Zbulohet vepra e Leonardo Da Vinçit



Romë, 5 tetor - “Ka tre lloje njerëzish: ata që shikojnë, ata që shikojnë kur u tregojnë dhe ata që nuk shikojne”. E mendonte kështu gjeniu universal Leonardo Da Vinçi, i cili pas 500 vitesh vazhdon t'i mbajë studiuesit me sytë mbërthyer në veprat e tij të artit. 

Pas pesë shekujsh është zbuluar misteri i portretit të Isabella D'Este, njërës prej grave më influencuese të periudhës së Rilindjes. Ai ekziston dhe është pjesë e një koleksioni privat të një familjeje në Zvicër. 

Lajmin e bën të ditur e përjavshmja “Sette”, e gazetës italiane “Corriere della Sera”, transmeton TCH. Versioni i vizatuar i pikturës është prej kohësh në muzeun Louvre, në Paris. 

Specialistët kishin gjetur letrat e markezës së Mantovës, gruas në portret, e cila i kërkonte Da Vincit që ta bënte me ngjyra vizatimin, por nuk dinin asgjë për veprën e kompletuar, ndaj kishin hedhur hipoteza se skicimi nuk ishte kthyer kurrë në kuadro dhe se ishte një përgatitje për të realizuar Mona Lisan. 

Sipas studiuesit të Leonardos, Carlo Pedretti, pas tre vitesh e gjysmë studimi kërkimor, janë tre elementët bindës se vepra është e Da Vincit: 

Pigmentet janë të njëjtat me veprat e tjera të tij, përgatitja e telajos është siç i përshkon vetë Leonardo në Traktatin e famshëm ku janë përmbledhur të gjitha shpikjet e tij, drita fluoreshente e përdorur mbi kuadron ka nxjerrë në pah një libër të vogël të pikturuar, njësoj si ai që gjendet në skicimin që ruhet në Louvre. 

Tani studiuesit po punojnë për të gjetur cilët janë elementët e shtuar në kuadro nga dy dishepujt e Leonardos, të cilët u jepnin dorën përfundimtare veprave të papërfunduara të tij. 

Ky zbulim mendohet se do të ketë vlera në studimet mbi Leonardon dhe konsiderohet si zbardhja e një prej thrillerave më të bujshëm të historisë së artit. 

Por, misteret e mendjes gjeniale, që krijoi mes shumë të tjerash Darkën e Fundit apo Mona Lisan dhe buzëqeshjen e saj enigmatike, vazhdojnë..
.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk