Ligjërimi i nobelistëve të letërsisë në ditën e kurorëzimit
Është zakon që në datën 7 dhjetor të çdo viti fituesi i ri i
‘Nobel’-it në letërsi të mbajë një fjalim para anëtarëve të Akademisë suedeze
dhe të ftuarve të shquar në ceremoninë solemne të dhënies së çmimit. Që nga e
enjtja e dytë e muajit tetor, kur shpallet fituesi i këtij çmimi sipëror,
shkrimtari apo shkrimtarja fituese kanë më shumë se shtatë javë kohë për ta
përgatitur fjalimin më të rëndësishëm e ndoshta edhe më të vështirin e jetës së
tyre, atë që do të mbahet në katedrën e kurorave më të larta letrare të
shekullit, që do të transmetohet e botohet nga mijëra media elektronike dhe të
shkruara, që do të dëgjohet e lexohet nga elita e botës dhe masa më e madhe e
artdashësve, bashkëkohës apo të ardhshëm. Në shumicën e rasteve, fjalimet e
nobelistëve sjellin pasazhet e një rrëfimi të panjohur për takimin e tyre intim
me muzën. Ato fjalime qëllon të jenë testamente letrare. Ato ngrenë pikëpyetje
për jetën dhe ekzistencën. Ato rreken të formulojnë përgjigje të hapura, që nuk
imponohen, por provokojnë dhe çlirojnë diskutime. Në rastet më të mira, ato
janë modele të lakonizmit, shembuj të përqendrimit, një festë e vërtetë e
fjalës, që na çon apo na përfshin në shkallën më të lartë të kënaqësisë dhe
rrëqethjes intelektuale, që është pikërisht një mrekulli e fjalës.
Nga kjo festë shekullore e fjalës së shkrimtarëve nobelistë,
shtëpia botuese “Tirana time” u ka dhënë mundësinë lexuesve shqiptarë të
lexojmë të përkthyer në shqip nga përkthyesi Urim Nërguti nëntë fjalimet e
nobelistëve të periudhës 2001-2009, duke filluar me shkrimtaren gjermane me
origjinë rumune Herta Muller, që fitoi çmimin ‘Nobël’ në vitin 2009 e duke
përfunduar me “ intuitivin ” Naipaul, shkrimtarin britanik me origjinë nga
Trinidad Tobago, nobelistin e vitit 2001. Në këtë përmbledhje me titullin
“Nobelistët”, për kënaqësinë e ithtarëve të thellësisë dhe lakonizmit, gjejmë
fjalimet e shkrimtarit frances Le Clezio, të shkrimtarit turk Orhan Pamuk, të
shkrimtarit afrikanojugor Coetzee, të shkrimtarit hungarez Imre Kertesz,
hebreut që u kurorëzua në vitin 2002.
Fjalimi i gjithsecilit ka një bosht, një shqetësim apo një
temë qendrore të veçantë rreth së cilës mblidhet lënda. Le Clezio shtron
problemin e madh dhe të vjetër të kundërshtive letrare, ku spikat kundërshtia
midis atyre që e frymëzojnë dhe atyre që e lexojnë shkrimtarin. “E si
është e mundur të sillemi nga një anë
njëlloj sikur asgjë në botë të mos kishte më tepër rëndësi se letërsia, kur nga
ana tjetër është e pamundur të mos shohim rreth e përqark njerëz që luftojnë
kundër urisë dhe që janë të detyruar të mbajnë për më të rëndësishme atë që
fitojnë në fund të muajit. Sepse ai, shkrimtari, has në një kundërshti të re:
ai nuk do të donte të shkruante për gjë tjetër veçse për ata të cilët kanë uri
dhe tani zbulon se vetëm ata të tjerët që kanë për të ngrënë, kanë edhe
mundësinë për të shquar ekzistencën e tij”, nënvizon Le Clezio. Qasja e tij për
kundërshtitë është e gjerë dhe shumëplanëshe. Shkruan shumë bukur Le Clezio.
Shkrimtarë, vepra, rryma, dukuri të periudhave të ndryshme bashkërenditen e
nënrenditen natyrshëm e tejdukshëm në dijen e tij dhe kalojnë si mirazhe në një
lumë të kulluar. Sepse ashtu si romanet, Le Clezio duket sikur edhe fjalimet i
shkuan me bojë të kulluar uji. Përvojat që referohen apo përpunohen në kulturën
e tij nuk janë shprehje e një manie për t’u dukur i ditur, por shërbejnë për të
ndriçuar në lidhjen e tyre fatin e letërsisë dhe të vetë shkrimtarit. “Vetmia
do të jetë fati i tij”, thotë Le Clezio për shkrimtarin. “E tillë ka qenë ajo
gjithmonë”.
Hertha Muller, nobeliste e vitit 2009, vepra e së cilës
përshkruan peizazhet e braktisjes dhe Imre Kertesz, nobelist i vitit 2002,
vepra e të cilit përshkruan përvojën e brishtë të individit përballë
arbitraritetit barbar të historisë, konvergojnë në temën e depersonalizmit të
njeriut në diktaturë. Fjalia kyçe e fjalimit të Hertha Muller-it është “A ke
shami”. Është një kujtim nga nëna, që merr vlerat e një metafore për qëndresën
dhe vetminë. Ka mundësi, thotë Muller, që kjo pyetje në çdo kohë të mos ketë
asnjë lidhje me shaminë, por me vetminë e mprehtë të qenies njerëzore.
Kertesz ka jetuar në Hungarinë komuniste, por ka shkruar
kryesisht për holokaustin nazist kundër hebrejve. Sentencat e Kertesz për
rënien dhe letargjinë e individëve përballë fatit të keq kanë një mprehtësi të
pashoqe. Kam parë sesi një popull përcillet drejt mohimit të idealeve të veta.
Kam parë fillimet e përshtatjes, gjestet e kujdesshme. Kam kuptuar se shpresa
ishte një vegël e së keqes dhe se imperativi kategorik i Kantit, etika, nuk
ishte gjë tjetër veçse vasale e bindur e mbijetesës, shkruan ai teksa ka parë
me sy funksionimin e një diktature. Tronditëse janë imazhet e fotografive me
femra të qeshura dhe djem të rinj me vështrim të zgjuar, plot me vullnet të
mirë, disa minuta përpara se të ngarkoheshin në trenat e vdekjes apo të
ftoheshin në dhomat e gazit me mirësjelljen naziste “Në gaz, zonja dhe
zotërinj!”
Secili shkrimtar përqendrohet në një problem të veçantë të
ekzistencës, por ndërkaq, si të jenë duke i kaluar njëri-tjetrit stafetën e një
monologu që nuk ka të sosur, ata përballen të gjithë me pyetjen e përhershme
përse shkruajmë dhe për kë shkruajmë. Nëse shkruajmë, kjo do të thotë se nuk
veprojmë, thotë Le Clezio. Se ndihemi në vështirësi përballë realitetit. Në
pikënisje të shtytjes së tij për të shkruar është lufta. Por jo lufta e madhe e
ushtrive si çast historik. “Lufta për mua është ajo ku luftojnë civilët dhe
sidomos të vegjlit”, shkruan Le Clezio. Është e re, është shumë prekëse kjo
frazë. Përmes saj mund të zbërthehet një pjesë e madhe e veprës së tij.
Orhan Pamuk është më i drejtpërdrejtë, disi më retorik, tek
i ngarkon letërsisë barrën e gjithë kurave. Shkruaj sepse jam tepër i mërzitur,
thotë ai. Me të gjithë ju. Me të gjithë botën. Shkruaj sepse më pëlqen të rri
mbyllur në një dhomë vetëm, gjatë gjithë ditës. Shkruaj sepse nuk mund ta duroj
ndryshe realitetin, vetëm duke e ndryshuar. Shkruaj që gjithë bota ta dijë se
çfarë lloj jete kemi jetuar dhe jetojmë, unë, të tjerët, ne të gjithë në
Stamboll, në Turqi. Shkruaj sepse ky është një zakon, një pasion. Shkruaj sepse
kam frikë të jem i harruar. Shkruaj sepse nuk arrij të jem i lumtur, çfarëdo që
të bëj. Shkruaj që të jem i lumtur, rrëfen Pamuk.
Kertesz nuk e ka vrarë mendjen dhe madje nuk ka qenë i
interesuar të kuptojë përse shkruan. Por përgjigjja ka mbirë vetë nga përvoja e
tij, teksa përballej vazhdimisht me pyetjen se çfarë gjëje të përbashkët kishte
ai me letërsinë. “Sepse ishte e qartë: një vijë e pakapërcyeshme më ndante nga
letërsia dhe idealet e saj dhe kjo vijë quhej Aushtviz”. Vetë shkrimtari ishte
një i mbijetuar në këtë kamp nazist të vdekjes. Gjyshërit e tij kishin vdekur
atje, ndërsa prindërit e tij ishin shkatërruar në Hungarinë komuniste. Ky fat i
familjes së tij simbolizonte vuajtjet e mëvonshme të Hungarisë, por Holokausti
mbeti mizoria dhe misteri më i thellë për të. Me Holokaustin Zoti vdiq dhe
vlerat u shembën. Mbi perceptimin e kësaj kataklizme njerëzore shkrimtari
austriak me origjinë hebreje, Stefan Svajg, kishte vrarë veten. Kërtesz ishte
adoleshent në këtë kohë. Ai ishte një nga jetimët e shumtë, pasi “pas
Aushtvicit ne kemi mbetur jetimë”, thotë ai dhe “na është dashur të krijojmë
vlerat tona”. Ja edhe arsyeja e të shkruarit. Ai shkruan me qëllim që realiteti
i pandreqshëm i Holokaustit të pjellë spiritualisht ndreqjen, domethënë
pastrimin e shpirtit. “Kjo dëshirë ka frymëzuar gjithçka që kam bërë”, thotë ai më 7 dhjetor të vitit 2002 në
Stokholm.
Nga koha në kohë, nga kontinenti në kontinent, nga një fat
në tjetrin, letërsia lind dhe ushqehet me burime universal dhe endemike, në
shkaqe standarde dhe të pangjashme. Nobelisti V.S Neipaul nga Trinidat Tobago,
vepra e të cilit u vlerësua lart sepse “na dënon të shohim praninë e historisë
së ndrydhur”, rrëfen në shtatë dhjetorin e tij të vitit 2001 si më poshtë: “Unë
duhej t’i shkruaja këto libra sepse nuk ekzistonte asgjë mbi këto çështje që të
më jepte atë që dëshiroja. Doja të plugoja universin ta sqaroja për veten
time”.
Ai, më saktë edhe ai, ishte dënuar të ishte vetëm në
rrethimin e të panjohurave dhe magjive, të cilat i ka ftilluar e shtyrë tutje
duke shkruar libra. Pa shpjeguar asgjë. “Duke qëndruar rrafsh me tokën”.
Janë vërtet të mrekullueshme këto fjalime. Janë shpeshherë
një dëshmi e dhuntisë hyjnore të gjuhës për të zbuluar çfarë nuk mund të
zbulohet me asnjë lloj skaneri apo rezonance magnetike. Gjuha është skaneri i
shpirtit, por jo gjithkush mund ta përdorë atë. Janë pak. Nobelistët janë
pararojë e kësaj pakice. Libri me fjalimet e tyre është argëtim dhe punë për
cilindo që dëshiron të shijojë diçka nga mrekullia e gjuhës dhe njëherësh të
thellojë njohjen për botën e letrave.
Fjalimet e nobelistëve sjellin pasazhet e një rrëfimi të
panjohur për takimin e tyre intim me muzën. Ato fjalime qëllon të jenë
testamente letrare. Ato ngrenë pikëpyetje për jetën dhe ekzistencën. Ato rreken
të formulojnë përgjigje të hapura, që nuk imponohen, por provokojnë dhe
çlirojnë diskutime. Në rastet më të mira, ato janë modele të lakonizmit,
shembuj të përqendrimit, një festë e vërtetë e fjalës, që na çon apo na
përfshin në shkallën më të lartë të kënaqësisë dhe rrëqethjes intelektuale, që
është pikërisht një mrekulli e fjalës.
Preç Zogaj
Comments
Post a Comment