Behar Gjoka, nje libër për tre romanet e Ben Blushit
Libri më i ri studimor i studiuesit Behar Gjoka, është një
këndvështrim mbi tri romanet e shkrimtarit Ben Blushi si një risi në
demistifikimin e historisë, mitit dhe legjendave në letërsinë shqipe të pas
viteve ‘90
Çdo botim i tij është një hyrje e zhurmshme në skenë,
ndoshta sepse ai ishte një politikan që po sfidonte letërsinë shqipe. Kështu e
panë që kur trokiti me romanin e tij të parë “Të jetosh një ishull”, një libër
që prodhoi madje dhe zhanrin e botimeve “Pro dhe kundër” autorit. Por nuk kanë
qenë polemikat e shumta mbi romanet e Ben Blushit, çfarë ka ngacmuar studiuesit
e letërsisë Behar Gjoka t’i vlerësojë në studimin e tij më të fundit tri
romanet: “Të jetosh në ishull”, “Otello, arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”, si
dukuri letrare jo e zakonshme në letërsinë e shkruar këto 23 vite”. Kjo është
qasja e parë mbi triptikun e Blushit ku vepra studiohet e ndarë nga jeta e
politikanit-shkrimtar. Dhe rezultati: Blushi është tashmë një fenomen në
letërsinë shqipe. Argumentimet lexojini të përmbledhura në këtë intervistë të
studiuesit Behar Gjoka, ndërsa ju fton të thelloheni mbi to në librin e tij
studimor, që është akoma në proces botimi për të qenë pranë lexuesve në javën e
parë të nëntorit në Panairin e Librit në Tiranë.
Përse fenomeni Blushi ?
Sepse në një kohë shumë të shkurtër Ben Blushi na shfaqet me
tri romane që tërheqin vëmendjen, shkaktojnë debat, e që në shijen time janë
tekste të shkruara ndryshe. Kemi të bëjmë me një prozë që merr përsipër të
demistifikojë historinë, mitin, legjendat. Pra gjithçka që ne kemi njohur në
një formë, Ben Blushi na e sugjeron në një formë tjetër. Ky dekodim ndodh
kryesisht me historinë shqiptare, por edhe më gjerë se sa kaq. Te romani “Të
jetosh në ishull”, për mua ndodh çmitizimi i figurës së Skënderbeut dhe në
njëfarë kuptimi, mitizimi i Gjergj Arianitit. Tek “Otello…” kemi mitin letrar
të Shekspirit që ç’mitizohet tashmë në një formë krejt tjetër, për të ardhur në
fund tek romani “Shqipëria” ku kemi ç’mitizim të figurës së Lekë Dukagjinit. Ky
roman është sprova letrare që do dhe vëmendjen më të madhe, sepse autori këtu
vendos dy realitete; atë çfarë ndodh në marrëdhënien mes Zotit dhe Shqipërisë
që ka si idhull Lekë Dukagjinin. Së dyti mendoj se romanet e Blushit kanë një
bazë librore. Frymëzimi nga realitete të ndryshme, në rastin e Blushit nuk
funksionon. Letërsia e tij është një letërsi që buron nga leximi. Është një
letërsi që vjen nga kultura, e cila i ka mundësuar që të ketë njohjen e
nevojshme me historinë shqiptare dhe me realitetin shqiptar. Kjo pasohet me
qëndrimin autorial që ai mban ndaj kësaj bote. “Të jetosh në ishull” është në
një farë mënyrë një dialogim me të gjithë librat që janë shkruar për
Skënderbeun, një dialogim me një qëndrim kontrovers. Po ashtu “Otello…” është
tregues shumë i qartë që kemi të bëjmë me një letërsi që merr shkas nga një
libër i caktuar dhe e dekodon atë për të hyrë në një marrëdhënie krejt tjetër
me lexuesin. Ndërsa te “Shqipëria” problemi është edhe më i ndërlikuar.
Pse është më e ndërlikuar te “Shqipëria”?
Sepse në këtë rast gjendemi në dy kohë. Autori luan,
përplaset me kohën e Lekë Dukagjinit por edhe me kohën e monizmit. Në letërsi
ligjet estetike nuk kufizojnë. Arti në përgjithësi nuk kufizon, ai i rrëzon
këto kufizime. Me këtë nuk dua them se Blushi është autori më i madh. Blushi me
këto tre romane, është autori ndryshe. Shkrimin, duke marrë shkas nga librat,
është një hulli që e ka çelur Borhesi. Në letërsinë shqipe e ka vijuar me
sukses Camaj. Kam parasysh këtu Palimpsest-in, dhe Dranja-n. Ka dhe autorë të
tjerë por me Blushin kjo shndërrohet në një tipologji. Frymëzimi tek ai buron
nga njohja e literaturës e prej këtu ai ndërton atë që quhet dialog me lexuesin
në një pozicion krejtësisht kundërshtues. Të thotë, jo mendimin që pëlqehet,
por atë që ai aspiron. Autori në këto tre libra dekodon atë që ne jemi mësuar
ta quajmë mitizim dhe hyjnizim të historisë shqiptare, historisë së qenies.
Atij nuk i intereson kjo. Atij i intereson, paraqitja e një realiteti që e vë
në dyshim, sigurisht për qëllime estetike. Unë mendoj që debatet që janë bërë
për librin e parë të Blushit e në një farë mënyre dhe me të tjerët, kanë qenë
jashtë letrarë.
Mendoni se shkrimtari Blushi është paragjykuar për shkak të
biografisë politike?
Çdo lexues, lexon paragjykimet e veta. Blushi hyri nga media
dhe politika në letërsi sfidues, por fakti që jemi tek romani i tretë i autorit
nuk kemi të bëjmë më me një sfidë por kemi të bëjmë me një individ që në
biografinë e tij merret me politikë. Por nuk është kjo thelbësore, sepse tekstet
e tij paraqesin një punë që duhet trajtuar seriozisht. Autori sugjeron tekstin
e tij, lexuesi e pranon ose nuk hyn në marrëdhënie me sugjerimin e tij. Në këtë
rast unë nuk mendoj se varet tërësisht nga marrëdhënia që ndërton lexuesi, ajo
që shkruan Blushi apo çdo shkrimtar, sepse kjo varet nga lexuesi. Nëse është
lexues që kërkon të vërtetojë historinë në letërsi nuk do ta marrë këtë
përgjigje në romanet e Blushit. Nëse është lexues i moralistikës, i filozofisë
apo ideologjisë sërish nuk do ta marrë këtë përgjigje. Nëse është lexues i
letërsisë duhet të pranojë se realiteti letrar është një realitet fiction. Pra
është lojë, imagjinatë dhe të kërkosh kodifikimin e lojës me rregulla që nuk
kanë të bëjnë me lojën që ka estetika është si të hysh në hullitë e akademizmit
që kërkon të vërtetojë të pavërtetueshmen. Arti për mua është i pavërtetueshëm.
Letërsia është një kënaqësi që ne e provojmë deri në fund të faqes. Ajo çfarë
prezanton Blushi, është një pikë reference, një pikë kthese e kërkimit të
vatrave të pashterura të letërsisë.
Çfarë keni parasysh kur thoni “ i vatrave të pashterura të
letërsisë”?
Kam parasysh faktin që Blushi nuk e konsideron shumë temë e
madhe-temë e vogël. E parapëlqyera e tij është të merret me të, të sugjerojë e
të sendërtojë, tek e fundit, atë që quhet bota personale autoriale. Nëse ne do
t’i hynim analizës; Si është rrëfimi? Si është struktura apo stili?…atëherë do
të ishim në një bisedë mirëfilli teknike, e cila nuk do të na jepte dot
përgjigje.
Përse shkrimtarin-politikan Blushi? S’ka shkrimtarë të
ngjashëm me të për tu marrë në konsideratë nga një studiues i letërsisë siç
jeni ju?
Dialogu serioz i Blushit si shkrimtar në këto tre romane më
ka detyruar që të ndalem për të parë se çfarë ndodh realisht me letërsinë e pas
viteve ’90. Arti i shkrimtarit është tek tekstet e tij. Nuk është tek jeta që
bën ai. Pasqyra, pasaporta e shkrimtarit është teksti. Ne kemi konceptin që
shkrimtari është profesion. Por nuk është kështu. Shkrimtari është një qenie
krejt e zakonshme, si gjithë të tjerët por që bën diferencën në momentin që
shkruan. Në momentin që ai propozon një libër këtu ai është veçuar. Por çfarë
ndodh? Ne lexojmë paragjykimet. Ne kemi parasysh Blushin si politikan dhe
gazetar. Për mua Blushi politikan-gazetar në të tre librat ka vetëm një vlerë;
informacionin dhe qëndrimin që mban. Ato e kanë ndihmuar që të kapë më shpejt
nevojën për të demistifikuar historinë. Dhe këtë e propozon dhe duke e
sugjeruar përmes letërsisë. Letërsia së pari është kënaqësi. Në këtë kuptim në
tre romanet e Blushit mbi të gjitha është kënaqësia e befasisë. Befasia e
thënies, dhe e lodrimit me rrëfimin dhe skicimin e figurave që sipas
këndvështrimit tim i përkasin një moderniteti, pse jo një post moderniteti.
Nëse ne do ta lexojmë Blushin me modelin klasik nuk hyjmë dot në marrëdhënie me
të si lexues.
Në këtë kontekst, ai është modeli i shkrimtarit që shkëputet
nga modeli i prozës që është shkruar deri më tash ?
Pikërisht. Kjo e kuptuar në aspektin e thënies që kërkon të
dekodojë historinë boshe e krenare të ne shqiptarëve dhe në qasjen rrëfimore
dialoguese. Sa është e përsosur
kjo?!…Unë nuk jam këtu për të bërë hartografinë. Fakti që unë ndalem në romanet
e Blushit do të thotë se këto romane kanë një vlerë, sepse shënojnë një pikë
ndryshimi, një pikë kthese në marrëdhënien me letërsinë. Letërsia shqipe nuk
është më në kërkim të temave të mëdha. Letërsia shqipe është në kërkim të
shenjës që kemi lënë ne si qenie, si një qenie e zhveshur tashmë nga hyjnizimi.
Letërsia e Blushit, nuk merr përsipër të na tregojë historinë dhe të na
edukojë. Ajo merr përsipër të thotë qasjet personale të autorit mbi realitetin
me pikësynim de-hyjnizimin e shoqërisë shqiptare, çmitizmin e asaj që quhet
histori (e cila dhe ajo buron nga interpretimi). Në letërsi ka vetëm realitete
estetike. Realiteti estetik në të gjitha rastet ka dritëhije dhe në këto
dritëhije ne mund të shohim rrugëtimin e autorit dhe të lexuesit tek letërsia.
Letërsia ka ligjësi estetike që burojnë vetëm nga vetëdija dhe nënvetëdija e
autorit. Blushi në romanet e tij është besnik i dekodimit të mitikes dhe
historisë ose leximit të anës tjetër të historisë. Librat e Blushit janë libra
të hapur e për këtë arsye janë te moderniteti dhe post moderniteti. Janë libra
që dialogun ku përveç rrëfimit klasik gjejmë dhe një vështrim eseistik i cili
buron nga kultura dhe dëshira për të komunikuar me sa më shumë mjete. Mbetet e
diskutueshme; A është e përsosur apo jo. Po aq, i debatueshëm se cili është
vendi dhe hapësira që ai posedon në letërsi. Në këtë kuptim është e panevojshme
hartografia, siç është e domosdoshme vënia e re e optikës me të cilën një autor
shfaqet dhe pështjellimi që ai krijon në skenën letrare. Nuk mund të themi se
Blushi është krejt i zakonshëm, por unë nuk marr përsipër të them as se ai
është i jashtëzakonshëm. Blushi është një pikë që ka tërhequr vëmendjen dhe unë
po rrekem të them se kjo nuk është vetëm pse ai është në politikë, por sepse ka
këto elementë të tekstit, që unë përmenda, që e bëjnë atë pjesë të letërsisë
post moderne. Blushi tashmë është një pikë referenciale e marrëdhënies së
lexuesit me letërsinë shqipe. Por mbetet krejt i hapur debati se cili do të
jetë kulmi i shenjës letrare që ai do të lërë në letërsinë shqipe. Them mbetet
e hapur për dy arsye: E para, sepse ky është një proces i gjatë dhe e dyta;
letërsia shqipe duhet të dali nga “ishulli” i saj. Deri në momentin që ajo
matet së brendshmi jemi në rregull, por
ajo duhet të matet edhe me realitete të tjera. Dhe komunikimi i teksteve të
Blushit me lexuesin përtej gjuhës shqipe mendoj se sapo ka filluar.
Prania dhe roli i
mitikes në romanet e Blushitshqiperia-ben-blushi
(Pjesë nga libri i
studiuesit Behar Gjoka)
Një nga problemet që
rroket në të tria tekstet e autorit, është marrëdhënia e dukshme me historiken
dhe mitiken, një marrëdhënie e veçantë që ka të bëjë me shkasin që merret prej
këtyre situatave, si dhe njëherit me procesin e dekodimit të tyre. Rrethana e
pranisë së historikes dhe mitikes në prozën e tij, në lëvrimin e romanit,
kuptohet se e bën të pashmangshme dobinë e njohjes, studimit dhe përcaktimit të
rolit dhe peshës, që ato shenjëzime zënë në veprën e tij letrare. Po kaq, në
hapësirat e teksteve romanore është edhe përpjekja për të sendërtuar dekodimin
e historikes dhe çmitizimin e mitikes. Ky aspekt, dëshmues dhe përmbysës, i
ligjërimit të përveçëm letrar, shënon rrafshet e sipërmarrjes autoriale, por
edhe të përfitimit të një tipari, të rrekjes këmbëngulëse për të rrëmihur në
rrënjët e qenies njerëzore dhe veçmas të asaj shqiptare. Prania e historikes
dhe mitikes, një tregues parapëlqimi autorial, shpërndërrohet në një lente për
të kundruar lidhjen e ndërsjellë, të rrokshme në hapësirat e teksteve, si dhe
vlerën që bartet në të tre romanet, pra tek Të jetosh në ishull, Otella Arapi i
Vlorë dhe Shqipëria. Kjo rrethanë e pranisë së mitikes dhe sidomos të
historikes së fatit të qenies arbnore në këto hapësira të teksteve romanore,
kërkon hedhjen e vështrimit në dijen letrare, mbi mënyrën se si trajtohet
elementi historik dhe mitik. Mitet, zakonisht kanë filluar si këngë dhe si
tregime të shkurtra, që megjithatë në letërsi zënë vendin e rrënjëve të
ekzistencës së vetë qenies njerëzore. Miti, si akt dhe frymë, si këngë a tregim,
prani dhe atmosferë, është trajtuar edhe si një paraardhës i mitit letrar. Në
romanet e Blushit, kemi të sendërtuar pak a shumë të njëjtën poetikë të
shenjimit të letrares, të lidhur me mitiken dhe historiken, si dhe me dekodimin
e tyre:
- Në romanin Të jetosh
në ishull, kemi çmitizimin e Skënderbeut, pra të figurës madhore të heroit tonë
kombëtar, si dhe mitizimin e Gjergj Aranitit, njërës nga emblemat e betejave të
motit të ndritshëm. I pari, pra Skënderbeu, ka dalë në dritë në të gjithë
rrezatimin e vetë në historinë shqiptare, ndërsa i dyti, pra Araniti, ka mbetur
disi në hije, krahasimisht me figurën e Gjergj Kastriotit. Jo se letërsia është
fuqia magjike që rregullon atë që prish historia dhe historianët e varur nga
koha dhe politika e ditës, por letërsia sendërgjon dhe formëson, atdheun
shpirtëror letrar, në pamje të shumëfishta.
- Nga ana tjetër,
romani Otello Arapi i Vlorës, që përbën tekstin e dytë të autorit, paraqet një
përpjekje serioze për të mitizuar dhe çmitizuar një mit letrar, tashmë të Otello-s,
Desdemonë-s dhe Jago-s, realizuar në tragjedinë e xhelozisë prej mjeshtrit të
shkrimit dramatik, Ëilliam Shakespeare. Ky tekst, më i ngjeshur nga ana
letrare, paraqet një linjë interesante të historisë shqiptare të kohës.
Ngjarjet e romanit, që ka në qendër një mit letrar, janë vendosur në kohën kur
në hapësirat e gadishullit, ku përgjithësisht ende gjellijnë arbnorët, sundonin
Balshajt, që siç na e mëson historia, pati një moment kur zotëronin mbi 140 km2
të territorit të gadishullit, duke skicuar një çast të ofensivës sonë. Po kaq,
në materien e këtij teksti, hidhet një trajektore e pagjasshme në dukje, e
fateve të Venecias dhe Vlorës, madje pavarësisht ndryshimeve të mëdha, që ka
ndërmjet këtyre dy qyteteve mesdhetare, të cilat në fakt bartin fatin e
përbashkët, si dhe po kaq një përpjekje të jashtëzakonshme për të komunikuar,
ndërmjet tyre me botën.
- Në romanin
Shqipëria, një tekst relativisht më i gjatë së sa dy të parët, ku tashmë vihet
në qendër Shqipëria, në pakohësi dhe shumëkohësinë e ekzistencës. Thelbi i
dekodimit të historikes dhe mitikes, lidhet me figurën e Lek Dukagjinit, që
dihet se bart rrafshet e kanonit të së drejtës zakonore shqiptare, si më i
përhapuri në kohë dhe si veprim, pavarësisht se si mendësi shtrihet, në jug dhe
veri. Prania e Kanunit të Lekës, lidhet me situatën e gjakmarrjes, që
përsëritet pambarimisht, sidomos në hapësirat e veriut të vendit. Ka jo pak
raste që përplasjet e rëndomta, pra hakmarrjet dhe hesapet e ndryshme, të
paraqiten me pa të drejtë edhe si pjesë e gjakmarrjes, ndonëse në thelbin e
tyre nuk kanë asnjë lidhje me këtë element të së drejtës zakonore shqiptare. Në
këtë roman, thelbi i dekodimit lidhet me mitizimin dhe çmitizimin e figurës dhe
emrit të Lek Dukagjinit, që duket se është marrë më tepër si simbolikë e jetës
së prapambetur, krejtësisht të mbyllur, si me thënë të një jete të mbyllur, si
në një ishull vetmitar dhe të shkëputur nga bota.
Aida Tuci Mapo
Comments
Post a Comment