Zogaj - një fshat shqiptar ndryshe
Fshati kufitar Zogaj në afërsi të qytetit të Shkodrës në veri të Shqipërisë është i përmendur për qilimat tradicionalë dhe jetën që rrjedh disi ndryshe nga të tjerët.
Nëse ke të shtruar në shtëpi një qilim të bukur, gratë në Shkodër gjithmonë do të thonë: "Me siguri ky qilim duhet të jetë punuar në Zogaj, te Nebija, sepse puna e tyre dallohet menjëherë". Megjithëse tendencat për mobilimin e shtëpive janë drejt modernes, kur vjen puna për të shtruar dyshemenë,shumë prej tyre po i kthehen traditës,duke iu larguar tapeteve sintetikë dhe duke i zëvëndësuar ato me qilimat e punuar në mënyrë artizanale. E kështu për të pasur diçka të veçantë në shtëpi shumë gra udhëtojnë përgjatë Liqenit të Shkodërs, për të mbërritur në fshatin turistik të Zogajve,i njohur prej një shekulli për traditën e punimit me mjeshtëri të qilimave. Pasi lë Shirokën, duhet të ecësh 7 km të tjera në një rrugë të ngushtë, ku në njërën anë të shoqëron Mali i Taraboshit,ndërsa në anën tjetër Bregu i Liqenit. Mysafirët sapo shohin tabelën që tregon fundin e udhëtimit pyesin të parin që shohin për Nebijen, që njihet nga të gjithë si "gruaja e qilimave", e cila pasionin e trashëguar nga të parët e ktheu sërish në traditën e humbur për disa vitesh. Por për të mbërritur atje më parë duhet të ngjitësh 200 shkallët karakteristikeqë banorët prej shumë kohësh i kanë sajuar dhe punuar në shkëmb. Ajo çka të bën përshtypje aty janë makinat me targa nga rrethe të ndryshme të venditqë vijnë dhe bëjnë porosi, pikërisht aty, ndonëse ju duhet të udhëtojnë kilometra të tërë. Ky fakt u bë shkas që të kërkonim e të njiheshim nga afër me gruan që i kishim dëgjuar vetëm emrin.
Nebije Qotaj, një grua e imët rreth të dyzetave, i mirëpret mysafirët me një buzëqeshje karakterstike e pa u mërzitur, bisedon gjatë për modelet, ngjyrat e motivet tradicionale, derisa pamja e qilimit të skicuar bukur në fletore, t'i përshtatet shijeve të të interesuarve. Zanatin e kam marrë nga nëna dhe gjyshja, thotë ajo. "Zogajt kanë qenë gjithmonë me nam për qilimat. Dikur kemi qenë të izoluar dhe endja e qilimave ishte mënyra e vetme për të siguruar jetesën, pasi,siç e shihni, këtu nuk ka fare tokë. Kështu,si mjet pune për të jetuar për gratë ishte tezgjahu, ndërsa për burrat peshkimi. Edhe tani duke mos pasur mundësi të tjera jetese vendosa të rikthej edhe një herë këtë trashëgimi me vlerë, qoftë ekonomike apo kulturore dhe të paktën të punësojë disa gra që nuk kanë të ardhura të tjera për të jetuar e mbajtur familjen."
Fillimi i vështirë
Për Nebijen fillimi ka qenë mjaft i vështirë, pasi punën e ka filluar me një tezgjah të vjetër në kuzhinën e shtëpisë, ku filloi të punësonte dhe gra të tjera nga fshati." Këtu të gjitha gratë e moshës sime punojnë shumë mirë se e kanë zanat të trashëguar brez pas brezi, ndaj nuk e pata të vështirë të hap repartin. Me ndihmën e një kredie arrita të blej një shtëpi të vjetër,të modifikoj këtë dhomë rreth 50 metra katrorë duke e kthyer në repart dhe të ndërtoj këto tezgjahe që shihni. Aty punojnë 15 gra,11 nga të cilat janë nga Zogaj dhe katër nga Shiroka. Kërkesat për punësim janë të shumta, por kaq janë mundësitë e mia tani, thotë Nebija me keqardhje pasi e di se edhe për shumë të tjera ky është zanati i vetëm për të siguruar jetesën. Banorët merren me blegtori, ndaj sigurimi i lëndës së parë nuk është i vështirë aty dhe në fshatrat përreth. Pas grumbullimit të leshit të deles, gratë ulen në breg të liqenit për të bërë larjen e tij ashtu si një shekull më parë. Pastaj,vjen rradha e ngjyrosjes ku dominon ngjyra e kuqe dhe e zezë,çka tregon shkëputjen me vështirësi nga tradita e hershme. Më pas në tezgjahe marrin formë qilimat, torbat, rrugicat dhe çantat shumëngjyrëshe.
Klientë vendas e të huaj
"Në fillim kemi punuar vetëm me modelet e vjetra të ndërrmarrjes artistike,më pas, me rritjen e klientelës ato i sillnin vetë modelet,e kështu tashmë kemi shumëllojshmëri disenjosh dhe ngjyrash, thotë Nebija. Cilësia e lartë e punimit dhe çmmimi i leverdisshëm, me sa duket janë arsyet që njerëzit udhëtojnë nga Tirana, Durrësi, Lezha, Kavaja, e më lart, për të pasur një "qilim të Zogajve"."Jemi të detyruar të punojmë vetëm me prositë që marrim, pasi e kemi të vështirë të mbajmë një dyqan ku të mund të tregtojmë prodhimet tona. Punën më të madhe e kemi në verë kur vijnë refugjatët, sidomos nga Franca, Gjermania e Amerika, të cilët i marrin prodhimet tona më shumë për peshqeshe, pasi jashtë vendit vlerësohet në mënyrën më maksimale puna e dorës". Ndërkohë që dhënien e kredisë me interes të ulët dhe me afat të gjatë shlyerje nga shteti, kjo grua që ka marrë këtë iniciativë për të drejtuar këtë biznes të vogël,e sheh si të vetmen mundësi për të zgjeruar aktivitetin e saj. Artizanet e njohura shkodrane të fshatit Zogaj janë vizituar edhe nga Profesor Muhamad Yunus, promotor i biznesit në botë, fitues i çmimit ”Nobel” për Paqen në vitin 2006. Duke u njohur nga afër me mënyrën e të punuarit në punishten shumë të njohur në Shqipëri ku janë të punësuara gratë dhe vajzat zaganjore ( banorët e fshatit Zogaj ) të bregut të liqenit, profesori i ekonomisë në SHBA dhe në universitetin e Chittangong në Bangladesh, Yunus theksoi se ” këto biznese përqendrohen në zgjidhjen e problemeve të njerëzve, kështu që prodhuesit e vërtetë duhet të marrin çmimin më të mirë. Ky është një problem global, por ne mendojmë që shëmbulli i Shqipërisë të bëhet edhe një model për vëndet e tjera ”, nënvizoi Prof. Muhamad Yunus.
Fshati që iu rikthye qilimave
Fshati Zogaj ndodhet rreth 15 km larg qytetit të Shkodrës,në pjesën perëndimore të tij dhe është fshati i fundit që kufizohet me Malin e Zi,në brigjet e liqenit të Shkodrës. Deri në vitin 1991 ne këtë fshat nuk lejohej të shkohej pa një leje të posaçme nga Dega e Punëve të Brëndshme e asaj kohe, përveç banorëve të tij. Rreth 100 vite më parë, nga nevoja për të jetuar dhe meqenëse kishin bagëti të shumta, banorët e kësaj zone filluan që të prodhojnë qilima. Ky aktivitet vazhdoi pa ndërprerje deri në vitet '45, duke marrë emër në të gjithë trevat veriore të vëndit. Por për më shumë se 40 vite, një zanat i tillë u la në harresë.Rreth viteve '80-të u ripërtëri sërish një zanat i tillë nga ndërmarrja artistike e Shkodrës,duke hapur një repart ku u punësuan rreth 100 gra e vajza të Zogajve, të cilat prodhonin për eksport. Reparti u mbyll në 1991,për të vazhduar më pas me atë që ngriti Nebija. Ky repart pune është i vetmi burim të ardhurash për gratë e vajzat, ndërkohë që burrat merren me peshkim,zanat i trashëguar brez pas brezi në këtë zonë.Nga 300 familje që kanë qenë në Zogaj deri në vitin '90-të tashmë aty kanë mbetur rreth 60 të tilla, pasi kushtet për të punuar dhe të jetuar aty janë të pakta.
Traditat
Ajo çka e bën të veçantë fshatin Zogaj nuk janë vetëm qilimat, por dhe mënyra se si e kanë organizuar jetesën aty,duke vendosur një rregullore të brëndshme të pashkruar gjëkundi. Burrat punojnë të gjithë së bashku dhe përfitimet ndahen në mënyrë të barabartë. Ata ngrihen të gjithë pa zbardhur dita, marrin rrugën drejt liqenit për të lëshuar rrjetat. E kur pasdreke varkat kthehen në breg, i gjithë peshku i zënë grumbullohet dhe ndahet në pjesë të barabarta mes familjeve, madje u jepet dhe atyre familjeve që nuk kanë meshkuj në shtëpi. Pleqësia vendos rregullat e brëndshme. Kështu, megjithëse shumë familje kanë braktisur fshatin, shumica e tyre nuk i kanë shitur shtëpitë që vazhdojnë të mbeten bosh, pasi zaganjorët duan që fshati të mbetet vetëm i tyre, duke mos u përzierë me të ardhur të tjerë.Këto shtëpi shfrytëzohen gjatë verës për t'i lëshuar me qera, sepse klima e mrekullueshme aty, me vlera të rralla kurative, preferohet shumë nga shkodranët, kryesisht për fëmijët e vegjël dhe të moshuarit.
Këto banorë që i përkasin besimit islam njihen si shumë besimtarë. Ajo çka të bën përshtypje është se me pëlqimin e të gjithëve është vendosur që në lokalin e vetëm që ndodhet në qendër të fshatit, të mos tregtohet asnjë pije alkolike,gjatë gjithë vitit.
DW
Comments
Post a Comment