Humaniteti në romanet Petro Markos

Behar Gjoka

Petro Marko, mjeshtër i poezisë, gazetar rebel, njeriu i burgosur dhe gjithmonë i lirë, që në radhë të parë është prozator i madh; me një kontribut të vyer në lavrimin e romanit. Portretizimi i figurës unike të Markos, vjen qartazi edhe në pohimin e Ali Aliut, kur shprehet: … janë të rrallë ata shkrimtarë që kanë mundur të ruajnë aq me konsekuencë dhe fanatizëm dinjitetin e krijuesit dhe të njeriut, të arrijë sintezën harmonike të njeriut dhe të artistit ashtu siç ka mundur të shquhet Petro Markoja në këtë plan. (1990: 158), në librin Kërkime. Paraqitja e shkrimtarit, me dy romanet e parë Hasta la vista dhe Qyteti i fundit në vitet '60 shënoi një kthesë të jashtëzakonshme në historikun e romanit shqiptar, madje në distancë kohore, mundet të thuhet, me bindje dhe argument, se librat e tij hodhën themelet këtij zhanri, sidomos në rrugën e shkrimit bashkëkohor të letrave shqipe. Në shkrimin e romaneve, megjithatë spikatet si pakkush tjetër, në trajtimin e temës së luftës, pothuajse në të gjitha përmasat, duke përfshirë një hapësirë të pazakontë, që shpesh rrok vetë kontinentin europian. Duke qenë kështu një dëshmi letrare e lindur në vlagën e luftës, me gjasë të tmerrit dhe pasojave, fokusi i ligjëratës, mbi humanitetin dhe poetikën e ajsbergut, do të jenë romanet: Hasta La Vista, Qyteti i Fundit, Një Emër Në Katër Rrugë, Nata e Ustikës, që ka në fokus ligjërimin e motivit të luftës, të shtrirë në të gjithë kohëshrtrirjen e vetë. Përbashkësia e këtyre teksteve, të tipologjisë së romanit, lidhet me këto momente:
A – Me pasqyrën kronologjike të Luftës së Dytë Botërore.
B – Me praninë e ndjenjave më të brishta njerëzore, si linjë e dashurisë, që në veprën romanore të autorit, përcillet edhe si streha e qenies njerëzore.
C – Me sendërtimin e poetikës së ajsbergut, si një tipologji shkrimore e njohur e brezit të humbur.
Kronologjia e luftës vjen e plotë:
- Sinjali i parë, zë fill me Hasta La Vista, që vetëm sa ngre siparin e kronikës letrare me temë qëndrore luftën. Pikërisht në këtë faqe të artit tregimtar, Petro Marko do ta bëjë shmangien e parë nga shablloni i doktrinës zyrtare të realizmit socialist, duke shqiptuar në tekstet e tij një poetikë thelbësisht të ndryshme prej saj, veçanërisht në lavrimin e romanit. Është romani i parë i autorit dhe pamëdyshje edhe më i rëndësishmi për kohën, si në rrafshin tematik ashtu dhe në atë artistik. Rëndësia e këtij libri qëndron në faktin, se lajmëroi kthesën në rrjedhat historike të romanit shqiptar. Ky tekst, në kuptimin e dëshmisë, sjell rrëfimin e luftës në Spanjë, ku ngjarjet rrjedhin në dy binarë: rrëfimi për luftën dhe rrëfimi për dashurinë, ku na zbulohet linja e dashurisë ndërmjet luftëtarit shqiptar Gori dhe infermieres spanjolle Anita.
- Kulmin i fatalitetit, të shqiptimit të ankthit të luftës, zbulohet në romanin Nata e Ustikës, që na vjen me pamje të pazakonta dhe tejet tronditëse, ku qenia njerëzore zvarritet, por megjithatë edhe rrethanat e ferrit dantesk, nuk e ka humbur fillin e vetë ekzistencial. Rrëfimi, edhe në këtë tekst ndjek dy linja narrative: atë të terrorit ndaj të burgosurve dhe linja intime, e dashurisë ndërmjet Andreas dhe sllaves së bukur me emrin Sonja.
- Mbarimin e luftës, si një jehonë dëshpërimi e jashtëzakonshme, në tekstin Qyteti i Fundit, ku linja e dashurisë, na shpalohet me lidhjen e Ana Maria Montit me Lekë Gurrën, pra e prostitutës me oficerin shqiptar, ku madje zhvillohet ideja se dashuria nuk ka kombësi. Pamja e vërtet, që na ofrohet në këtë tekst, pjesërisht i shkruar në formën e ditarit, ka në qendër ushtrinë humbëse, që tashmë është pushtuar nga ankthi, i pamundësisë së gjetjes së shpresës, të mbytur në kalvarin e mungesës së perspektivës.
- Pasojat që solli lufta, me tekstin e romanit Një emër në katër rrugë, që në fakt mbyll kapitullin thelbësor të krijimtarisë së autorit. Romani, shkruhet në vitin 1972, por për një kohë të gjatë mbeti dorëshkrim, sepse e pa dritën e botimit vetëm në 2001, duke ndjerë dhe prekur kështu edhe në historinë e ndalimeve të romaneve të shkrimtarit. Në të rrëfen botën shqiptare të viteve '30 dhe pjesën e parë të '40-ve të shekullit të kaluar, të shpaluar përmes katër perspektivave, katër realiteteve dhe alternativave që barten përmes katër Gjikëve, të cilët kanë lindur në Dhrimadh, buzë detit jon. Katër Gjikët, që në fakt mëtojnë ta përthithin realitetin shqiptar dhe, arrijnë ta projektojnë me sukses të nesërmen.
Trajtimi i temës së luftës në këto katër tekste, e bën jo vetëm mbizotëruese atë, por në aspketin e shenjëzimit estetik, edhe skalit tiparet e një kronike letrare, që përmbi të gjitha sendërton epopenë e luftës. Vetëdija e tmerrit, të barabrisë së luftës, ndërkaq shoqërohet mjeshtërisht, edhe nga vetëdija e largimit, me çdo mjet, ku vendin e parë e zë ndjenja erotike, prej ankthit të tmerrshëm. Në këto romane, me motiv mbizotërues luftën, krahas epizmit tipik, kemi të ndërfutur edhe lirizmin e brishtë, të toneve të shumëngjyrta, të cilat shpallen artistikisht me anë të ndjenjës së dashurisë. Faqet e prozës së Petro Markos, posaçërisht të romaneve të tij, në të gjitha kuptimet dhe penelimet estetike, në fakt më tepër, reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas ferrit të luftës, gati të paimagjinueshëm, nëpër të cilin kalon njeriu, në rrëfimin e Petro Markos, megjithatë ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Erotikja, e rrokshme në të gjitha tekstet e romaneve të P. Markos, që ka ndihmuar realisht në ikjen shpirtërore nga ethet e luftës, për në qiellin e dashurisë, shpaloset në kaq shumë forma:
- Si një ëndërr e bukur dhe e jashtëzakoshme, për të shpëtuar nga lufta shkatërrimtare dhe tmerri i saj.
- Si një rreze drite, ku prekim rropatjet njerëzore, me mbet gjallë, edhe në rrathët dantesk të burgut fashist.
- Si një çast që përshkohet nga mjerimi dhe zvetënimi i qenies njerëzore, që sjellë natyrshëm mbarimi i luftës.
- Si një ilaç shërues për të zbutur brengat e saj, mbase edhe për të shpëtuar nga ankthi i parrëfyeshëm, i kësaj kohe pa kohë.
Me këto romane, por edhe me të tjera, pa asnjë mëdyshje, që Petro Marko hyri në një ndër personalitetet e shquara të kulturës, të cilët sollën risi të pazakonta në traditën letrare shqiptare në shkrimin e romanit. Tek vepra e gjerë artistike, realizuar në të gjithë llojet letrare, e diçka më e rrokshme si faktologji letrare, në prozën e larmishme, mbi të gjitha rrezaton besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor. Romanet Hasta la vista, Një emër në katër rrugë dhe Nata e Ustikës, pa asnjë dyshim janë nga romanet më autobiografikë në letërsinë tonë, që japin poltësisht dëshminë e dyfishtë, si jetë tragjike autoriale, dhe si shenjëzim estetik, unik dhe vetjak. Ndërkaq me personazhin femër, shenja më e qartë e pranisë së humanitetit dhe rrezëllitjes së pranisë së qenies njerëzore, P. Marko theu disa tabu të kohës, jo vetëm se femra ishte e huaj, jo vetëm se dashuria jepet si ndjenjë aq universal, sa mund të lidhë edhe dy njerëz të kombësive të ndryshme, por edhe për faktin e thjeshtë se femra në tekstet romanore të tij, zuri një vend të merituar, qoftë dhe kur ajo ishte prostitutë. Shkrimtari, është në anën e saj dhe e mbron, e adhuron guximin e saj, por është po kaq fuqishëm edhe me feminitetin dhe bukurinë që bart. Prania e luftës dhe e dashurisë, e rrokshme përgjithësisht në romanet e autorit, diçka më e thellë si përjetim etik dhe estetik, na shqiptohet në këto katër romane, shoqëruar ndërkaq edhe me një tis dëshpërimi dhe trishtimi rrezëllitës, të krijon bindjen e thellë, se këto romane ia kanë mbërritur të skicojnë në letrat shqipe, tiparet letrare të brezit të humbur. Fakti që brezi i humbur, dhe në mënyrë të posaçme poetika e tij, është lidhur pazgjishmërisht me dy mjeshtra të shkrimit letrar, me Hemunguejn dhe Remarkun, me të cilët P. Marko, ka patur marrëdhënie dhe letërkëmbim, të shpie natyrshëm tek hipoteza e gjasës, e lidhjes së këtyre romaneve, pikërisht me këtë poetikë, sidomos si një fakt promovues në letrat shqipe, e cila megjithatë do të kërkonte hulumtime dhe shqyrtime më të thelluara dhe të posaçme, tashmë vetëm mbi pranëvënien e teksteve të secilit shkrimtar. Ngjyresat e romaneve të Markos, si dhe dëshmimi i faktuar i marrëdhënieve me dy autorët, pra me themeluesit e poetikës së ajsbergut, si dhe të dy përfaqësuesve me të shquar të shkrimtarëve të brezit të humbur, na nxit mendimin që të hedhim një vështrim në aspektin e përqasjes së ndërmjetshme, për të hetuar gjithsesi ndërlidhjen me atë poetikë. Prandaj, së pari, po sjellim idenë e Hemingujet, themelhedhësi i këtij modeli letrar, ku përmblidhet edhe vetë teoria e ajsbergut: Në qoftë se një shkrimtar proze e di mirë se çfarë po shkruan, në qoftë se shkrimtari po shkruan në mënyrë të vërtetë (reale), atëherë do të ketë një ndjenjë po aq të fortë, sa t’i kishte përjetuar dhe vetë ato ndjesi në libër. Dinjiteti i vërtetë i lëvizjes së një ajsbergu qëndron tek fakti që ai nxjerrë në pah vetëm 1/8 e tij mbi ujë. Nga ana tjetër, pikërisht kjo rrethanë specifike e kësaj poetike, të magjisë shkrimore të pranisë dhe papranisë së pamjeve, reale dhe estetike, të endur mjeshtërisht nga Heminguej, ndërkohë është pohuara edhe nga kritiku Jackson Benson, kur shprehej: Teoria e tij e ajsbergut, në kombinim me qartësinë e të shkruarit, e bënte Hemingujen të distanconte veten nga karakteret që ai krijonte. Atëhermë, në këto rrethana, gati bëhet e pashmangshme, krahasimi i romaneve të Markos, veçmas me poetikën e ajsbergut, e cila prushitet dhe rroket në hapësirat e teksteve romanore. Në fakt lidhja me këtë poetikë, të ekzistencës së brezit të humbur, në fillim shfaqet si hije adhurimi për Heminguejn, çka vjen e plotë në faqet e romanit Hasta la Vista, ku pikëpërkimet me romanin Lamtumirë armë, janë të rrokshme:
- Formale, sepse kemi të bëjmë me një situatë të njëjtë, që përcillet me përmbysje kuptimore, Lamtumirë armë e Heminguejt, dhe romanit Hasta la Vista të Markos.
- Paraqitja e atmosferës së luftës, zymtësisë dhe dëshpërimit që në fakt e përtheksojnë edhe më shumë ngjashmërinë e tyre, madje deri në cakun e dy pikave ujë.
- Me praninë e humanitetit tronditës, që në mënyrë të posaçme me skenat e dashurisë, ndikon sadopak për të zbehur dhe mërguar tmerrin e luftës.
- Dy protagonistet e romaneve të Heminguejt dhe Markos, simbas hapësirës së teksteve, bien në dashuri me infermieret, heroinat që nuk mungonin kurrë në frontin e luftës.
Ndërkaq, edhe në tekstet e tjera të Markos, me temë luftën, gjithnjë duke vënë përballë tmerrit të luftës dashurinë e madhe, siç edhe ka ngjarë në tekstin Qyteti i fundit, ku madje lidhja erotike me prostitutën të ndërmend krejt natyrshëm situatën e romanit Harku i Triumfit, shkruar nga Remarku. Romani, Një emër në katër rrugë, që diç më tepër sendërton një qasje të shkrimit të epopesë për kohën e luftës, gjithsesi pa e humbur marrëdhënine me poetikën e ajsbergut, ka mundësuar shqiptimin estetik në letërsinë shqipe, të fatit të qenies në atmosferën e luftës, që sjellë shkatërim dhe mjerim. Kurse romani Nata e Ustikës, për ritmikën e rrëfimit, frazën që bartin shenjat e poezisë, prozës dhe dramatikës, nga njëra anë shënon kryeveprën e shkrimtarit, si dhe një nga pasuritë unike romanore të letrave shqipe, e veçmas në anën tjetër, paraqet një tekst letrar të njëmendtë, ku sërish poetika e ajsbergut shpalohet në të gjithë kuptimet dhe përmasat, formësimin dhe strukturimin e vetë.
Romanet e Markos, pjesa më e madhe e tyre, veçmas katër tekstet që morëm në shqyrtim në këtë ligjëratë, shënojnë një dëshmi të pranisë dhe pasurisë së humanitetit, në mes të tmerrit të luftës, një shenjë e qartë e ndërlidhjes me poetikën e ajsbergut, madje na sjellin në vëmendje edhe një nga krjuesit me të shquar të këtij modeli, së paku të letërsisë shqipe, si dhe po kaq edhe një fakt të ligjërimit modern të letërsisë, që lexohet dhe shijohet, siç thotë Harold Bloom, në librin Si dhe përse të lexojmë, … për kënaqësi estetike dhe tjetërsimi shpitëror. (2008: 153), çka ngjet në leximin dhe rileximin e trashëgimisë letrare të shkrimtarit.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk