Vesa Luma: E dua shumë “Eurosongun”, dasmën nuk do ta tregoj
Çdo ditë e më shumë po mbledh
energji për t’u prezantuar sa më mirë në festivalin e RTSH-së. Këngëtarja Vesa
Luma ka realizuar një këngë mjaft të veçantë, me të cilën beson se do t’ia dalë
në këtë festival. Por Vesa është duke përgatitur edhe shumë befasi të tjera. Së
shpejti ajo do të shfaqë një projekt të madh televiziv, për të cilin thotë se i
ka munguar televizioneve tona. Ndërkaq lidhja me Big Bastën vazhdon t’i shkojë
për mrekulli. Në intervistën e dhënë dje Vesa Luma ka zbuluar më shumë rreth
pjesëmarrjes në RTSH, dhe projekteve të tjera.
Çfarë ju shtyu të merrni pjesë në festivalin e
RTSH-së?
U bë një kohë, që nuk kam
marrë pjesë në festivalin e RTSH-së, edhe pse ftesa ishte e përvitshme nga
organizatorët, të cilët i falënderoj për respektin. Ishte pikërisht ky momenti,
që realizuam një këngë shumë të bukur, apo një ndër këngët e mia më të bukura përsa
i përket shijes time dhe e ndieja veten 100% të sigurtë te kjo këngë, që është gjëja më e
rëndësishme për një artist para se të prezantohet në evenimente të kësaj
natyre, e sidomos në festivalin më të madh dhe më të rëndësishëm në vend.
Na flisni diçka për këngën pjesëmarrëse?
Kënga do të jetë ritmike, do
të jetë gjithçka në stilin tim dhe tingëllon shumë moderne dhe e fuqishme. Kjo
falë mjeshtrit të muzikës shqiptare, kompozitorit dhe producentit, fituesit të
festivalit të RTSH-së, Florent Boshnjakut, me të cilin bashkëpunoj prej vitesh
dhe me tekst të Big Bastës. Të gjithë mezi po presim të prezantojmë këtë këngë
tek publiku.
Çfarë pret Vesa nga konkurrimi në festival?
Ajo çka më tremb mua, por
mendoj edhe çdo artist, është si do të pritet kënga, por gjatë eksperiencës
sime me të gjitha këngët e mia, intuita asnjëherë nuk më ka zhgënjyer dhe
shpresoj të mos më zhgënjejë dhe tani. Vokalisht jam shumë e përgatitur, po
punojmë me bashkëpunëtorët e mi për të sjellë një performancë sa më të mirë dhe
shpresoj të na dalë ashtu siç e mendojmë.
Pret fitoren?
Mbase mund të tingëllojë e
tepruar me modesti, por sinqerisht e vetmja gjë që më preokupon në këto momente,
është që të kem një prezantim sa më dinjitoz, pastaj vet fakti që konkurron, do
të thotë që t’i mundohesh të japësh çdo gjë nga vetja që të vlerësohesh.
Ëndërroni të jeni pjesë e “Eurovision”?
Është një dëshirë që besoj se
çdo këngëtar shqiptar e ka. Nga biseda me kolegët që kanë qenë pjesëmarrës në
“Eurovision”, kam kuptuar që pavarësisht i sati renditesh, është eksperienca më
profesionale, që përjetohet dhe normalisht do të doja shumë ta përjetoja edhe
unë.
Çfarë je duke punuar aktualisht përveç pjesëmarrjes në
festival?
Aktualisht përveç koncerteve
të fundjavës, jam duke punuar në albumin tim më të ri, që do të dalë vitin
tjetër. Deri tani kemi realizuar 3 këngë, me të cilat jam shumë e kënaqur. Dua
shumë që ky album të më identifikojë mua 100%. Shijen time muzikore, atë që unë
bëj më së miri. Do të ketë shumë shpirt brenda, do të jenë edhe disa këngë në
gjuhën angleze. Ndërsa në janar do të sjell videoklipin e radhës.
Si po shkon lidhja me Big Bastën?
Shumë, shumë mirë, fejesa nuk
është se ka ndryshuar marrëdhëniet tona përveç se jemi lidhur akoma më shumë.
Keni vendosur për martesë?
Edhe po vendosëm të
martohemi, nuk do ta bëjmë publike, ashtu siç e kemi ruajtur lidhjen tonë.
Çfarë planesh ke për të ardhmen?
Përveç albumit, jam duke u
marrë gjithashtu me një projekt të madh televiziv, por duke qenë se bëhet për
herë të parë në Kosovë, do më duhet kohë dhe në anën tjetër unë jam shumë e
angazhuar me albumin. Kam një jetë midis Tiranës dhe Prishtinës, gjë që më
vështirëson të kryej punët në kohë. Por po mundohemi të sjellim një format
shumë interesant televiziv, meqenëse kohëve të fundit, mungojnë shumë emisionet
argëtuese në Kosovë.
Comments
Post a Comment