Presidenti Nishani nderon me “Medaljen e Mirënjohjes” Artan Lamen, Blendi Fevziun, Gëzim Hidrin, Ilir Ikonomin, Kai Roman Kiklasin, Moikom Zeqon, Ndriçim Kullën, Romeo Gurakuqin, Visar Obrijan, Xhevahir Lleshin dhe Zeni Ballazhin
Në atmosferën e festave të fundvitit, Presidenti i
Republikës, Bujar Nishani nderoi sot autorë të veprave studimore e artistike
kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë. “Në
shenjë vlerësimi për punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm në evidentimin dhe
ngritjen e vlerave historike dhe atdhetare me rastin e 100-vjetorit të
Pavarësisë”, Kryetari i Shtetit shqiptar dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes”,
Artan Lamen, Blendi Fevziun, Gëzim Hidrin, Ilir Ikonomin, Kai Roman Kiklasin,
Moikom Zeqon, Ndriçim Kullën, Romeo Gurakuqin, Visar Obrijan, Xhevahir Lleshin
dhe Zeni Ballazhin. Në takimin e Kryetarit të Shtetit me autorët e veprave të
spikatura për 100-vjetorin e Pavarësisë ishin të pranishëm edhe Ministri i
Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi; Kryebashkiaku i Tiranës,
Lulzim Basha. Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti i Republikës, Bujar
Nishani shprehu vlerësimin personal, por edhe në emër të qytetarëve shqiptarë
për një sërë personalitetesh të fushave të ndryshme, të cilët në kuadër të
100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ofruan kontribute shumë të rëndësishme
në evidentimin dhe prezantimin e vlerave kulturore të periudhave historike, të
traditës së Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Mbi të gjitha, besoj që hapën një
rrugë, nxitën në radhë të parë studiuesit, krijuesit, artistët, historianët të
fillojnë të mendojnë më shumë për historinë tonë; për të evidentuar më shumë
vlerat e kësaj historie; për t’u ofruar një informacion real, transparent,
qytetarëve shqiptarë, shqiptarëve kudo që ndodhen, por edhe miqve të Shqipërisë
dhe të shqiptarëve mbi historinë e këtij vendi dhe kombi; mbi sakrificat,
mundimet, kontributet dhe qëndrimet e personazheve, personaliteteve në periudha
të ndryshme të historisë së vendit, duke e përcjellë kohën e shkuar e kontributet
e së shkuarës, por edhe arritjet dhe mosarritjet e së shkuarës në realitetin e
sotëm me qëllim për të pasur mundësinë më të mirë të reflektimit të përbashkët,
mundësinë e njohjes reale të vetes sonë, të kombit tonë, të ecurisë sonë. Jam i
bindur që kjo do të kontribuojë në ngjizjen e një kulture më të madhe mbi atë
çka ne shqiptarët kemi qenë dhe kemi bërë, me shpresën e madhe që kjo do të na
shërbejë për të reflektuar, për ta përcaktuar më mirë, më qartë dhe më drejt të
ardhmen tonë”, theksoi Presidenti Nishani. Presidenti i Republikës i shprehu
drejtpërdrejt vlerësimin dhe mirënjohjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë,
zotit Romeo Gurakuqi, pedagogut dhe historianit që me veprën e tij solli një
studim të rëndësishëm, jo vetëm për brezat e rinj, por për të gjithë brezat e
këtij vendi. Gjithashtu, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për kontributin
e zotit Helidon Xhixha, i cili i dhuroi Institucionit të Presidentit, një
skulpturë moderne, e vendosur në kopshtin e ndërtesës, që solli një risi në
kryeqytet. Kreu i Shtetit vlerësoi zotin Ilir Ikonomi, “gazetarin, analistin
e shquar, i cili përmes botimit ka
sjellë një informacion fatkeqësisht deri në këto kohë të pa marrë nga opinioni
publik, për rrugëtimin e burrit të shquar të Pavarësisë, Ismail Qemalit, por
edhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij; një studim i thellë, por mbi të gjitha
i bazuar në fakte shumë të rëndësishëm dhe evidente”, u shpreh Presidenti
Nishani. Presidenti Nishani vlerësoi zotin Blendi Fevziu, “gazetarin
me shumë eksperiencë në Shqipëri, që përmes botimit të librit më të fundit
“100-vjet Pavarësi”, ka ofruar një informacion të detajuar të periudhave shumë
të rëndësishme historike dhe një kronologji të ndërlidhur, jo vetëm të
momenteve, por edhe të angazhimeve të personazheve, në kontekstin e vlerësimit
dhe të kritikës” Gjithashtu, një falenderim të veçantë, Presidenti Nishani i
adresoi historianit me shumë eksperiencë, zotit Moikom Zeqo, i cili së bashku
me zonjën Dëshira Jazexhiu kanë sjellë një libër me dokumente të rëndësishme,
që jep një tabllo të qartë të rrethanave dhe të zhvillimeve historike në
periudhat më të rëndësishme të Shqipërisë, fokusuar në momentin më madhor të
historisë sonë, aktin e shpalljes së Pavarësisë.
Një vlerësim dhe një mirënjohje të veçantë për punën në disa
dimensione artistike, studiuese, Presidenti Nishani ia adresoi zotit Artan
Lame, i cili, përveç orientimit, fokusimit të momenteve të rëndësishme në
botime të ndryshme, i dha një dimension shumë të veçantë festimeve dhe
përkujtimeve të festës së 100-vjetorit, përmes ekspozitës me flamujt shqiptarë,
në rrugëkalimin e tyre gjatë gjithë historisë sonë, një ekspozitë e cila u
shpërnda në trojet shqiptaret, por, njëkohësisht edhe atje ku jetojnë shqiptarët
në emigracion, me qëllimin për ta ndarë festën me të gjithë, mes nesh, por edhe
me miqtë tanë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës shprehu vlerësimin e tij për
zotin Obrija nga Kosova për bashkëpunimin e tij të shkëlqyer me mikun e
shqiptarëve, zotin Kai Roman Kiklas për idenë e shkëlqyer të monumentit të
100-vjetorit të Pavarësisë, me të cilën ofruan mundësinë e një memorie të
rëndësishme historike në kryeqytet. Presidenti Nishani falenderoi autorin e
logos së 100-vjetorit të Pavarësisë, zotin Zeni Ballazhi, i cili, arriti të
fitojë mes shumë konkurentëve, duke sjellë një vepër, e cila u bë pjesë e
historisë së Shqipërisë, u bë simbol i tërë simbolikave, që kemi pasur dhe kemi
në historinë tonë. Gjithashtu, Kreu i Shtetit shprehu vlerësim për zotin Gëzim
Hidri, i cili me Mozaikun e Flamurit Kombëtar, i vendosur pranë Urës së
Tabakëve, shprehu dashurinë për flamurin, simbolin tonë më të dashur, duke
nënvizuar me bindje se këto kontribute të artistëve dhe studiuesve do të jenë
një bazë e mirë për vepra të tjera në të ardhmen. Pas leximit të dekreteve
presidenciale nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Saphia, Kryetari i Shtetit u
dorëzoi autorëve të veprave studimore e artistike të krijuara në kuadër të
100-vjetorit të Pavarësisë, “Medaljen e
Mirënjohjes”. Autorët e veprave pas marrjes së “Medaljes së Mirënjohjes” do të
shpreheshin:
Artan Lame: Presidenti tha pjesën kryesore për secilin prej
nesh, bëri një përshëndetje të përgjithshme. Është e pa diskutueshme që
100-vjetori kishte pjesën e vet, por është e pa diskutueshme që ka dhe shumë
gjëra të tjera për të bërë në 100 vitet e ardhshme.
Blendi Fevziu:
Ky 100-vjetor ishte në një farë mënyrë një start i mirë për
të parë me sy realist dhe pa dyshim sa më të thelluar atë që ka ndodhur dhe
besoj që, ata që do të vijnë pas tashmë e kanë një bazë nga e cila do të nisen
për të ndryshuar në një farë mënyre, mënyrën e shikimit disa dhjetëra vjeçare
të mbrapshtë dhe shpeshherë të falsifikuar të historisë së Shqipërisë.
Gëzim Hidri:
Ndjehem i nderuar që këtu në Shqipëri marr një medalje të
tillë dhe mendjen e kam gjithmonë tek vendi im, tek kombi im dhe për këtë arsye
unë bëra një mozaik në gurë natyral, që të mos ishin ato thuprat e Gjergj
Kastriotit, por të ishin të kthyer ato thupra në gurë për të vazhduar me forcë,
me mendje, me penë vazhdimësinë e emrit shqiptarizëm.Ju falenderoj të gjithëve!
Ilir Ikonomi:
Ju falenderoj nga zemra! Ju më jepni një mirënjohje dhe unë
ju jap mirënjohjen time për këtë dhe ju falenderoj në emër të ekipit të Zërit
të Amerikës, të cilët më ndihmuan për të ardhur këtu.
Visar Obrija:
Zoti President, së bashku ju falenderojmë për realizimin e
idesë sonë për 100-vjetorin!
Moikom Zeqo:
E falenderoj Presidentin e Republikës për mençurinë e këtij
gjesti! Gjithmonë krijohet një klimë më e mirë kur kryeinstitucioni kushtetues
i një vendi ka vlerësim dhe krijon raporte të tilla me kulturën, sepse jam I
bindur që, historia më shumë se sa kronikë është krijim i kulturës.
Ndriçim Kulla:
I shpreh mirënjohjen Presidentin e Republikës, që ka zgjedhur
një mënyrë shumë të respektuar për të vlerësuar punën e intelektualëve, të
artistëve dhe shkrimtarëve në këtë fund viti, që konçidon dhe me 100-vjetorin e
Pavarësisë. E falenderoj për vëmendjen që ka treguar ndaj punës, është vlerësim
për kontributin e mendimtarëve shqiptarë, të atyre njerëzve, të cilët e
idealizuan Shqipërinë politike, Shqipërinë e pavarur, për të cilën ne bëmë një
kremtim shumë madhështor. Nëpërmjet këtij rasti ne po kuptojmë edhe një herë se
sa po forcohet respekti, që ne po tregojmë ndaj kësaj elite, ndaj këtyre
mendimtarëve, të cilët kërkuan që të krijojnë një Shqipëri të pakufizuar
shpirtërisht, në mënyrë që të shprehte cilësitë dhe vlerat e saj.
Romeo Gurakuqi:
Keni gjetur mënyrën për të vlerësuar punën time dhe
kolegëve, të miqve, që kanë bashkëpunuar në këtë ngjarje shumë të rëndësishme
të 100-vjetorit të Pavarësisë.
Xhevahir Lleshi:
Gjithashtu kjo do të jetë një nxitje për veprimtarinë tonë
në të ardhmen, sepse çdo qelizë e ditëve që vijnë kanë 100 vitet tyre.
Zeni Ballazhi:
Falenderoj Presidentin! Falenderoj të gjithë shqiptarët, të
cilët përqafuan një emblemë, apo një logo, e cila i përfaqësoi të gjithë ata
dhe në këtë festë të fundvitit, për mua është një befasi shumë e këndshme dhe,
këtë mirënjohje do e ruaj me fanatizëm dhe është mirënjohja e parë për mua në
një nivel të tillë. Urime për festat dhe urime për 100-vjetorin!
Comments
Post a Comment