Një hero i heshtur - Janusz Korczak, babai i të drejtave të fëmijëve
Janusz Korczak pediatër dhe pedagog, autor librash për
fëmijë dhe luftëtar për të drejtat e fëmijëve në 1942 shoqëroi vullnetarisht në
kampin e shfarosjes jetimët nga jetimorja e getos së Varshavës.
Monumente përkujtimore, statuja dhe piktura e mbajnë të gjallë
kujtimin ndaj tij: Një burrë në mes të fëmijëve, më i vogli në krahët e tij -
në rrugën drejt kampit të shfarosjes. Më 5 gusht 1942 herët në mëngjes ushtarët
SS zbrazën jetimoren e drejtuar prej Janusz Korczak në geton e Varshavës. Ai i
drejtonte të 200 fëmijët e marrë në mbrojtje në sheshin Verlade, prej nga ata u
deportuan për në Treblinka. Mjeku polako-hebre ndonëse kishte mundësinë t'i
shpëtonte vdekjes, i refuzoi të gjitha ofertat për ndihmë nga të njohurit dhe
miqtë, sepse ai nuk donte t'i linte fëmijët në baltë. Në fund ai vet i bindi
ushtarët SS që ta lejonin të shkonte me fëmijët.
"Në të gjitha getot hebreje në Poloninë e pushtuar prej
Hitlerit edukatorët, mësuesit dhe mjekët shkuan drejt vdekjes bashkë me fëmijët
që u ishin besuar atyre. Kjo ka të bëjë me vetëdijen asokohe për
përgjegjësinë", shpjegon biografja e Korczak-Biografin Joanna
Olczak-Roniker në bisedë për Deutschen Welle.
Janusz Korczak, hebre dhe polak njëkohësisht
Në biografinë e saj të Korczak botuar në vitin 2012 në
Gjermani autorja zbulon fytyrën njerëzore pas mitit të martirit. "Korczak
do të ishte indinjuar po ta kishin shpallur shenjtor. Sepse vajtja e guximshme
e tij drejt vdekjes me fëmijët do ta kishte spostuar në hije të gjithë jetën e
tij të guximshme", thotë ajo. Shkrimtarja dhe skenaristja polake e ka
njohur Korczak në fëmijërinë e saj. Ai kishtemiqësi me gjyshin e gjyshen e saj,
dy botues nga Krakovi. Nëna e saj pak pas luftës ka shkruar librin e parë për
Korczak për të dokumentuar heroizmin e tij.
Janusz Korczak u lind me emrin Henryk Goldschmidt në një
familje të kamur hebrejsh të asimiluar në Varshavë. Goldschmidt-ët asnjëherë
nuk u shkëputën nga hebraizmi dhe jetonin me besimin, se mund të jesh
njëkohësisht hebre dhe polak. Këtë bindje kishte edhe Janusz Korczak. Ai studioi
mjekësi dhe më vonë u bë një mjek pediatër i njohur. Shumë shpejt atij iu desh
të kudjesej për të mbajtur familjen, sepse babai u shtrua në psiqiatri. Mjeku i
ri nisi të shkruajë romane për fëmijë. Me emrin Janusz Korczak, që ai e mbajti
si pseuodim, ai fitoi një konkurs letersie. "Ai e njihte frikën dhe
vuajtjet e fëmijëve nga përvoja e vet. Këtë dije ai donte t'ua transmetonte
edhe prindërve", shpjegon biografja e Korczak Joanna Olczak-Roniker.
Korczak krijoi familjen e vet. Në 1912 ai mori përsipër
drejtimin e një jetimoreje të ndërtuar sipas planeve të tij në Varshavë. Kjo
jetimore shumë shpejt tërhoqi pedagogë refomatorë, të cilët që në atë kohë e
njihnin pedagogjinë inovative të Korczak. Jetimët e tij ishin më të gëzuar, më
të vetëdijshëm se fëmijët nga jetimoret e tjera, sepse Korczak i kushtonte
vëmendje të veçntë trajtimit të tyre si njerëz me vlera. Për pediatrin nga
Varshava dinjiteti njerëzor i fëmijëve ishte në plan të parë. Ai u stimulonte
atyre individualitetin dhe i refuzonte dënimet me rrajhe, stërvitje me detyrim
dhe imponimin.
Dashuri e pakompromis ndaj fëmijëve
Korczak insistonte para së gjithash tek e drejta e fëmijës,
që ata të jenë ashtu siç janë, të respektohet e drejta e tyre për vëmendje, për
përkushtim aktiv dhe pozitiv dhe për ngrohtësi njerëzore. Me këtë ai hodhi një
gur themeltar për të drejtat e sotme të fëmijëve, të përcaktuara në Konventën e
OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve. Në vitet 1930 nën pseudonimin "Doktor i
vjetër" ai moderonte në radion polake një emision të vetin radiofonik, në
të cilin ai fliste me fëmijët për fëmijët.
Në jetimoren e Varshavës në rrugën Krochmalna Korczak i
vinte në jetë idetë e tij pedagogjike. Këtu u krijua modeli i një republike të
vetëadministruar demokratike të fëmijëve me një parlament të fëmijëve dhe me
një gjyq fëmijësh, ku ata vet vendosnin për "dënimet për shfajësim".
Në jetimoren e Korczak shtypej edhe gazeta e parë e përshtatur për fëmijë: Mały
przegląd - rishikimi i vogël. Mbi ndërtesën me ngjyrë të çelët
dhe me një koncept miqësor valëvitej flamuri i gjelbër i "republikës së
fëmiëjve".
1940 jetimëve iu desh të transferoheshin në geton e
Varshavës, por Korczak vazhdonte t'u jepte kurajo fëmiëjve dhe i edukonte ata
për një të ardhme në liri. Kur nazistët deportuan Korczak dhe fëmijët e tij nga
getoja, rrugës drejt kampit të shfarosjes, pianisti dhe kompozitori hebre
Wlasyslaw Szpilman ishte dëshmitar okular. Në kujtimet e tij ai e përshkruan
mjekun, që u jepte guxim fëmijëve: "Jemi duke shkuar në fshat, një rast
për t'u gëzuar, u thoshte ai fëmijëve. (...) Me siguri që 'doktori i vjetër'
ende s'kishte dëgjuar për dhomat e gazit dhe kur ky ciklon po mbyste grykët
fëminore dhe në zemrat e fëmijëve po depërtonte frika në vend të gëzimit dhe
shpresës, ai me fuqitë e fundit pëshpërsite: 'Asgjë, kjo s'është gjë
fëmijë" - për t'ua zbutur tmerrin të vëgjelvë të tij gjatë tranzicionit
nga jeta në vdekje."
"Kur një fëmijë qesh, qesh e gjithë bota"
Romani më i njohur i Korczak mban titullin "Mbreti
Macius i parë" - një roman edukativ, i cili drejtohet kundër paternalizmit
të fëmijëve. Shkrimet pedagogjike të Korczak janë edhe sot aktuale, thotë
Diedrich Steen, drejtues i shtëpisë botuese "Gütersloher Verlagshaus",
që ka botuar veprën e plotë të Korczak. "Shkrimet e tij bëjnë pjesë ndër
të tjera edhe në literaturën për kualifikimin e edukatoreve në Gjermani. Parimi
i Korczak, që fëmijët kanë personalitetin individual dhe dinjitetin e tyre,
luan një rol qendror në arsimin pedagogjik."
30 vjet pas vdekjes së tij në kampin e shfarosjes Treblinka
- në vitin 1972 Janusz Korczak posthum u nderua me Çmimin e Paqes të Rjetit
gjerman të Shpërndarjes së Librit. Shumë shkolla, jetimore, rrugë e sheshe në
mbarë Gjermaninë mbajnë emrin e mjekut dhe pedagogut, i cili ka shkruar:
"Kur një fëmijë qesh, qesh e gjithë bota".
DW
Comments
Post a Comment