Philip Roth kurorëzohet me “Princin e Asturias 2012”
Shkrimtari amerikan, Philip Roth, është fituesi i çmimit
“Princi i Asturias 2012” për letërsi. Tashmë 79-vjeçar, fitues i disa çmimeve
prestigjioze letrare (mes të cilëve edhe “Pulitzer”) dhe disa herë kandidat për
çmimin “Nobel”, Roth ka triumfuar mbi 23 pretendentë nga e gjithë bota, duke
mundur kështu edhe japonezin Haruki Murakami, kanadezen Alice Munro, irlandezin
John Banville dhe francezin Dominiqur Lapierre, të përfolur për këtë çmim. Ky
çmim i rëndësishëm spanjoll pati jehonën e tij në Shqipëri, pas vlerësimit të
shkrimtarit Ismail Kadare në vitin 2009.
“Vepra e Philip Roth ka një rol shumë të rëndësishëm në
letërsinë e Amerikës së Veriut dhe është vazhduese e traditës së Dos Passos,
Scott Fitzgerald, Hemingway, Faulkner, Bellow e Malamud”, ka thënë presidenti i
jurisë, Jose Manuel Blecua. I lindur në vitin 1933, me origjinë hebraike,
Philip Roth është një shkrimtar me famë ndërkombëtare, shumë herë i përfolur
për “Nobelin”, por edhe i kritikuar për ligjërimin e errët. Shkrimtari amerikan
ka ardhur për lexuesin shqiptar përmes botimit të “Skanderbeg Books”.
Një vit më parë, kjo shtëpi botuese ka botuar romanin e tij
“Inati”, “Del Hija”, “Ankimi i Portnoit” dhe së fundmi “Martesë me një
komunist” dhe “Përulja”. Vetë Roth, duke folur për çmimin “Princi i Asturias”,
ia ka dedikuar atë mikut të tij të ndjerë, shkrimtarit Carlos Fuentes, i ndarë
vetëm pak javë më parë nga jeta. Fuentes ka qenë më parë fitues i këtij çmimi,
i cili vitin e shkuar shkoi për këngëtarin kanadez dhe poetin Leonard Cohen.
“Është shumë prekës fakti që unë e mësoj marrjen e këtij
çmimi vetëm pak javë pas vdekjes së Carlos Fuentes, i cili e ka marrë këtë çmim
në vitin 1994”. Carlos ishte një mik shumë i shtrenjtë i imi dhe një koleg
shumë bujar për dekada dhe ishte padyshim romancieri më i mirë që shkruante
spanjisht në vendin tonë. Do të doja të ishte gjallë, që të dëgjoja zërin e tij
të ëmbël nga ana tjetër e telefonit, teksa më jepte urimet sipas mënyrës së
tij”, ka theksuar Roth.
Shkrimtarit i shkon me këtë rast një shpërblim prej 50 mijë
eurosh dhe një skulpturë e realizuar nga Joan Miro, ndërkohë që ceremonia
madhështore do të organizohet gjatë vjeshtës së këtij viti në Teatrin Campoamor
në Oviedo, në praninë e princit Felipe di Borbone dhe të bashkëshortes së tij
Letizia. Me këtë rast, Roth, por edhe fituesit e kategorive të tjera të këtij
çmimi, që ndahet prej vitit 1981, mbajnë një fjalim të posaçëm.
Philip Roth është tashmë një shkrimtar me famë
ndërkombëtare, por edhe një karakter shumë i mbyllur. Roth është rebeluar shpesh
ndaj faktit që atë sot e cilësojnë si shkrimtari më i mirë hebre që është
gjallë.
“Kjo gjë më inatos jashtë mase. Do të doja të më
konsideronin si një prej shkrimtarëve më të mirë amerikanë në gjallje”, ka
thënë ai në një prej intervistave të tij të shkurtra. I pyetur nëse ekziston
apo jo letërsia hebreo-amerikane, ai përgjigjet: “Dallimet etnike sot cilësohen
vetëm për oportunizëm. Çdo etni bëhet objekt studimi dhe çdo universitet që ka
fonde promovon tribunë e vet. Kështu kemi ‘letërsinë e zezë’, ‘letërsinë
hispanike’ apo ‘letërsinë e grave’. Kjo është absurde. Ashtu siç është absurde
të thuash për Don de Lillo se është shkrimtar italo-amerikan, John Updike një
shkrimtar kristiano-amerikan, apo Saul Bellow një shkrimtar hebreo-amerikan”.
Libri që i dha famë ishte së pari “Ankimi i Portnoit” i
botuar më 1969-n, që u kritikua për përshkrimet seksuale dhe të masturbimit, e
madje u quajt edhe skandaloz nga një pjesë e mirë e kritikës. Roth flet ftohtë
për këtë prirje të tij të të trajtuarit të seksualitetit në librat e tij.
“Më ka interesuar gjithmonë të kuptoja se çfarë ndodh në
jetën e personave kur në mes hyn seksi. Ka qenë një temë me shumë rëndësi, edhe
pse tani nuk më tërheq më si dikur”, thekson shkrimtari.
“Amerika është një vend i mrekullueshëm për të jetuar, falë
lirisë sonë politike, ideologjike, personale dhe fetare. Ky vend të siguron
lirinë nga origjina jote nëse do që ta mohosh, apo liri nga opinioni publik
nëse do ta hedhësh në det. Në asnjë vend tjetër të botës, shkrimtarët nuk
gëzojnë lirinë që kemi ne që nga 1776, viti i shpalljes së pavarësisë. Prandaj
ta përshkruash Amerikën ose një nga shkrimtarët e saj me dy fjalë, është një
humbje kohe, të cilën ua lë injorantëve”, ka thënë Roth. Në fakt, shumë nga
kritikët, për të kuptuar Roth dhe karakterin e tij, sugjerojnë leximin e
librave të këtij shkrimtari, që gjenden edhe në shqip.
Comments
Post a Comment