Përrallat e vëllezërve Grimm, një histori e jashtëzakonshme suksesi



Ato titullohen 'Bukuroshja e fjetur' apo 'Mbreti bretkosë'. Rrëfejnë për mrekulli, të drejtën për lumturi dhe triumfin e së mirës. Përrallat e vëllezërve Grimm i bëjnë sytë e fëmijëve të shkëlqejnë dhe kanë fansa kudo.
„Na ishte njëherë një vajzë e vogël që mbante gjithnjë një kësulë të kuqe mbi kokë dhe për këtë e thërrisnin të gjithë Kësulëkuqja. Një ditë mamaja iu lut Kësulëkuqes t'i çonte gjyshes së saj një shportë me një ëmbëlsirë dhe një shishe verë. Gjyshja e Kësulëkuqes banonte thellë në pyll.“
Aktorja Marlies Ludwig e ul zërin, ndalon pak, dhe hedh vështrimin përreth. Njëzet nxënës të shkollës fillorë janë ulur këmbëëkryq mbi jastëkë me ngjyra dhe dëgjojnë me vëmendje. Me mësuesen e tyre ata kanë ardhur në një aktivitet në kuadër të Ditëve të Përrallave në Berlin. Në fillim pëshpërisnin pak me njëri-tjetrin, vajzat qeshin pak me pelerinën e gjerë me ngjyrë të zezë të cilën Marlies Ludwig e ka hedhur krahëve. Por pastaj aktorja e ngrë përsëri zërin melodioz, vazhdon të rrëfejë përrallën e Kësulëkuqes dhe pa e kuptuar nxënësit bien në magjinë e saj. Kjo vazhdon plot një orë.
Histori që të rrëmbejnë
Marlies Ludwig rrëfen dhe bëhet çdo herë një tjetër personazh: herë si bretkosë, herë si gruaja e peshkatarit e herë si Hirushja. Nganjëherë u kërkon fëmijëve ta mbështesin gjatë rrëfimit apo edhe ta korrigjojnë me zë të lartë, kur e tregon përrallën ndryshe nga ajo që kanë shkruar vëllezërit Grimm.
Përrallat e vëllezërve Grimm janë një fenomen“, thotë Carola Pohlmann. Ajo është drejtuesja e seksionit për fëmijët dhe të rinjtë në Bibliotekën Shtetërore në Berlin dhe është kuratorja e ekspozitës „Kësulëkuqja vjen nga Berlini“, e cila që nga fillimi i nëntorit ofron një vështrim të bukur mbi 200 vjet përralla të vëllezërve Grimm dhe ilustron historinë e tyre të pabesueshme të suksesit. Në të vërtetë përrallat e vëllezërve Grimm janë libri më i përhapur gjerman pas biblës së Luterit. Ato janë përkthyer në më shumë se 160 gjuhë të ndryshme dhe vazhdojnë të tregohen në libra të ilustruar, revista për fëmijë, filma vizatimorë apo artistikë, në CD apo në skenën e teatrit
Mbledhës të kujdesshëm
Në fillim asgjë nuk fliste për këtë sukses të pabesueshëm. Aq më pak që përrallat popullore, të cilat vëllezërit Jacob dhe Wilhelm Grimm i patën mbledhur në fillim të shekullit të 19 me nxitjen e Clemens Brentanos, një poeti të romantikës gjermane, në versionin e parë tingëllonin mjaft të ashpra dhe pak të përshtatshme për fëmijë. Vëllezërit Grimm e kryen detyrën e vetëcaktuar si shkencëtarë të nxitur nga dëshira për të mbledhur letërsi popullore dhe për të siguruar burimet pa manipulim.
Nga vëllimi i parë i tirazhit të parë të përrallave në 1812 u publikuan vetëm rreth 900 ekzemplarë nën titullin „Përralla për fëmijë dhe shtëpi“. Përrallat e panë suksesin vetëm pas një përpunimi me themel gjatë të cilit u zbukuruan skena të veçanta dhe u futën fjalitë e famshme të fillimit dhe fundit „Na ishte njëherë...“ dhe „Dhe nëse nuk kanë vdekur, jetojnë edhe sot“. Falë këtyre ndryshimeve dhe jo së fundit edhe ilustrimeve shoqëruese përrallat bënë për vete një publik gjithnjë në rritje që prej vitit 1830 dhe brenda pak dekadash kishin në të gjithë botën miq të shumtë.


Gjuhë përrallash
Vëllezërit Grimm kishin gjetur një gjuhë të cilën njerëzit në të gjithë botën e lidhin në mënyrë të vetëkuptueshme me „përrallat“, thotë Carola Pohlmann. Dhe meqenëse temat rreth të cilave rrotullohen përrallat e tyre gjenden në trajtë të ngjashme edhe në letërsinë e popujve të tjerë, ato kuptohen ngado.
Bota e mrekullueshme e përrallave
Sipas Carola Pohlmann-it magjia e vërtetë gjendet si dhe më parë tek vetë përrallat dhe në faktin se ato janë shumë të përshtatshme për t'ua lexuar fëmijëve duke krijuar kështu afërsi. Por meqenëse të lëxuarit në shumë familje duket se ka dalë pak nga moda, organizatorë aktivitetesh si Ditët e Përrallave në Berlin ofrojnë një mundësi për zëvendësim. Më shumë se 800 aktivitete janë në program këtu çdo vjeshtë, së fundi numri i vizitorëve kaloi 150.000 vetë. Të dëgjosh përralla të jep vërtet shumë kënaqësi, mësojnë këtu fëmijët, dhe ato mund t'i lexojnë jo vetëm aktorë por edhe sipërmarrës të suksesshëm, sportistë dhe politikanë. Organizatorët gjejnë gjithnjë rrugë të reja për t'i futur fëmijët në botën e përrallave. Për t'u mësuar atyre qetësinë dhe durimin kur përralla fillon me fjalët që premtuese „Na ishte njëherë ...“.
DW

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk