Historia e shkruar nga burrat i ka dënuar zonjat e tyre me harresë



Enciklopedia e grave (http://www.enciclopediadelledonne.it) përmend një numër të madh femrash, nga Katerina e Sienës tek Tina Pica, shumë prej të cilave padrejtësisht janë harruar. Nga ana tjetër, që në vitin 1690, Gilles Ménage shkroi historinë e grave filozofe, ku përmend sokratiken Diotima, sirenasen Aretia, megariken Nikarete, ciniken Hiparkia, Teodora peripatetiken (në kuptimin filozofik të fjalës), epikurianen Leoncia, Themistoklea pitagoriken, për të cilat dimë shumë pak.
Dhe është e drejtë që shumë prej tyre tash janë terrur në harresë. Por ajo ç’ka na mungon është enciklopedia e bashkëshorteve. Thonë se pas çdo burri të madh qëndron një grua e madhe (për çudi e kundërta nuk është e vërtetë, mjafton të kujtojmë dy Elisabetat e Anglisë), e mund t’ia fillojmë nga Justiniani e Teodora për të mbërritur, po të doni, tek Obama dhe Michelle. Por, përgjithësisht, zonjat nuk para zihen ngoje. Nga lashtësia klasike e këtej, më shumë vinin në refené dashnoret se bashkëshortet. Clara Schumann apo Alma Mahler njihen më shumë për historitë e tyre jashtë dhe pas martese. Tekefundit, e vetmja bashkëshorte që kujtohet si e tillë është Ksanthipi, por amá përmendet për keq.
Më ra në dorë një libër i Pitigrilli-t, që historitë e tij i ka dendur plot me citime erudite, shpeshherë me emra të gabuar (rëndon, Yung në vend të Jong) dhe më shpesh akoma me anekdota kote, që ec e gjeje nga i ka peshkuar. Na kujton aty edhe qortimin e Shën Palit "melius nubere quam uri" - po s’duroni dot, më mirë martohuni (ja një këshillë e mirë për priftërinjtë pedofilë), por vëren se pjesa dërmuese e njerëzve të famshëm, si Platoni, Lukreci, Horaci e të tjerë, kanë qenë beqarë.
Po kjo nuk është e vërtetë, ose të paktën nuk është krejt kështu. Për Platonin s’kemi ç’themi; nga Diogjen Laerci dimë që shkruante epigrame vetëm për djelmosha shumë të lezeçëm, edhe pse ndër nxënësit e tij kishte marrë edhe dy femra, Lasteninë dhe Asiotenë dhe ndonëse thoshte se një njeri i virtytshëm duhet të martohet. Duket i rëndonte paq martesa fatkeqe e Sokratit. Aristoteli në fillim u martua me Pician, mandej, pas vdekjes së saj, u lidh me Herpilidën, s’merret vesh e mori për grua apo e mbante si dashnore, porse, falë bashkëjetesës me të, e kujtoi me aq dashuri kur bëri testamentin. Mos harrojmë edhe faktin se me të pati një djalë, Nikomakun, emrin e të cilit e mori më pas njëra prej Etikave të tij.
Horaci nuk pati as grua dhe as fëmijë, por nga sa shkruan dyshoj se ndonjë dashuriçkë ia lejonte vetes. Virgjili, i ndrojtur siç qe, nuk e merrte guximin të hapej për këto gjëra, por flitej se e kish pasur një lidhje me të shoqen e Vario Rufos. Ndërsa Ovidi u martua tri herë. Burimet e lashta s’na thonë hiçgjë për Lukrecin; një shënim i Shën Jeronimit lë të kuptohet se kreu vetëvrasje ngaqë u çmend kur piu një bar dashurie, por mos harrojmë se shenjtorit i shkonte pas midesë që ateistin e rrezikshëm ta merrnin për të çmendur. Nisur nga kjo meselé, tradita mesjetare dhe humaniste sendërgjuan njëfarë Lucila, bashkëshorte a dashnore misterioze, magjistricë a grua e dashuruar, e cila ia porositi barin tek një magjistare. Flitej edhe se ilaçin Lukreci e pati gjetur vetë, por sidoqoftë Lucilën nuk e mbanin mend për mirë. Dhe, gjithë sa thamë, vetëm po ia ka futur kot Pomponio Leto-ja, sipas të cilit Lukreci vrau veten nga dashuria e mjerë për njëfarë Asterisco (sic).
Duke ecur mes shekujsh vijmë tek Dantja, që thurri fantazi pa fund për Beatriçen, por u martua me Gemma Donatin, ndonëse nuk e përmend kurrë. Të gjithë mendojnë se Dekarti ka qenë beqar (ngaqë pati jetë të trazuar dhe vdiq shumë shpejt), por në fakt, nga një shtëpiake që e pati njohur në Holandë, Helena Jans van der Strom, dhe që e mbajti si shoqe për disa vjet, ndonëse e njohu vetëm si colf, pati një vajzë, Fransinën, e cila vdiq vetëm 5 vjeçe. Megjithatë, ndryshe nga gojët e botës, atësinë ia pati njohur; sipas disa burimeve, ka patur edhe aventura të tjera.

Për ta mbyllur, duke i mbajtur për beqarë njerëzit e klerit dhe personazhet e shpallur pak a shumë homoseksualë si Cyrano de Bergerac-u (të më ndjejnë për lajmin kaq mizor ithtarët e Rostand-it) apo Wittgenstein-i, i vetmi famëmadh që dihet me siguri se ka qenë beqar i thekur është Kanti. Nuk e thonë, por edhe vetë Hegeli ishte i martuar, madje duket se ka qenë gruar i madh, me një fëmijë jashtë martese dhe tahmanë e kishte të madhe. Kurse Marksin, tejet i lidhur me të shoqen Jenny von Westphalen, s’mund ta përmendim fare.
Por, një çështje na mbetet pa zgjidhur: cili ka qenë ndikimi i Gemmës tek Dantja, i Helenës tek Dekarti dhe i aq shumë bashkëshorteve të tjera për të cilat historia hesht? Po sikur të gjitha veprat e Aristotelit t’i ketë shkruar në të vërtetë Herpilida? Këtë s’kemi për ta ditur kurrë. Historia e shkruar nga burrat i ka dënuar zonjat e tyre me harresë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk