ka shënuar vetëm rritje të shpejtë dhe suksese të njëpasnjëshme.
I vlerësuar nga Pavarotti si një nga talentet më premtuese të lirikës botërore,
Pirgu debuton në Vjenë, në Berlin, në Salzburg, në Romë, në Londër, në Paris,
në New York e në Los Angeles, përkrah profesionistëve më të mëdhenj të skenës
ndërkombëtare.
Izaura Ndoj
Comments
Post a Comment