Vendlindja i rikthen borxhin Petro Markos

Safo & Petro Marko

Aleksandër Çipa

Në qershor të vitit 2004, ndërsa Safo Marko më dhuronte librin e Petro Markos “Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët)”, me dedikimin: “Aleksandrit, birit të Bregut, dhe birit të Lefterit zemër-zjarr, bashkudhëtar në art me Arianitën dhe Madun, fëmijët e Petros, luftëtar i Lirisë dhe poet i Bregut”, më ishte bërë edhe më i rëndë pengu për “borxhin” që vendlindja jonë, Bregdeti i Himarës, i ka këtij burri me emër të përjetshëm. Shkrimtari dhe gazetari Petro Marko është unik në përvojën dhe historinë e gazetarisë së Mesdheut. Një reporter lufte dhe luftëtar, ndoshta ndër të parët në historinë e shtypit shqiptar. Kjo nuk është përmendur ndonjëherë në tekstet dhe memuaret tona për publicistikën. Ka edhe shumë gjëra të tjera të papërmendura për një kontribut dhe investim të ndershëm shqiptarësie në jetën e shkuar të Petro Markos.
Por tashmë kur ai ka fituar përjetësinë dhe brezat dhe bashkëkohësit e tij jetojnë kohën e shkurtër të jetës së tyre, ndërgjegjja vlerësuese është në zgjim përditë e më të shtuar. Këtë zgjim fisnik, nderues, njeri dhe kulturëdashës, inkurajues dhe optimist e shijova, të shtunën e kësaj jave, më 23 nëntor në fshatin “…më të bukur në botë”, siç do të shprehej Petro Marko, pra në vendlindjen e tij, Dhërmi. Një emër të cilin prej disa vitesh të pakta, një pjesë e reporterëve tanë me injorancë njohëse e shkruajnë shpesh sipas gjuhës së tjetërkujt: Dhrimadhes. Shkrimtari dhe mijëra njerëz të atij visi të fjetur dhe të mbetur, e njohin me emrin e vet, shqip: Dhërmi.
Është hera e parë që në Dhërmi, bashkia e shtatë fshatrave të Bregut, institucioni administrativ i visit mitik të Akrokerauneve, jo vetëm nderon e kremton, por për herë të parë kryen një akt të parë lartësonjës për birin e vet, të përjetshmin Petro Marko. Kohë më parë ndanë avllisë së shtëpisë së tij të mbetur rrënojë u vendos monumenti. I pari i këtij lloji në viset e Himarës. Ishte thyerja e një miti, në të cilin politika dhe etnonacionalizmi i tëhuajtur kishte dominuar trashëgiminë dhe kulturën e këtij visi që rezulton i gjendshëm që në kohët para-homerike. Ose e thënë sipas at-krijuesit tim Lefter: “Jemi këtu që pa ardhur deti”. Pas vendosjes së monumentit të shkrimtarit më të madh të këtyre viseve, i quajtur me vonesë edhe Kazanzaqisi i Bregut ose “Hemingueji i letërsisë shqipe”, në Dhërmi, veprimtaria për 100-vjetorin e lindjes së Petro Markos falë këmbënguljes së Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur të Himarës të kryesuar nga Irakli Gjicali dhe mbështetjes pa ngurrim të kryetarit të Bashkisë së Himarës, zotit Gjergji Goro, punuar me aq përkushtim dhe inteligjencë kulturore nga poeti Odise Goro, do të mbetet një ndër ngjarjet më të shënuara dhe më nderuese për bijtë e kulturës së Bregut. Kryebashkiaku i Himarës, zoti Goro, duke u ndier krenar për këtë përfaqësim me përmasa të mëdha kombëtare të krijuesve, artistëve dhe emrave të papërsëdytshëm të viseve të Bregut, do të shtonte: “Himara është vendi i detit, maleve, njerëzve trima e kapedanë dhe artistëve”. Një renditje në të cilën e shkuara e afërt dhe ajo e imponuar e pati shembur kujtesën për artistët dhe përfaqësimin e tyre në panteonin e kulturës kombëtare shqiptare. Një cikël veprimtarish të shkëlqyera dhe vlerësuese janë kalenduar deri në fund të këtij viti nga Bashkia e Himarës. Në ditët e para të dhjetorit është planifikuar një tjetër aktivitet për poetin më emblematik të 100 viteve të shkuara në këto vise, Neco Muko Himarjotin, autorin e “Vajzës së Valëve”, këngës që konsiderohet si “mbretëresha e polifonisë shqiptare”. Por në këtë nderim përbashkues do të përfshihen edhe kolosë të tjerë të arteve shqiptare, si regjisori i famshëm Dhimitër Anagnosti apo biri tjetër himarjot, aktori magjik Robert Ndrenika, si dhe përkthyesi dhe komediografi i rrallë Spiro Comora.

Bashkia e Himarës ka çelur një kapitull nderues për emra të shquar dhe me kontribut themelor në fondin dhe historinë e kulturës kombëtare shqiptare. Është një nismë e një bashkie të vogël, e cila duhet mbështetur për herë të parë, ndonëse me shumë vonesë, shtetërisht në këtë iniciativë. Kjo qytezë e vogël dhe fshatrat si qyteza të saj, përfaqësojnë në fondin themelor të artit të fjalës dhe muzikologjisë shqiptare, një kontribut që tejkalon shumë qytete e vise metropolitane të hapësirës shqiptare. Nderimi i Petro Markos është një rikthim i Himarës dhe qeverisësve vendorë të saj, aty ku duhet, aty ku vlen më shumë dhe ku krenaria merr peshën specifike reale e të gjithëjetshme. Një krenari e tillë duhet përkrahur nga kushdo e prej kujtdo, edhe prej atyre që mendojnë e flasin në më shumë se një gjuhë. Nderimi për trashëgiminë kulturore e për përmasën e shumëjetshme të letërsisë që kanë krijuar bijtë e shquar himarjotë, është akt i vonuar, por në rastin kur nis me Petro Markon, lexohet thjesht si një rikthim borxhi për bijtë që e kanë siguruar përjetësinë e tyre edhe si një “konto” të shtrenjtë për brezat dhe gjeneratat e visit të tyre. Në Himarë ka nisur të qeveriset dhe mirëmendohet vlera dhe përjetësia e bijve të saj të shquar. Kjo është një e mirë që premton edhe më shumë mbrothësi për këtë vis që e ka historinë shumë e shumë herë më të madhe e të rëndë sesa shtati i vet gjeografik. 

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk