Ray Bradbury: Libri duhet të erëmojë; librit duhet t’i lutesh
Stephen Andrew Hiltner
Nuk jam rritur duke lexuar The Paris Review. Takimi im i
parë me këtë revistë -e pranoj me njëfarë turpi- erdhi kur isha në universitet,
kur ndesha një intervistë të Milan Kunderës. (Po shkruaja një tezë për
përkthimet dhe citimi të cilin mora nga TPR nuk arriti të meritonte as edhe një
fundnotë.) Po të më pyesnit një vit a diçka e tillë më vonë, kur isha duke
aplikuar për stazhin, se çfarë do të thoshte për mua kjo revistë, nuk mund të
jepja një përgjigje të çiltër. Nuk do të thoshte dhe aq për mua. Unë doja një
këmbë në prag të New York-ut dhe The Paris Review dukej si derë e mirë për
këtë.
Numri i fundit sapo ishte mbyllur, pak para se të filloja
unë aty, kështuqë javët e para ishin të qeta. Lexoja artikujt e dërguar,
shpërndaja postën. Më pas mbërriti edhe detyra ime e parë: do të botonim një intervistë me Ray
Bradbury dhe kishte nevojë për konfirmim të fakteve. Dola vullnetar.
Ray Bradbury ishte asokohe 89-vjeçar. Ai kishte pasur një
atak në vitin 1999 dhe kjo dukej në dorëshkrimin e intervistës: ngatërronte
emrat, datat, vitet; ai u vishte tituj librash autorëve të gabuar; frazat që i
vinin në kujtesë-mbaj mend në veçanti një nga Moby Dick-ishin, nëntë në dhjetë,
trillime. Do me thënë, punë sa të duash. Por çka gjeta në intervistë ishin
gjëra që mua më kishin shpëtuar gjatë shumicës së kohës si student-vite të
shpenzuara me gjasë duke fituar një edukim në letërsi. Ai promovon miqësinë,
dashurinë, vetë-njohjen, bukën e përditshme të poezisë. Ai na instrukton të
lexojmë çdo lloj letërsie e cila na tërheq. (Duke folur për ndikimet, ai e quan
veten “një konglomerat dunash kitch-i”). Flet për “fiction-in e ideve”, një
term që e përdor për të përshkruar nevojën e letërsisë për t’u përfshirë me
zhvillimet e mëdha në shkencë, art dhe kulturën bashkëkohore në tërësi.
Paralajmëron kundër rreziqeve të snobizmit intelektual. (Nëse do e kisha marrë
vesh se Norman Mailer më pëlqente”, thotë ai, “do të kisha vrarë veten”.) Ai
thekson rëndësinë parësore të bibliotekave publike. Në ditët e para të
e-librave dhe Kindle tha “ata nuk janë libra”. “Një libër duhet të erëmojë.
Duhet ta mbash në dorë dhe të lutesh para tij”), mbrojti ai kauzën e librave të
shtypur.
Nëse nuk e ke lexuar intervistën e tij në Paris Review,
atëherë bëje. Kur të kesh mbaruar dhe kur t’i kesh lënë ca kohë që të
përthithet, lexoje sërish. Është arsyeja se pse unë e mora seriozisht punën
time në Paris Review. Është arsyeja se pse jam editor sot. Dhe është, në pjesën
më të madhe, arsyeja se pse shkruaj.
Bradbury nuk do ia kish dalë sot si shkrimtar në New York;
ai ishte me shumë thepa, shumë i pa rafinuar, shumë i ngrohtë. (Kritikëve
njujorkezë u atribuoi një negativizëm “tmerrësisht kreativ”. Por Ray Bradbury,
që kurrë nuk shkoi në kolegj, ishte krejtësisht prodhim i bibliotekave, kishte
atë që shumë prej shkrimtarëve të sotëm të sofistikuar me mastera në artet e
bukura u mungon: pasion, vitalitet, reagim emocional. Dhe, ndoshta më e
admirueshmja, ai gjeti një rrugë për ta bartur imagjinatën e tij përtej kufijve
të fëmijërisë, ndërkohë që shumë prej nesh kaq shpesh e lëmë pas.
Një pjesë e intervistës më krijoi më shumë telashe me
konfirmimin e fakteve se gjithë pjesët e tjera bashkë: pjesa që flet për
frymëzimin kryesor letrar të Bradbury-t Mr. Electrico. Historia e takimit të
tyre është e mirënjohur -ai e tregonte shpesh- por askush asnjëherë nuk e ka
konfirmuar ekzistencën e Mr. Electrico. (Drejtori i Center for Ray Bradbury
Studies më tha më vonë, në telefon, se kërkimi për Mr. Electrico ishte Grali i
Shenjtë i letërsisë së Bradbury-t”). Rrëmova nëpër gazeta bashkëkohore të
Waukegan, Illinois; postova në sajte që merren me historinë e cirkut; gërmova
në lëmin e posterave dhe programeve të America Circus Collection. Asgjë. As
edhe një shenjë.
E gjithë kjo pjesë – më e mira e intervistës, sipas mendimit
tim, ose të paktën pjesa më karakteristike për narrativën e tij – ra në
gijotinë. Por ishte kaq integrale për intervistën, sa editori Philip Gourevitch
dhe editori i fiction-it, Nathaniel Rich, e gjetën një mënyrë për ta mbajtur,
kryesisht me anë të një dyshimi mbi faktet e pyetjes pararendëse të
intervistuesit. Dhe kështu u publikua ekzaktësisht siç e kujtonte ai: historia
e Ray Bradbury-t që vrapon nga një funeral për të gjetur një artist cirku
të Dill Brothers, që i jep kuptim gjithë
jetës së tij.
“Shtatëdhjeteshtatë vjet më parë”, përmbyll ai, “dhe e mbaj
mend si dje. Shkova dhe e ndoqa atë natë. Ai u ul në karrige me shpatën e tij,
ata takuan çelësin, dhe flokët iu ngritën përpjetë. Ai zgjati shpatën dhe i
preku të gjithë ata që ishin ulur në radhën e parë të sallës, vajza e djem,
burra e gra, me rrymën e korrentit që dilte nga shpata e tij. Kur m’u afrua
mua, më preku në ballë dhe në hundë dhe në mjekër dhe më tha me pëshpërimë:
‘jeto përjetësisht’. Dhe unë vendosa që të bëj pikërisht këtë”.
Është kaq qartësisht e mrekullueshme për të qenë e vërtetë,
apo jo? Dhe unë isha konfirmuesi i fakteve. Dhe, nëse ata do t’i kishin hequr
qoftë edhe një fjalë, unë do ta kisha shpikur një burim dhe ta fusja në
intervistë.
*Editor në The Paris Review.
Comments
Post a Comment