Suela Piciri: Një violinë për 100-vjetorin e Pavarësisë
Koncerti “Rrugëtimi i Kombit” ju ka rikthyer edhe ju,
mes artistëve shqiptarë. Si ndjeheni në këtë 100-vjetor të Pavarësisë?
Në radhë të parë jam shumë e
lumtur, që jam prezente në këtë koncert madhështor. Edhe sikur të mos ishte
koncerti, do të ishte ëndërr që të isha në vendin tim në këtë event Jubilar.
Prezenca ime është një dhuratë për vendin tim! Është një violinë më shumë për
100-vjetorin e Pavarësisë.
Cilat janë pjesët, që ju do të interpretoni në këtë
event?
Jemi tre koncermaestro që do
të luajmë me orkestrën, tre arie të ndryshme. E ndjej veten të përkëdhelur që
jam pjesë e koncertit “Rrugëtimi i Kombit”, pasi prej disa vitesh jam larguar
edhe unë nga skena shqiptare. Ashtu si unë janë të shumtë kolegët, që e
meritojnë të jenë prezent në këtë mbrëmje. Në pamundësi për të ardhur të gjithë
ato instrumentistë që kanë dhënë kontributin si brenda dhe jashtë vendit, jam
shumë e lumtur që jam pjesëmarrëse këtu.
Së fundm,i arritët një sukses në teatrin “La Scala”.
Ka qenë e vështirë arritja për të prekur këtë skenë?
Prej dy vitesh unë jetoj në
Itali, për arsye se jam martuar atje. Për këtë arsye vendosa të jetoj dhe të
eci përpara në këtë rrugë të mrekullueshme në Itali. Të them të vërtetën jam
nga artistët e fundit që ka ikur jashtë Shqipërisë, por pas arritjeve në
Shqipëri, më është dashur ta nis çdo gjë nga fillimi dhe me shumë punë. Pas një
përkushtimi të madh, jam bërë fituese e audicioneve në “La Scala”, në arenën e
Veronës dhe për momentin jam në orkestrën “Grand Teatro” në Venecia.
Pjesëmarrja juaj në këto audicione konsiderohet një
sfidë?
Ka ndodhur çdo gjë
rastësisht! Unë nuk e kam menduar kurrë largimin nga Shqipëria, por erdhi jeta
e atillë, që unë të ndryshoja çdo gjë nga fillimi. Nuk kam qenë fare e
përgatitur për suksese të mëdha dhe kjo ka qenë një arsye e fortë që unë të
“luftoja” me aftësitë e mija për të prekur këto arritje dhe vlerësime.
Cili është urimi juaj për 100-vjetorin e Pavarësisë?
Të gjitha fjalët, që mund të shpreh,
do të jenë shumë të vogla në krahasim me ndjenjën që kam.
Cilat janë projektet, që do t’iu ndjekin në vazhdim?
Për momentin jam në Venecia,
dhe prej disa kohësh jam bërë pjesë e orkestrës. Në fakt për Vit të Ri, do të
jem bashkë me tenorin Saimir Pirgu, i cili vjen për të performuar për koncertin,
që jepet direkt nga “Rai”. Më pas çdo gjë varet nga programi, që harton teatri.
Izaura Ndoj
Comments
Post a Comment