Lufta e shenjtë-Sandro Magister
Letra të vjedhura. Helme. Arrestime. Në Selinë e Shenjtë po bëhet një përballje e fortë me në qendër kardinalin e fuqishëm Bertone. Ndërsa, Papa është i rrethuar dhe i rënduar nga skandalet
Ka një metodë në këtë çmenduri. Që kur maxhordomi i
Shenjtërisë së Tij përfundoi në burg, spektakli ndryshoi papritur. Në qendër të
skenës nuk është më konflikti mbi përmbajtjen e letrave të vjedhura. Janë
hajdutët. Të gatshëm të komplotojnë nën hijen e një burri plak të veshur me të
bardha. “Po të heqim drejtësinë, çfarë janë mbretëritë përveçse një bandë
hajdutësh?”. Thënia është e Shën Agustinit, por ka qenë Benedikti XVI ai që e
citoi në Enciklikën e tij të parë, e “Deus caritas est” në 2005. Nuk e dinte se
shtatë vjet më pas, ajo do të bëhej imazhi publik i Vatikanit. Një fortesë e
shkatërruar nga vjedhjet, ku s’gjen asnjë cep të padhunuar, as atë “sancta
sanctorum” e cili duhet të jetë tavolina private e papës.
Hajdutët e vërtetë ose të pretenduar të letrave vatikanase
deklaruan në kor për gazetat, në anonimat të plotë, se reaguan kështu pikërisht
për dashurinë ndaj papës, për ta ndihmuar të pastrojë. Dhe është e vërtetë se
asnjë nga keqbërjet e nxjerra në këto dokumente nuk e përfshin atë si person.
Por, është edhe më e vërtetë se e gjithë kjo bie mbi të, pambarimisht. Papa
teolog, i predikimeve të mëdha, i librit mbi Jezusin, është i njëjti që
mbretëron mbi një kuri papnore në mëshirë të fatit, mbledhëse e “egoizmit,
dhunës, armiqësive, mosmarrëveshjeve, xhelozisë”, i të gjitha veseve të
stigmatizuara nga ai vetë në predikimin e të dielës së kaluar në Pentekoste dhe
në shumë predikime të tij të kota të mëparshme. Ishte vetë papa ai që donte si
sekretar Shteti kardinalin Tarçizio Bertone dhe vazhdon ta mbajë në atë vend,
pavarësisht se çdo ditë që kalon thotë të kundërtën.
Në Vatikan, sot, kufiri mes akteve të paligjshme dhe ato të
keqqeverisjes së pastër është bërë shumë i tejdukshëm, thuajse inekzistent.
Prova më e qartë është ajo e këtyre ditëve. Maxhordomi pontific Paolo Gabriele
sapo ishte arrestuar për vjedhje të dokumentave në apartamentin papal, kur
brenda e rreth Institutit për Veprat e Besimit, banka vatikanase, u konsumua
një përballje e padëgjuar dhune, e ndodhur me të njëjtin brutalitet më parë në
një komunikatë zyrtare të vetë Selisë së Shenjtë e më pas në një dokument të
brendshëm i cili përfundoi qëllimisht në duart e gazetave, derisa bota mori
vesh se Presidenti i IVB, Etore Goti Tedeski, kishte humbur besimin e të gjithë
anëtarëve të tjerë të këshillit mbikëqyrës të bankës. Dhe kjo kishte ndodhur, u
tha, për shkak të paaftësisë për të kryer detyrën e tij, për braktisje të
vazhdueshme të vendit të punës, për injorancë ndaj detyrave, për sjellje personale
“gjithnjë e më të çuditshme”, natyrisht edhe për shpërndarje të dyshuar
dokumentash të rezervuara, pra, për një total prej nëntë akuzash në fije të
fyerjes, të hedhura në votë dhe miratuara një për një nga bordi i rinovuar i
këshilltarëve: gjermani Ronaldo Herman Shmic i Deutsche Bank; amerikani Karl
Albert Anderson i Cavalieri di Comolmbo; spanjolli Manuel Soto Serrano i Banco
di Santander dhe italiani Antonio Maria Maroko, noter në Torino dhe i kooptuari
i fundit.
Deklarata me njoftimin për kërkesën e shkarkimit të Goti
Tedeskit përfundonte duke theksuar se ditën tjetër, e premte 25 maj, do të
mblidhej komisioni mbikëqyrës i kardinalëve për IVB, i vetmi që mund të
ekzekutonte mocionin e këshilltarëve. Në fakt, mbledhja u mbajt, por pa ndonjë
deklaratë zyrtare. Formalisht Goti Tedeski nuk është shkarkuar ende, dhe po
mpreh armët për të dhënë arsyet e veta. Por, ndërkaq konflikti është zhvendosur
aty ku ka më tepër rëndësi, brenda komisionit të kardinalëve. Aty ku është
Bertoni si president, por gjendet edhe Atilio Nikora, i cili nuk ka shkuar
asnjëherë mirë me të, dhe Zhan-Luis Turan që, si ish ministër i Jashtëm i
Selisë së Shenjtë, nuk e përtypi kurrë besimin e sekretarisë së Shtetit një jo
eksperti në diplomaci si Bertone. Dy kardinalët e tjerë të komisionit jetojnë
njëri në Indi, Telesfor Plasidus Topo, e tjetri në Brazil, Odilo Pedro Sherer.
Mungesa të justifikuara.
Përballja e fundit mes Bertones dhe Nikoras ishte për
normativen e paraqitur në Qytetin e Vatikanit për futjen në “listën e bardhë”
ndërkombëtare të Shteteve me standardin më të lartë të riciklimit të parave të
pista. Ligji, e 127 në numrin vatikanas, hyri në fuqi më 1 prill 2011, dhe
kontekstualisht Benedikti XVI, me një vendim personal, e pajisi Vatikanin me
një Autoritet të Informacionit Financiar, të drejtuar nga Nikora, me fuqi
absolute kontrolluese mbi çdo lëvizje parash që kryhej nga cilado zyrë e
brendshme ose e lidhur me Selinë e Shenjtë, përfshirë IVB-në dhe sekretarinë e
Shtetit.
Por, sapo u nis kjo normativë, menjëherë filloi kundërsulmi.
Menaxhimi i IVB-së, sekretaria e Shtetit dhe guvernatorati kundërshtuan se me
këtë Vatikani humbte sovranitetin e vet dhe bëhej një “enklavë” e fuqive të
jashtme bankare, politike dhe gjyqësore. Rishikimin e ligjit ia besuan një
avokati amerikan tek i cili besonin, Xhefri Lena, dhe dimrin e shkuar, për
dekretin, nisën hartimin e një tjetri, që kufizonte fuqitë hetuese të
Autoritetit të Informacionit Financiar. Nikora dhe Goti e quajnë ligjin e ri
127 “një hap mbrapa”, që do t’i kushtojë Selisë së Shenjtë mosfutjen në “listën
e Bardhë”.
Kardinali Bertone fajësohet edhe për fushatën e drejtuar
prej tij në vitin 2011 për blerjen, me paratë e IVB-së, e Shën Rafaelit,
spitalit pararojë të krijuar në Milano nga një prift i shumëdiskutuar, don Luixhi
Verze, që ka rënë në një humnerë borxhesh. Në fillim, Goti Tedeski mbështeti
ofertën e blerjes, por shumë shpejt kaloi në krahun e kundërshtuesve, mes të
cilësve ishin kardinalët Nikora dhe Anxhelo Skola, arqipeshkvi i ri i Milanos,
dhe vetë Benedikti XVI, tërësisht kundër blerjes jo vetëm për përfshirjen
direkte të Selisë së Shenjtë në një çështje mondane shumë larg qëllimeve të saj
shpirtërore, por edhe sepse në Shën Rafael dhe në universitetin e saj
praktikohen aktivitete dhe zhvillohen mësime në kundërshtim të plotë me
doktrinën katolike, dhe sigurisht nuk mund të zëvendësohen në bllok të gjithë
mjekët, shkencëtarët dhe profesorët.
Në fund, Bertone u dorëzua dhe Shën Rafaeli u ble nga një
sipërmarrës italian i dorës së parë në sektorin e shëndetësisë, Xhuzepe Roteli.
Por, për sekretarin e pashtershëm të Shtetit, ëndrra për të krijuar një pol
spitalor katolik nën kontrollin dhe drejtimin e Vatikanit vështirë se mund të
vdesë. Siç tregon një tjetër përpjekje e dështuar e tij: blerja e Gemelli-t, poliklinika
romake e “Universita Cattolica del Sacro Cuore”, i njohur në botë sepse
mikpriti dhe kuroi Papa Gjon Palin II.
Për blerjen e Gemelli-t kishte një dalje të detyrueshme:
kontrolli i institutit themelues dhe promotor i Universitetit Katolik, Toniolo,
i cili kontrollohej nga Konferenca ipeshknore italiane dhe tradicionalisht e
drejtuar nga arqipekvia e Milanos. Prej vitesh, Toniolo kishte qenë objektivi i
një konvikti, që synonte të përjashtonte me çdo mënyrë eksponentët e saj më të
lidhur me kardinalin që kishte qenë president i Cei-t deri në vitin 2007,
Kamilo Ruini. Sulmi i vitit 2009 që goditi Dino Bofon, anëtar i Toniolos dhe
drejtor i të përditshmes së Cei-t “Avvenire”, me akuza për homoseksual që më
pas u quajtën të rreme nga vetë gazeta që i kishte botuar, ishte çasti më i
egër i kësaj lufte. Bertone nuk e mbrojti.
Operacioni Shën Rafaeli, sulmi ndaj Bofos, përpjekja për
blerjen e Gemelli-t, preteksti i Bertones për të parakaluar Cei-n në rolin e
udhëheqësit të Kishës në Itali. Të gjitha lidhen. Në 2010, i papërmbajtshmi
sekretar i Shtetit, duke lëvduar një të dërguar të pretenduar të Benediktit
XVI, madje i kërkoi me shkrim kardinalit Dionixhi Tetamanzi të linte
presidencën e Taniolos. Arqipeshkvi i Milanos u irritua. Dhe Benedikti XVI I dha
të drejtë të dytit, pasi i thirri të dy në një përballje para tij. Edhe kjo
korrespondencë u vodh dhe u bë publike.
Në një letër publike peshkopëve të të gjithë botës, në 2009,
Benedikti XVI ndëshkoi: “Nëse kafshoheni dhe haheni me njëri pas tjetrit, të paktën
mundohuni të mos shkatërroni njëri-tjetrin”. Këto fjalë i kishte huazuar nga
shën Pali. Sepse në fillimet e krishtërimit ka pasur kundërshtime të egra. Në
21 majin e shkuar, gjatë dollive në një darkë mes kardinalëve, kishte folur me
besim: “Jemi në skuadrën e Zotit, pra në skuadrën fituese”. Por, ç’mund, kur
gjithçka i shkon kundër, edhe pse “i maskuar me të mirën”. Më parë, kardinalëve
u kishte cituar shën Agustinin: “E gjithë jeta është një luftë mes dy
dashurive: dashurisë për veten deri në përçmimin e Zotit; dashuri për Zotin
deri në përçmimin e vetes”. Dhe kishte shtuar: “Jemi në këtë luftë dhe për këtë
është e rëndësishme të kemi disa miq. Për sa më takon, unë jam i rrethuar nga
miqtë e kolegjit kardinal, ndihem i sigurtë në shoqërinë e tyre”. Edhe atë
Federiko Lombardi garantoi, më 29 maj: “Nuk ka asnjë kardinal mes të dyshuarve
dhe hetuarve”. Por, pa dashur t’u prishim rehatinë hetuesve, jo të gjithë
kardinalët “miq” luajnë në skuadër ashtu siç dëshiron papa.
L'espresso
Comments
Post a Comment