E bukura si ontologji e të vertetës
Don Roberti
E vërteta që mbajmë përbrenda është e kulluar sepse është e pavarur nga llogjika e kontrolluar nga ne, arti, e bukura, janë pjesa më e vërtetë e më besnike që ngërthehet brenda nesh, e na jep ndjenjën e xhelozisë. Po aq sa është pjesë e rëndësishme e qenies është dhe sakaq e pakontrollueshme nga qenia. Ne Besëlidhjen e Vjetër, “Kopshti i Edenit”, është forma më e kulluar e të bukurës, por në formë paradoksale, ajo ç’ka shkruhet aty e shtyn qenien që të bukurën ta përjetojë në formën e qetësisë shpirtërore. A është e bukura e artit gjendje shpirtërore, apo një krijim intelekti? Në këtë situatë Adami është para së bukurës sublime, si një qenie shqisore e papasuruar me intelekt, por a është intelekti nje prodhim i artit, e për pasojë i së bukurës, pra a është intelekti një garanci krijimi dhe shijimi i të bukurës si ontologji e të vertetës? Barriera që na del është pyetja, a janë artistët krijues të artit të tyre? Edeni i krijuar per Adamin, a ishte i shijueshëm nga Adami apo Adami ishte i paftuar brenda këtij arti, e si pasojë mëkati i vërtetë që sjell dëbimin është që ai nuk është pjesë e kësaj të bukure, e këtij krijimi zanafille. Krijimi madhor e para vepër arti në bote, nuk e meritonte mosperfeksionimin e njeriut në përballje me njeriun, kësisoj vepra e parë, krijoi artin e për pasojë arti personifikoi të bukurën e cila mbeti e virgjër e sublime. Si pasojë u desh të krijohej prej njerëzve, për njerëzit, duke ruajtur pavarësinë e saj në proçesin e ndodhjes së ngjarjes e thelbit të krijimtarisë. Kjo solli vërtetësinë e bukurinë e kulluar të asaj që shqisorja mban brenda vetes.

Arti gjithmon i shërben së bukurës, kurse e bukura është lumturi e zotërimit të formës, forma nga ana e saj është çelësi i ekzistencës, formën e zotëron gjithçka e gjallë për të ekzistuar dhe në këtë mënyrë arti, duke përfshirë dhe tragjiken, është tregimi i lumturisë së ekzistencës. Artisti, shpeshherë ndjehet i kapur nga arti i tij, është i zotëruar prej tij. Nuk gjejmë asnjë dëshmi në botën e artistëve që shpjegon qartësisht zanafillën e momentit kur u ngjiz talenti. Kjo ngre pikëpyetje të mëdha në çështjen e rëndësishme të të pasurit një inteligjencë brenda përdorimit të artit. Sigurisht që e rëndëishme është të dallojmë artet pamore nga ato të shkruara, dhe si minimum është e domosdoshme që të njihen mjetet me të cilat do punohet. Po shtjelloj këtë pjesë, sepse besoj që Arti është formë ontologjike e të vërtetës për arsyen e rëndësishme se nuk është i kontrollueshëm (nga njeriu artist në këtë rast) e vërteta, e bukura janë proçese që ndodhin e përdorin njeriun si gjymtyrë, për të ekzaltuar qenien e tij, në menyrë të pavarur nga inteligjenca. Kjo sjell të bukurën si ontologji të së vërtetës.

Artisti shpesh herë befasohet nga të papriturat që i dalin përpara ashtu si dhe gëzohet kur sheh arritjet që ndodhin para pëlhures, letrës, mermerit. Shpeshherë artisti në rishikimin e veprës ndjen që ato që quhen suksese të veprës sjellin tashmë mundim e shqetesim. Kjo luftë e hapur me mermerin a me letrën, s’ka të bëjë me inteligjencën, por vetëm dhe në mënyrë të hapur e denoncuese me shqisën e pavarur. Një fenomen të tillë nuk e shohim vetëm te arti si formë e së bukurës, por dhe tek arti si formë e shpjegimit të botës e të identiteteve shoqërore. Arti tashmë është e vetmja garanci historike për të treguar historinë e një kombi dhe si garanci e tillë ekziston, e pamanipulueshme nga askush në hapësirën e viteve, kjo dhe për faktin se arti si formë është i pakontrollueshëm nga askush.


Egjiptianët e Grekët shkruan një histori të bërë nga arti, anipse të paret me matematikë e të dytët me filozofi. Ekzistencat e këtyre kombeve në mungesë të piramidave dhe akropolit, jane të ngushta, në formate vrasjesh të ndërsjellta. Kësisoj arti markon botën në formën e saj më të përkryer e më larg banales, e kthen atë në disa momente në zanafillën e krijimit të asaj c’ka ishte e perkryer dhe e pabanalizuar siç ishte dhe kopshti i Edenit. E bukura ka hapësirë dhe kohë, e pamatshme është se është e përkryer, e është e tillë sepse është e pavarur nga dëshira për ta kontrolluar atë, si për pasojë është ontologji e së bukurës se e verteta e saj, është e pamatë. Në aktin e ngjizjes së botës nuk u krye asnjë akt politik a historik, por një formë arti e përkryer që zotëroj shqisën e atyre që do e popullonin të bukurën e vërtetë. E verteta e fundme është artistike, kjo erdhi si e vërteta e krijimit të njerezimit, në krijimin e “Edenit”, kemi aktin e të formuarit të jetës si e vërtetë, ngaqë Zoti është i vërtetë, krijimi i tij i përkryer ishte dhe si shpjegim i mungesës së perfeksionit në atë moment ngjizje, e nëse do marrim refuzimin e njeriut në këtë krijim, ahere kemi njeriun që të vërtetën e fundme e zotëron te e bukura që mund të vijë në botë si mbyllje e ciklit njerezor si artistike e kulluar.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk