Standardi i gjuhës shqipes në katër dekada
Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Shoqata e Gjuhës
Shqipe e Kosovës, ka hapur konferencën shkencore me rastin e 40 vjetorit të
Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i mbajtur për herë të parë në
Tiranë në vitin 1972. Organizatorët e konferencës, Isa Bajçinca, Shefkije
Islamaj dhe Hysen Matoshi, në ditën e parë të saj kanë shpërndarë mirënjohje
për Rexhep Qosjen, Idriz Ajetin dhe Ahmet Kelmendin si përfaqësues të asaj kohe
të Kosovës në Tiranë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi tha se kjo
trashëgimi e mirëfilltë është e rëndësishme për të ardhmen dhe mbrojtjen e
standardeve të gjuhës shqipe. Krasniqi ndër tjerash u shpreh ”Se gjuha shqipe
tashmë ka bërë dyzet vjet si gjuhë e standardizuar, kombi shqiptar në të gjithë
hapësirën e tij gjeografike, në shkollë e institucione përdor gjuhën shqipe të
standardizuar që nga viti 1972, i mundësuar nga kongresi i Manastirit në vitin
1908. Gjuha Shqipe është gjuhë e gjallë, jo vetëm në kuptimin se flitet nga
rreth 10 milionë shqiptar, por se ajo është edhe në zhvillim te përhershëm
dialektik” u shpreh Krasniqi.Të pranishëm të tjerë ishin gjuhëtar nga mbarë
trojet shqiptare, të cilët treguan
kujtimet e tyre se si kishin ndodhur organizimet e konferencave ndër vite, për
të standardizuar gjuhën shqipe. Njëri ndër delegatët e Kongresit të parë të
Drejtshkrimit, akademik Rexhep Qosja, si delegat i asaj kohe nga Kosova, tregoi
kujtimet e tij në takimet me gjuhëtaret e Shqipërisë në vitin 1972. “Standardet
e gjuhës shqipe kanë marrë rrugë nga konferenca e parë e mbajtur në vitin 1972
dhe gjer më tani ka ecur mjaftueshëm në transmetimin e saj në shkolla si gjuhë
e unisuar shqipe” tha akademik Qosja.
Kryetari i lidhjes së shkrimtarëve Adem Demaçi, pjesëmarrës
në konferencë, tha të mos kishte shumë vërejtje për standardin e shqipes, pos
atyre gabimeve gjuhësore që bëjnë mediat kosovare. Ndërkaq, profesori i gjuhës
shqipe Ahmet Kelmendi, duke kujtuar kohën si pjesëmarrës i konferencës
shkencorë në Tiranë, tha se ishin kohë të vështira dhe me ndikim nga politika
në atë kohë ”Politika e asaj kohe na bëri të jemi shqiptar e të mburremi sot”,
tha Kelmendi. Në këtë konference pjesëmarrës të tjerë ishin edhe: Jani Thomaj,
Thanas Feka, Vilma Proko, Sabri Fetiu, Anila Çepani, Bagzad Baliu, Naser Pajaziti
etj.
Ndërsa në ditën e dytë me referencat, konferencën gjuhësorë
e kanë nisur akademiku nga Shqipëria, Emil Lafe, me temën “Rëndësia historike
kombëtare dhe vlera kulturore e Kongresit të Drejtshkrimit”, i cili ndër të
tjera tha se kjo ngjarje e gjuhës i kujton atij kohën e dyzet viteve më parë: ”
Ne delegatët dhe pjesëmarrësit e tjerë të këtij kongresi na bën të ndjejmë
sërish përjetimin e asaj ngjarje të madhe, ishte java e nëntorit të vitit 1972,
ishte java e gjuhës shqipe dhe gjuhësisë shqipe” tha akademiku Lafe.
Ndërkaq si pjesëmarrës në këtë konference foli edhe Shefki
Sejdiu i cili prezantoi temën “Edhe diçka rreth gjuhës shqipe, gjuhës së
njësuar dhe gjuhës standarde kombëtare”. Pas tij me referencë u paraqit
studiuesi e shkrimtari Agim Vinca, i cili prezantoi temën “Gjuha standarde
shqipe dhe çintegruese” i cili përveç tjerash ka thënë se normimi i gjuhës
është një ndër të vetmet probleme që konsiderohet si problem i zgjidhur nga
shqiptarët: “Gjuha standarde shqipe është i vetmi problem që ne shqiptarët e
kemi zgjidhur deri më tani”, u shpreh Vinca. Konferenca dyditore ka përcjell
edhe tema të tjera me gjuhëtarë si: Haki Ymeri, Abdullah Zymberi, Murat Blaku
etj. Konferenca dy ditore është mbajtur për shënimin e katër dekadave të
normimit të gjuhës shqipe, dhe në kuadër të 100 vjetorit të shtetit shqiptar.
Comments
Post a Comment