“Perla”, e rikthyen Ardian-Christian Kyçykun në Shqipëri

Ardian-Christian Kyçyku

“Perla”, e rikthyen Ardian-Christian Kyçykun në Shqipëri, duke e nderuar me çmimin “Penda e argjendtë”, në kategorinë e tregimit. U deshën plotë 24 vite që shteti shqiptarë ta ndante edhe një çmim për këtë autor, pasi që në vitin 1989 ia patën ndarë çmimin për romanin „Triumfi i Proteut”. Mirëpo, vetë autori, në intervistën e dhënë për „KultPlus”, rrëfen se si atëherë ka kaluar nëpër ankth pasi që njëri nga anëtarët e jurisë, që quhej Demokrat, qe ngritur e kish ulërirë: „Po ky është jashtë normave të realizmit socialist, more; si t’i dhënkemi Çmim Kombëtar?! Ky do rrasur brenda”, ka rrëfyer Kyçyku Ndërkohë, ai vlerëson se është shumë i ulët edhe fakti si se kanë heshtur zyrtarisht për librat e tij të botuar në mes këtyre viteve si: Mortët, Nata pas vitit zero, Home, Sy, Engjëjt e tepërt, zv.Libri, Puthmë skelet...
Ardianë Pajaziti


KultPlus: “Perla”, është libri juaj që u vlerësua nga shteti shqiptar dhe u nderua me Çmimin “Penda e Argjendtë”, për kategorinë e tregimit, dhe këtë vendim ju e mësuat përderisa vazhdoni punën në Bukuresht, e babai juaj ishte prezent për ta pranuar Çmimin. Nuk e prisje Çmimin që nuk e more mundin të jesh i pranishëm atje, apo thjesht nuk e pe të udhës që të shkoje?
Ardian-Christian Kyçyku: Disa nga librat e mi më të rëndësishëm ndodhen prej vitesh në Tiranë. Im atë është lexuesi i parë i të gjitha shkrimeve të mia. Në këtë këndvështrim, mungesa ime ishte e papërfillshme.

KultPlus: Me librin “Perla”, ti ishe i nominuar, që do të thotë nuk aplikove, por të përzgjodhën; po të ishte ndryshe, a do të aplikoje?
Ardian-Christian Kyçyku: Ështe në nderin e jurisë që e zgjodhi librin, si edhe në nderin tim. Pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e autorit në këto gjëra më duket e pavend, si përçapje për të ngrënë bukën e tjetrit.

KultPlus: Dhe ky libër doli të jetë më perlë se sa perlat, pasi shënoi një rikthim të vëmendjes së shtetit shqiptar karshi letrave të tua. I vlerëson si të vonuar?
Ardian-Christian Kyçyku: Unë kam qenë duke shkruar dhe nuk e kam zakon t’i shoh ngjarjet sipas çiftit shteti - autori. Vëmendja ka qenë e vazhdueshme dhe në rritje, por njerëz ose qarqe kalimtare e shprehnin me mospërfillje të shtirur. Vërtet ndonjëherë, si doktor në letërsi të krahasuar, më është dukur e ulët që të heshtet zyrtarisht ndaj librash si Mortët, Nata pas vitit zero, Home, Sy, Engjëjt e tepërt, zv.Libri, Puthmë skelet etj, por janë me qindra esetë dhe artikujt e shkruar për ta. Nga ana tjetër, fjala e atyre që heshtin kur duhet folur, me kohë e humb vlerën, ndoshta ngaqë bartësit e saj mbeten në njëfarë perpetum harakiri të ndërgjegjes.

KultPlus: Kur ishte Çmimi i Parë nga shteti shqiptar, që po pasohet nga ky i freskëti?
Ardian-Christian Kyçyku: Më është dhënë një çmim edhe në vitin 1989, për romanin „Triumfi i Proteut”. Kalova disa ditënetë ankthi atëhere, sepse njëri nga anëtarët e jurisë, që quhej Demokrat, qe ngritur e kish ulërirë: „Po ky është jashtë normave të realizmit socialist, more; si t’i dhënkemi Çmim Kombëtar?! Ky do rrasur brenda”. Bëra atëhere një shaka, që ishte gjithaq e rrezikshme sa edhe romani: Po doli se jam brenda, do mbetem jashtë; po doli se jam jashtë, do bie brenda. Gjërat ecën mbarë dhe tani, pas gati çerek shekulli, jam jashtë kufijve zyrtarë, jashtë realizmit socialist, por brenda Letërsisë.

KultPlus: Dhe prej atëherë, tituj të shumtë janë botuar nga ju, të cilët janë vlerësuar nga popuj e kritikë të huaj, por jo edhe nga ata shqiptarë. Padyshim se duhet të keni një mendim për këtë, pse gjithë kjo distancë: se populli shqiptar ka një shije më të hollë, apo se i duhet kohë për të kuptuar të bukurën?
Ardian-Christian Kyçyku: Dëshmitë e botuara thonë të kundërtën. Pak autorë të tjerë, jo vetëm në shqip, kanë pasur e kanë vlerësime të ngjashme ndaj librave. Të mos e ngatërrojmë kritikën zyrtare me atë të gjallën, e as lexuesin e zgjedhur me shijet që sundojnë shoqërinë e një periudhë të caktuar.

KultPlus: Mirëpo duhet të kesh një përshtypje personale se pse ndodhi gjithë kjo heshtje, si e vlerësoni?
Ardian-Christian Kyçyku:Padyshim, me të gjitha hollësitë e mundshme, por kam vendosur kaherë që ta ruaj për librat.

KultPlus: Je pajtuar ndopak, të kanë thyer zemrën me ndarjen e këtij çmimi?
Ardian-Christian Kyçyku: Ka shumë autorë që prishin çmime dhe shumë çmime që prishin autorë. Në rastin tim, kur librat dëshmojnë qartë se nuk ndodh e para, s’ka se si të ndodhë e dyta. Zemra ime është e zënë me të tjera gjëra.

KultPlus: Dhe pikërisht kjo fashitje erdhi me rezultatin e një libri të futur në kategorinë e tregimit. Sa është i rëndësishëm një çmim për këtë kategori, apo thënë më ndryshe, sa e do tregimin?
Ardian-Christian Kyçyku: Shkruaj tregime qysh nga dimri i vitit 1985. Deri tani më janë botuar disa vëllime, që mund të lexohen edhe si romane të shumëfishtë. Më të freskëtin, „Tregime të padukshme”, Buzuku, - që ka botuar edhe „Si u pushtua Çmendustani (2004), - e nxori nga shtypi në Prishtinë para një muaji.

KultPlus: Nëse do të bëje një krahasim me romanin, cili është më me vlerë për ju?
Ardian-Christian Kyçyku: Romani është më fort arratí, kurse tregimi – terapi.

KultPlus: Ministrja Kumbaro, pas publikimit të listës me fituesit, ka paralajmëruar se në vitin tjetër të jepet vetëm një çmim. Si e vlerësoni, u bëhet padrejtësi shumë autorëve, apo e bën më të fuqishëm çmimin e vetëm që do të jepet?
Ardian-Christian Kyçyku:
Ndoshta ka ardhur koha që ndjeshmëria e autorëve të shqipes dhe durimi i tyre shpesh i shpërdoruar me mërira e ankesa, të mësohen me një çmim të vetëm.

KultPlus: Dhe për fund, rrethanat e kombit shqiptar kanë ndryshuar, e në anën tjetër çmimi “Penda e argjendtë” vlerësohet si Çmim Kombëtar, por pa u përfshirë autorët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e të Luginës së Preshevës. A ka ardhur koha që të kemi me të vërtetë një çmim kombëtar për letërsi, pa bërë dallime në troje?

Ardian-Christian Kyçyku: Letërsia e mirëfilltë është bota me më pak troje në botë. Hëpërhë një çmim i tillë ka rrezik t’i shtojë kufijtë e padukshëm mes autorëve që jetojnë në zona të ndryshme të shqipes. Por ajo që quajmë kohë dhe që, në fakt, është bindja e shkallëzuar e secilit prej nesh se një ditë përnjimend ka për të ikur kësaj bote, do ta bëjë të vetën. /KultPlus.com

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk