Ermonela Jaho nominohet nga “BBC Music Magazine”



Revista britanike “BBC Music Magazine” ka lançuar thirrjen: “Votoni për incizimet më të mira të muzikës klasike të vitit 2012”. Në mesin e 21 nominimeve, është edhe DVD-ja e shfaqjes operistike “Il Trittico”, në të cilin sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ka portretizuar personazhin e Angelicas në pjesën “Sour Angelica”.
Përveç kësaj kategorie, në garën e “BBC Music Magazine” përfshihen edhe nominimet për vokal, intrumental, orkestrim, vepër korale e kamertale. Nominimet janë propozuar nga një juri e kritikëve të revistës, të cilët kanë shqyrtuar 250 incizime të realizuara gjatë vitit 2012.
 “Sour Angelica, roli më sfidues, është realizuar në mënyrë gjeniale nga Ermonela Jaho”, është përshkrimi që juria i ka bërë DVD-së “Il Trittico”, e që është publikuar në ueb faqen e “BBC Music Magazine”.
Pjesë e kastës së artistëve janë edhe baritoni Lucio Gallo, tenori Aleksandrs Antonenko, sopranoja Eva-Maria Westbroek, tenori Alan Oke, mezosopranoja Irina Mishura. Shfaqja operistike është inskenuar në “Royal Opera House” të Antonio Pappanos, nën udhëheqjen e dirigijentit Richard Jones.
Sopranoja Ermonela Jaho gjatë karrierës së saj është ngjitur në teatro prestigjiozë, duke përfshirë “Metropolitan Opera” në New York, “Opera de Marseille”, në Paris e shumë të tjera. Gjatë viteve të karrierës së saj ajo është mishëruar me role të shumta. Ka veshur “petkun” e Anna Bolenas, Violettas, Maria Stuardas e shumë personazheve të tjera. Në dhjetor të vitit 2011, ajo i ishte bashkuar Filarmonisë – Opera e Kosovës në një koncert bamirës, të organizuar nga shoqata “Nënë Tereza” me seli në Gjermani. Në vitin që lamë pas, sopranoja Ermonela Jaho shkëlqeu edhe në operën “Manon”, një opera prej 3 orë e 40 minuta, kënduar në gjuhën frënge.
Ky ishte një tjetër bashkëpunim mes Royal Opera House, Covent Garden, Londër; Metropolitan Opera, New York, Theatre du Capitole, Toulouse. “BBC Musis Magazinë” është revistë mujore, e cila botohet në Britaninë e Madhe dhe i dedikohet në radhë të parë muzikës klasike, por edhe asaj jazz. Votimet për të zgjedhur incizimet më të mira të vitit, do të pranohen deri më datë 23 të muajit shkurt. Linkun me thirrjen për të votuar në profilin e saj në rrjetin social “Facebook” e ka shpërndarë edhe Jaho. Votimi mund të bëhet në www.classical-music.com.

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve