Greqia i kërkon Gjermanisë dëmshpërblim lufte
Një raport sekret i qeverisë greke ngre pretendime për dëmshpërblime gjermane nga Lufta II Botërore. Ministria e Jashtme greke po shqyrton mundësitë nëse mund të ritaktivizohen kërkesat e tilla ndaj Gjermanisë.
Sipas informatave të gazetës "To Vima" ne Ministrinë greke të Financave është hartuar një raport sekret prej 80 faqesh, ku bëhet fjalë për krimet e bëra në kohën e nazizmit. Raporti i një grupi të ekspertëve po vlerësohet tani nga juristët, bën të ditur ministri i Jashtëm Dimitris Avramopoulos.
Raporti duket se konfirmon se Gjermania pas një marrëveshjeje për dëmshpërblim të nënshkruar në vitin 1960 u ka dhënë "viktimave të terrorit nazist", 115 milionë marka gjermane. Nga pikëpamja gjermane, me këto para janë paguar kërkesat greke, ose janë vjetëruar këto kërkesa. Greqia i referohet një marrëveshjeje të nënshkruar në Londër në vitin 1953, sipas së cilës pagesat për dëmet e luftës "shtyhen për periudhën pas nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore".
Ende kërkesa të hapura për dëmshpërblim?
Hagen Fleischer, historian dhe profesor në Universitetin e Athinës, mendon se kërkesat greke janë të arsyeshme: "Pala gjermane ka deklaruar gjatë dekadave të kaluara: ende është herët, sepse Gjermania është e ndarë. Kështu ka qenë në periudhën prej vitit 1953 - 1990. Ndërsa në vitin 1990 u tha: kërkesat janë vjetruar, tani është tepër vonë. Ky është një lloj morali i dyfishtë".
Fleischeri mendon se mbi bazat e marrëveshjes së vitit 1960 nuk janë rregulluar të gjitha kërkesat për dëmshpërblim. "Ky është vetëm interpretimi gjerman", pohon Hagen Fleischer dhe shton: "Ambasadori i atëhershëm grek, Ypsilantis ka bërë të qartë që në atë kohë se nuk janë mbuluar të gjitha kërkesat për dëmshpërblim. Sa për krahasim me këto 115 milionë marka: Holanda e cila ka pasur shumë më pak dëme se Greqia ka marrë një dëmshpërblim shumë më të lartë. Ndaj kjo temë nuk ka përfunduar".
Në raportin e ministrisë së Financave nuk flitet për shifra konkrete. Shoqatat e viktimave flasin për 160 miliardë euro, ndërsa komentatorët flasim për shumëfishin e kësaj shifre. Në raport bëhet fjalë për kërkesat për dëmshpërblim për shkak të viktimave dhe dëmeve materiale si dhe humbjet nga kredia e detyruar që iu desh të japë Banka Qendrore greke, në vitin 1942.
Hagen Fleischer mendon se pala greke duhet të heqë dorë nga kërkesat për kthimin edhe të interesit nga kjo kredi e dhunshme e dhënë regjimit nazist dhe duhet të koncentrohet tek kërkesat për dëshpërblimin e viktimave. Sipas tij, okupatorët e kanë pranuar borxhin nga kredia në vlerë prej 476 milionë marka të atëhershme dhe kanë fillluar pagesat që para përfundimit të luftës.
„Vlera e sotme do të ishte mbase rreth shtatë miliardë euro, por pa llogaritur interesin. Një element plus për palën greke është që regjimi nazist e ka pranuar borxhin“, mendon historiani.
Partia majtiste SYRIZA, fuqia më e madhe opozitare në parlament, po ushtron presion ndaj partive në pushtet për të kërkuar dëmshpërblim prej Gjermanisë. Shefi i kësaj partie Alexis Tsipras pohon se ai e ka hapur këtë temë edhe në takimin me ministrin gjerman të Financave Wolfgang Schäuble, në janar.
Gjermania: grekët më mirë të shohin reformat
Ministri i Financave Schäuble thotë se këto kërkesa nuk kanë kurfarë shansi. Për gazetën „Neue Osnabrücker Zeitung“ ai deklaroi të enjten e kaluar (11.04.) se kërkesat për dëmshpërblime janë sqaruar kaherë. Shumë më mirë do të ishte për grekët nëse koncentrohen tek reformat. Sipas tij, pala greke në këtë mënyrë po përpiqet të zhvendosë vëmndjen nga reformat që duhet bërë.
Në Athinë kanë zgjuar shumë vëmendje kërkesat dhe spekulimet e fundit. Ministri i Jashtëm Avramopoulos thotë se nuk ka kuërfarë lidhjes mes reformave dhe kërkesave për dëmshpërblim. Opozita është shumë e qartë në kërkesat e saj ndërkohë që edhe në mediat greke ka kërkesa të shumta për dëmshpërblim. Gazeta "Ta Nea" shkruan për një "luftë të ftohtë" mes Gjermanisë dhe Greqisë. Ndërsa gazeta majtiste "Gazeta e Redaktorëve" flet madje për një „Pax Germanica“ në Evropë.
Autor: Janis Papadimitriu/ Bahri Cani
Redaktoi: Auron Dodi
DW
Comments
Post a Comment