Shqipëri-Kosovë, refuzimi estetik
Shkrimtarët e Kosovës e ngrehin zërin kundër refuzimit që po
u bëhet në Shqipëri. Asnjë prej tyre nuk u shpërblye me çmim kombëtar të
letërsisë, që u dhanë para disa ditësh. Kjo gjë, sipas tyre, nuk i kontribuon
krijimit të një letërsie integrale shqipe. Letërsia e Kosovës po vazhdon të
injorohet në Tiranë. Derisa shkrimtarët e Shqipërisë marrin shpërblime në
Kosovë, ata të Kosovës nuk arrijnë të shtinë në dorë as ndonjë çmim të dorës së
dytë që jepet përtej kufirit. Kjo u dëshmua ditët e fundit kur asnjë shkrimtar
nga Kosova nuk u vlerësua me ndonjërin prej çmimeve kombëtare të letërsisë, të
cilat jepen nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Kjo nuk u ka pëlqyer aspak
shkrimtarëve kosovarë, të cilët thonë se refuzimi dhe injorimi i letërsisë që
krijohet jashtë kufijve të Shqipërisë nuk i kontribuon krijimit të një letërsie
integrale shqipe. Për shkrimtarin Ag Apolloni është e papranueshme shpërfillja
që po u bëhet shkrimtarëve kosovarë pasi që, sipas tij, niveli i shkrimtarëve
është i njëjtë në të dy anët e kufirit. “Përjashto fenomenin Kadare, autorët e
Shqipërisë kurrë s’kanë pasur avantazh ndaj autorëve kosovarë, madje për disa
dekada kanë qenë inferiorë ndaj tyre, për arsye politike që tashmë i dimë.
Prandaj edhe nuk arsyetohet shpërfillja që iu bë kësaj here autorëve të
Kosovës. Duket sikur për 100-vjetor të Pavarësisë, Shqipëria vërtet paska
dashur të ‘pavarësohet’ nga Kosova edhe në planin kulturor”, tha Apolloni. Ai
shtoi se ka autorë kosovarë që janë të të njëjtit nivel me autorët e
Shqipërisë, në mos më të mirë, sado që, sipas tij, niveli i përgjithshëm i
letërsisë shqipe është për t’u brengosur. Apolloni është i mendimit se prozën e
kemi në të njëjtin nivel, si andej si këndej, kurse në poezi, dramë dhe kritikë
thotë se udhëheqin autorët kosovarë. Duke folur për raportet ndërmjet
shkrimtarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë, Apolloni tha se nuk i duken raporte
normale. “Në Kosovë lexohen dhe studiohen veprat e autorëve aktualë të
Shqipërisë, kurse në Shqipëri mezi qarkullojnë, pak lexohen e aspak nuk
studiohen veprat e autorëve të rinj kosovarë. Ka mjaftuar ky vit qëndrimi në
Tiranë që të bindem se Shqipëria ka një qëndrim refuzues ndaj vlerave letrare e
kulturore të Kosovës. Autori kosovar e ka më lehtë të marrë një ‘Nobel’ në
Suedi, sesa një çmim kombëtar në Shqipëri. Ndërsa shkrimtarët e Shqipërisë janë
të privilegjuarit në konkurse letrare të Kosovës. Si pala që refuzon, si pala
që privilegjon, nuk i kontribuon krijimit të një letërsie integrale shqipe”,
tha ai.
Për shkrimtarin Gëzim Aliu nuk do të thotë që, edhe pse
çmimet letrare janë mbarëkombëtare, ose mendohen si të tilla, të ndahen
gjithsesi proporcionalisht, për autorë të të gjitha hapësirave ku jetojnë
shqiptarët. Megjithëse kësaj radhe nuk u dha ndonjë çmim për shkrimtarët nga
Kosova, Aliu thotë se mund të jepet në të ardhmen. Ai shton se në Kosovë ka
shkrimtarë të mirë dhe ka vepra të mira, por telashi më i madh, sipas tij,
është dalja jashtë Prishtinës, në mënyrë që të futen në botën e konkurrencës
mbarëshqiptare. “Po mungon infrastruktura që shkrimtarët e Kosovës të dalin nga
ky rreth i ngushtë. Kur them infrastrukturë, mendoj në përkrahjen që duhet
dhënë nga institucionet kulturore, shtëpitë botuese e deri te shpërndarësit e
librave, të cilët kur shkojnë në Tiranë, e kapërcejnë kufirin me bagazh bosh,
ndërkaq, kur vijnë nga atje e kanë me plot libra! Do të thotë, librat dhe
autorët e Shqipërisë kanë depërtuar dhe janë mjaft të pranishëm në Kosovë,
kurse ne jemi shumë më pak të pranishëm atje”, u shpreh Aliu. Për të ilustruar
këtë ai përmend një fakt. “Në Panairin e sivjetmë në Tiranë, nga ato dhjetëra
promovime librash që u bënë, vetëm pak ishin me autorë nga Kosova. Kjo ta
krijon përshtypjen e gabuar se në Kosovë nuk ka shkrimtarë të mirë. Në Kosovë
nuk ka vullnet për t'i përkrahur shkrimtarët e mirë”, tha ai. Aliu thotë se
raportet mes shkrimtarëve janë gjithmonë të ndërlikuara, por, mendon se duhet
bërë edhe më shumë për t'u lidhur në organizata, forume, shoqata dhe për t'u
takuar më shpesh përtej tavolinës së kafenesë, në takime më të shpeshta
letrare, të cilat duhet të bëhen jo vetëm sa për sy e faqe.
Ndërkaq, shkrimtari Fahredin Shehu thotë se është i prirur
të besojë se sensibiliteti dhe perceptimi i letërsisë në Shqipëri është më i
ndryshëm se në Kosove dhe kjo, sipas tij, dita ditës po dëshmohet gjithnjë e më
shumë. Ai thotë se nëpër ato këshilla apo komisione të përzgjedhjes së autorëve
duhet të jenë njerëz që kanë perceptim të pastër dhe të përcjellin trendët në
botë. “Për dallim nga Shqipëria në Kosovë ka eksperimentime në letërsi dhe këto
eksperimentime dalin se janë prova të një evoluimi në hapin botëror dhe do të
kaloj edhe një kohë e do të dëshmohet se ndryshimi na ndodh para syve njëlloj”,
tha Shehu.
Nga Alfred Beka
Comments
Post a Comment