Kjo është shtepia ku lindi Goerge Orwell



Mbase s’ka mbetur kush pa dëgjuar për autorin e veprave “1984”, apo “Ferma e Kafshëve”, megjithëse në pyetjen se ku është i lindur Goerge Orwell pakkush e di përgjigjen e saktë. Orwell u lind në Motihari, në Indi. Atje ende qëndron shtëpia e tij e lindjes - e braktisur dhe gati e shkatërruar.
Babai i George Orwell - respektivisht i Eric Arthur Blair, ngase George Orwell ishte vetëm pseudonim i tij artistik, ishte një zyrtar i administratës koloniale britanike në Indi. Ishte i vendosur në Motihari, në krahinën indiane Bihar, një vend ky afër kufirit me Nepalin, për shkak se punë e tij ishte mbikëqyrja e tregtisë me opium. Eric u lind në vitin 1903, megjithëse nuk jetoi gjatë në Motihari, sepse vetëm një vit më vonë familja e tij u kthye në Angli. Megjithatë, atje ende ekziston shtëpia e tij e shkrimtarit të njohur botëror, e cila është në gjendje të mjerueshme. Shtëpisë njëkatëshe i është rrënuar pullazi, në oborrin e saj kullotin lopët e askujt, e disa familje kanë “uzurpuar” pronën në të cilën qeveria indiane planifikonte të hapte një zonë përkujtimore kushtuar shkrimtarit britanik – të lindur si indian. Atje duhej të themelohej një bibliotekë dhe një park përkujtimor, në të cilin do të mbaheshin manifestime kulturore. Por, vitet kalojnë pa ndodhur asgjë.
Debapriy Mukherjee është një ndërmarrës nga Motihari. Ai s'mundi më të rrinte duarkryq dhe të shikonte shkatërrimin e shtëpisë ku u lind Orwell. Inicioi një web-faqe, me qëllim të detyrimit të shërbimeve përgjegjëse indiane që – më në fund – ta rinovojnë shtëpinë. Për vetëm dhjetë ditë web-faqja u ‘bombardua’ nga porositë dhe deklaratat mbështetëse. Mukherjee e ka që qartë se krahina Bihar është ndër më të varfrat në Indi, por ndërkohë i janë lajmëruar shumë klube letrare dhe filantropë, që kanë premtuar ndihmë. Por, para së gjithash, Mukherjee pret që organet përgjegjëse indiane të përmbushin premtimin e dhënë kaherë. "Para shumë viteve qeveria premtoi se do të rinovojë shtëpinë, dhe se gjithë zonën përreth ta shndërrojë në një trashëgimi kulturore, ku do të vinin vizitorë nga e gjithë bota. Ekzistonte edhe ideja që të hapej një muze dhe të ngritej një përmendore. Por, tërë kjo doli të ishte vetëm një premtim bosh”, anohet indiani 56-vjeçar. Mirëpo, një mbështetje kaq e madhe nga bota dhe nga shoqata lokale jep shpresë se më në fund diçka do të mund të ndodhë. Në këtë beson edhe mësuesi lokal, Raj Thakur.
"Ndihmë kanë ofruar mbi njëmijë njerëz, vetëm nga Motihari. Kësaj radhe do ta nisim aksionin dhe do t’i lëvizim gjërat”, thotë ai.


I pyetur nga Deutsche Welle, zyrtari indian nga Ministria për Art e Kulturë, pohon se, e dinë “që shtëpia e Orwell nuk mirëmbahet si duhet, por ajo nuk do të harrohet gjatë. Kemi plane të mëdha, të cilat dëshirojmë t’i realizojmë. Punët do të nisin së shpejti”, sqaron ai. Pavarësisht këtij pohimi, në terren nuk vërehet asnjë lëvizje. Prateek Guha, nga Shoqata Kombëtare për Art e Trashëgimi Kulturore, tregon se- megjithë respektin për George Orwell – India po e neglizhon kujtimin edhe ndaj krijuesve të saj. "Nuk është këtu fjala vetëm për shtëpinë e Orwell. Shikoni shëtitët e artistëve tanë të njohur, apo zonat e mbrojtura kulturore. Gjithçka është lënë pas dore, dhe nuk po ndërmirret asnjë rinovim. Askujt s’i intereson kjo punë”, shprehet Guha. Sido që të jetë, aksioni i Debapriy Mukherjee ka bërë jehonë të madhe edhe në botë, kështu që mund të ndodhë që së shpejti të fillohet me renovimin e shtëpisë së lindjes së George Orwell. Por duhet pranuar se shtëpia e lindjes e George Orwell, ku ai jetoi vetëm një vit, nuk është as i vetmi objekt, e as e vetmja ngjarje e rëndësishme në Motihari. Është pikërisht kjo krahina ku Mahatma Gandi i pa kushtet e tmerrshme në të cilat jetonin kultivuesit indianë të indigos, dhe prej nga ai nisi kryengritjen e tij paqësore kundër pushtetit kolonial britanik, e cila rezultoi me pavarësimin e Indisë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk