Tradita që krijoi në muzikën klasike shqiptare, Çesk Zadeja
Salla e Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të
Mbrojtjes (ish-SHQUP-i), u “kthye” në ministudion e Çesk Zadejës paraditen e
djeshme. Për 85-vjetorin e lindjes, për herë të parë familja nxori nga arkivi
partiturat e muzikës së filmit
“Skënderbeu” (1952) dhe i prezantoi në një ekspozitë. Studiues të muzikës mbajtën për një orë
kumtesa mbi pasurinë e krijimtarisë 50-vjeçare të Zadejës, u përqendruan te
roli i krijuesit në muzikën profesioniste shqiptare dhe te lidhja që ai
kërkonte të mbante me zhvillimet europiane të muzikës. U fol për një kompozitor
të frymëzuar, sidomos te baleti “Delina” dhe “Para stuhisë”, për frymën e re që
përcillte në krijime, për kontributin në shkollën kombëtare, profesionalizmin
në pedagogji, mbështetjen që u jepte të rinjve krijues dhe prurjet në fushën e
botimeve mbi muzikën. Në sallë u shpërnda nga familjarët edhe “Vetparja e
procesit”, botim i vitit 1997, me shkrime mbi kompozicionin që kompozitori i
shkroi qysh në fillimet e karrierës së tij në vitet ‘60. Prof Zana Shuteriqi u
përqendrua te formimi i kompozitorit të ri dhe te “terreni në të cilin Zadeja u
afrua me muzikën”. “Ishte Shkodra e
Fishtës, në muzikë e Martin Gjokës, ithtar i njohur i Fishtës. Ajo u bë linja
në të cilën eci dhe u formua Çesk Zadeja. Këtu e kërkoja origjinalitetin,
rrugën dhe rolin që ai luajti në historinë e muzikës shqiptare si kompozitor në
radhë të parë i profilit kombëtar, ndonëse edhe më gjerë”, – shpjegoi Shuteriqi
ndikimin që pati tradita te Zadeja. Qysh në kohën kur krijoi “Simfonia” (1956)
i doli për detyrë shtrimi i rrugës për muzikën profesionale shqiptare. Vitet e
fillimit të Zadejës, ‘50-’60, lidhen me fillimet e profesionalizmit në muzikë.
Edhe pse u përqendruan te profili i kompozitorit kombëtar, të pranishmit në
konferencë folën edhe për prirjen e këtij krijuesi të shkolluar jashtë vendit,
në njohjen dhe kërkimet që bëri në trashëgiminë e muzikës europiane. “I pari që kërkoi ta çonte përpara mendimin e
gjallë intelektual dhe t’i jepte muzikës një rol të ngjashëm me atë që kishte
në vendet europiane. Kjo nuk ishte një punë e thjeshtë sigurisht, sepse
duheshin kapërcyer shumë konvencione të estetikës”, – u shpreh prof. dr Fatmir
Hysi dhe vlerësoi faktin që krijimet e tij ishin larg “kanonove dogmatike të
kohës”. Kompozitori Thoma Gaqi ka parë
tek ish-profesori “kompetencën profesionale, racionalitetin, intuitën e
mprehtë”. Akademiku Rauf Dhomi, i ardhur nga Kosova për të kujtuar kontributin
e Zadejës, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, vlerësoi rolin e një
profesori “par excellence, që me forcën artistike do ngrinte nivelin e cilësdo katedër
universitare”. Çesk Zadeja u la ka lënë
një vepër të vyer atyre që aspirojnë të bëhen kompozitorë nesër. Me veprën “Vetparja e procesit” kompozitori shkruan mbi
marrëdhëniet e kompozitorit me muzikën popullore, thellimin në njohjen e
muzikës kombëtare dhe asaj ndërkombëtare dhe kombinimin e të dyjave në muzikë.
Janë leksione që u vlejnë të rinjve që aspirojnë të bëhen kompozitorë. “Mapo zgjedh të botojë një fragmentin nga
libri:
Harmonizmi midis
kombëtares dhe ndërkombëtares
Duke i interpretuar etapat e këtij zhvillimi brenda një
kuptimi të përgjithshëm (harmonizimin midis kombëtares dhe ndërkombëtares), ato
kryhen më shpejt si logjikë se si etapë përcaktuese kronologjike. Dhe kjo është
e kuptueshme. I rëndësishëm mbetet parimi i bashkërendimit midis kombëtares dhe
ndërkombëtares, proces i vështirë dhe, në të shumtën e rasteve, proces i gjatë,
për të arritur kërkesat e domosdoshme cilësore.
Mendoj se është shumë aktual trajtimi i çështjeve teorike e
praktike në marrëdhëniet e ndërkombëtares dhe mbarë njerëzores, çështje
thelbësore që meritojnë vëmendje tepër të veçantë, aq më tepër, sipas mendimit
tim, që këto dy kuptime ngatërrohen duke mohuar njeri-tjetrin. Përmbajtja e këtyre dy parimeve, në etapën e re të
zhvillimit të kulturës muzikore shqiptare, është shumë e rëndësishme për
zhvillimin e mëtejshëm të artit muzikor: ajo duhet kuptuar në thellësi dhe
duhet vepruar në procesin krijues me aftësi e përkushtim njerëzor. Ajo që është
mbarënjerëzore prek të gjithë njerëzimin…
Zadeja rrëfen për
jetën
Kam lindur në 8.6. 1927, në qytetin e Shkodrës, ku kam
mbaruar shkollën fillore e gjimnazin. Në vitin 1942-1943 kam studiuar në
Konservatorin “Santa Cecilia” të Romës (Itali). Që në moshë fare të re kam qenë
anëtar i korit, bandës dhe më vonë i orkestrës simfonike të shkollës
françeskane dhe të shoqërisë “Antoniane” të qytetit. Mbas çlirimit, gjatë
viteve 1945-1947, kam punuar si përgjegjës i muzikës pranë Radio Shkodrës. Mbas
mbarimit të shërbimit ushtarak, në vitet 1945-1951 jam emëruar dirigjent pranë
Ansamblit Artistik të Ushtrisë. Nga viti 1951 deri në 1956 kam studiuar për
kompozim më Konservatorin Shtetëror të Moskës “P.I. Çajkovski”, ku jam
diplomuar për kompozim me vlerësimin “shkëlqyeshëm”. Mbas kthimit në atdhe në
janar të vitit 1957, jam ngarkuar me krijimin e Ansamblit të Këngëve dhe
Valleve Popullore, duke qenë dirigjent dhe udhëheqës artistik i tij. Me hapjen
e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, në janar të vitit 1962, jam emëruar
pedagog në klasën e specialitetit të kompozimit e teorisë. Në vitet 1965-1966
jam emëruar udhëheqës artistik i Teatrit të Operas dhe Baletit, duke mbajtur
veprimtari pedagogjike pranë Konservatorit dhe me krijimin e Institutit të
Lartë të Arteve në shtator të vitit 1966, jam emëruar kryetar (Dekan) i degës
së muzikës, duke mbajtur gjithashtu dhe përgjegjësinë e shefit të katedrës së
teorisë, si dhe të dirigjimit. Në vitin
1972 kam dalë në profesion të lirë. Në vitin 1973 jam emëruar rishtazi udhëheqës
artistik i Teatrit të Operas dhe Baletit deri në vitin 1979. Në këtë vit kam
ushtruar profesionin e lirë deri në vitin 1990, vit në të cilin kam dalë në
pension. Në janarin e vitit 1993, me riorganizimin e Akademisë së Arteve jam
kthyer si pedagog pranë degës së muzikës në Akademinë e Arteve, duke dhënë
mësim në specialitetet e kompozimit dhe muzikologjisë. Gjatë tërë veprimtarisë
sime si krijues, që nga hapja e Konservatorit në vitin 1962, nuk jam shkëputur
asnjëherë nga procesi pedagogjik, duke mbajtur normë të plotë pedagogjike në
specialitetin e kompozimit dhe teorisë. Nga klasa ime kanë dalë kompozitorë, që
kanë dhënë dhe po japin një ndihmesë të madhe në zhvillimin e muzikës sonë
kombëtare, ndër të cilët mund të përmenden kompozitorët: Tonin Harapi, Kozma
Laro, Limoz Dizdari, Gjon Kapedani, Agim Krajka, Shpëtim Kushta, Kujtim Laro,
Thoma Gaqi, Aleksandër Peçi, Josif Minga, Haxhi Dalipi, Pirro Koka, Aleksandër
Gashi, Binak Elezi, Gjon Shllaku, David Tukiçi, Isak Shehu, Selim Ishmaku,
Ardian Daja, Ardit Gjebrea, Qezar Alia, Shpëtim Saraçi, Markelian Kapidani.
Kanë kryer studimet në specialitetin e muzikologjisë Ferial Daja, Pirro Miso,
Violeta Strakosha, Klara Kilica, Dorian Nini, Doreida Xhaferri. Kanë studiuar
në klasën time: Aleksandër Çefa, Spiro Kalemi, gjithashtu edhe Feim Ibrahimi,
Gjon Simoni, në specialitetin e polifonisë. Si krijues kam shkruar pothuajse në
të gjitha gjinitë e muzikës simfonike, koncertale, skenike, muzikës së dhomës,
vokale e instrumentale, vepra që kanë gjetur përdorimin e gjerë në planet
mësimore të Akademisë së Arteve e shkollave të mesme të muzikës. Kam përpunuar për solist, kor , orkestër mbi
120 këngë popullore. Në fushën e muzikës skenike të koreografisë kam shkruar
katër balete: “Delina” (1964), “Shqiponja sypatrembur” (1972) balet për fëmijë,
“Lumi i vdekur” (1982), “Vajza e qytetit të gurtë” (1990)
Jorida Pasku
Mapo
Comments
Post a Comment