Stupcat: Humori i mirë e bën një popullin shqiptar
Stupcat
Vedati, Osmani e Mensuri, vazhdojnë të jenë persona shumë të dashur pothuajse për çdo familje shqiptare, të cilët, nëpërmjet roleve të tyre në “Stupcat”, sjellin personazhe nga ato fshatarake e deri te ato më urbanet. Pothuajse deri më tashti nuk kanë lënë karakter pa përfshirë në projektet e tyre, duke thumbuar edhe politikanët. Stupcat, në një intervistë për “KultPlus”, kanë rrëfyer për të rejat në projektet e tyre për Vitin e Ri, për risitë që priten nga ky ekip, për depërtimin e humorit kosovar në Shqipëri...Stupcat rrëfejnë edhe për takimet e tyre me njerëz të sëmurë, të cilëve, nëpërmjet humorit të tyre kanë arritur që tu rikthejnë buzëqeshjen në fytyrë
Ardianë PajazitiKultPlus: “Stupcat”, jo rastësisht po e mbanë këtë emër, që po thumbon aktualitetin në vend tash e sa vite, dhe po vazhdojnë të jenë gjithnjë e më të dashur për audiencën. Ku mendoni se është çelësi i suksesit: që bëni një humor që i fle popullit, që jeni shumë punëtorë, apo që edhe nuk kurseni edhe aktualitetin politik, duke nxjerrë shumë shpesh skeçe edhe me emrat më me ndikim të jetës politike në vend?
Mensuri : Të bësh humor për popullin , siç thoni ju, të thumbosh edhe aktualitetin politik “vetit dhe veset e këqija”, padyshim se është zell, punë si dhe guxim intelektual. Po që të mveshen të gjitha këto me një sukses, adhurim e admirim, mendoj se çelësi është të jesh edhe vetë pjesë e këtij populli.
KultPlus: Është e vështirë të bëhet humor në Kosovë?
Mensuri : Humori i mirëfilltë ngrihet prej themeleve të tragjedisë, por zhanri është ai që kanalizon ose më mirë të them konverton vesin, fenomenin destruktiv me petkun e së qeshurës. Kështu që puna jonë nuk mund të konceptohet vetëm si komedi “humor”, por tragjikomedi.
KultPlus: Pastaj është një popull shumë i vuajtur, që duhet shumë mund që ti bësh të qeshin, e ju jeni në palcë të kësaj çështje, si e vlerësoni?
Mensuri: Skeçet tona pasqyrojnë: dhimbjen, varfërinë, traditën, gëzimin, hidhërimin me një fjalë vetë jetën. Kështu që nuk është vështirë që të vlerësohesh e ky popull i vuajtur të gjejë vetveten në to.
Mensur Safqiu
KultPlus: Keni ndonjë rast më të ndjeshëm që ju ka bërë të ndjeheni më mirë se mirë që keni këtë profesion, kur keni parë të bëni të qeshni ndonjë person ndoshta me ndonjë problem më të theksuar, qoftë shëndetësor apo ndonjë problem tjetër?
Mensuri: PO me një PO të madhe. Ka raste kur kemi shkuar të takojmë njerëz të sëmurë me sëmundje shumë të rënda , në prag të ndarjes nga kjo jetë dhe me gjithë atë lodhjen e tyre gjetën forcë për buzëqeshje kur shkuam ti vizitonim. Kjo është dhuratë që ta fal ky profesion.
KultPlus: Po ju, a arrini të qeshni me punën e juaj, apo keni edhe ju ndonjë idhull tjetër që ju bënë të relaksoheni?
Mensuri: Po qeshim edhe ne, kryesisht me njëri tjetrin.
KultPlus: Konsideroni se keni konkurrencë të humorit në Kosovë?
Mensuri: E jona është të punojmë e sa i përket përgjigjes në këtë pyetje i takon audiencës e jo neve.
KultPlus: Ndërkaq, kur flasim për konkurrencën, ju si ekip keni arritur të depërtoni edhe në Shqipëri, pavarësisht faktit se ata në humor janë mjaftë të treguar, sa është matës i mirë për suksesin e juaj edhe depërtimi në Shqipëri?
Stupcat: Roli i artit në këtë rast, i humorit ndër shekuj ka ditur të jetë një urë lidhëse mes popujve. Në këtë rast depërtimi ynë në Shqipëri përkundër këtyre pak kilometrave katrorë kishte rolin e një integrimi shpirtërorë dhe rinjoftimit tonë pas një ndarjeje të hekurt që e kishim me shtetin tonë amë.
KultPlus: Nëse flasim për sofistikimin e humorit, në cilën pjesë mendoni se është më i sofistikuar, në Kosovë apo në Shqipëri?
Mensuri: Humori është reflektim mentaliteti kur është fjala për humorin e sofistikuar , kështu që 45 vjet ndarjeje siç e lartëpërmenda krijuan reflektime të ndryshme.
KultPlus: Po humori që i fle popullit më shumë, ku bëhet, ai në Kosovë apo Shqipëri?
Vedati: Një popull, një gjuhë, një kulturë por dy shtete me flamur, rrnoft politika hahahhaha, mendoj se humori i mirë na bënë një të gjithë popullin shqiptar: Kosovë , Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e diasporë, me një fjalë çdo vend ku ka shqiptar.
Vedat Bajrami
KultPlus: Kthehemi te puna e juaj konkrete, te ajo më e spikatura, humori me figurat politike, sa është e vështirë transformimi në rolin e një politikani?
Vedati: Shiqoni unë mendoj se problemi tu Kosovës do të zgjidhet një ditë hahaha, nuk është edhe aq e lehtë të transformohesh në një politikan por kjo është një dhunti nga Zoti, dhe ne përveç transformimit, hyjmë edhe ne karakterin e politikanit dhe i thumbojmë dukuritë negative apo proceset që ndodhin në Kosovë dhe përmes tyre tregojmë ngjarjet që zhvillohen në Kosovë dhe realitetin e hidhur.
KultPlus: Prej kohës kur merreni edhe me thumbimin e këtyre personazheve e deri më tashti, sigurisht keni bërë edhe një studim të pëlqimit të këtij lloj humori, mendoni se është më i dëshiruar se skeçet e tjera?
Vedati: Që nga emisionet tona të para në vitin 2000 me “Ditarin e Stupcave”, ne i kemi pasur desert temat dhe transformimin e politikanëve dhe prej atëherë i kemi studiuar personazhet e politikanëve dhe kjo është mirëpritur nga shumica e tyre, dhe normal që publiku i ka dëshiruar prej atëherë dhe vazhdon ti mirëpresë këto transformime.
KultPlus: Po për kërcënimet e mundshme, ka pas rast që jeni kërcënuar të largoni ndonjë video, apo ndonjë gjë tjetër nga politikanët e apostrofuar?
Vedati: Jo nuk ka ndodhë asnjëherë, e përmenda në përgjigjen më lartë, bile janë mirëpritur që nga dita e parë kur dolëm në skenë me Ditarin e Stupcave.
KultPlus: Në çka bazoheni kur merrni vendim për thumbimin e ndonjë politikani, në gafet e tij në publik, apo në përvetësimin e karakterit të tij në humor?
Vedati: Qëllimi ynë është të udhëtojmë në kohë së bashku me popullin tonë i cili kaloi nëpër fazat më të vështira të jetës dhe ende po kalon, pjesë e këtij udhëtimi është edhe politika e Kosovës. Ne krijojmë idenë apo situatën e cila përshtatet me kohën dhe marrim personazhet, i thumbojmë së bashku me temat dhe aktualitetin që ndodhë si psh: skeçi “ndarja e Mitrovicës”, apo “ikja e politikanëve prej një partie në partinë tjetër”, e deri te “marrëveshjet në Bruksel”. Kjo është edhe detyrë e Stupcave të hulumtojnë dhe ti paraprijnë ngjarjeve që do të vijnë në të ardhmen.
KultPlus: A mendoni se si shoqëri jemi aq të lirë sa të bëjmë humor me çdo personazh publik?
Vedati: Duhet të jemi vetvetja, të sinqertë, duke filluar nga familja, lagjja ku jetojmë e deri te shoqëria e gjerë si popull, ta themi të vërtetën të jemi të guximshëm në ato parregullsi që i shohim dhe nuk na pëlqejnë, atëherë mund të ndryshojmë diçka të mirë për këtë vend dhe këtu nuk mund të na ndalë askush as ne por as juve.
KultPlus: Pastaj keni bërë humor edhe me personazhe të luftës, duhet një inkurajim tepër i thellë për të sfiduar vetën edhe në këtë pikë, ka qenë si temë e ndjeshme?
Vedati: Të gjithë jemi pjesë e kësaj historie të lavdishme dhe duhet ti çmojmë vlerat tona si komb, dhe këtu ka njerëz të cilët përfituan në krahët e kësaj lufte të shenjtë për lirinë e popullit tonë. Kjo ka qenë edhe tema që shumë here e kemi paraqitur në skeçet tona , duke respektuar vlerat tona respektojmë vetveten.
KultPlus: Kthehemi te personazhet e tjera, luani prej Sahit Plisit, Tetës Gjyli e deri te Liki. Jo bash e lehtë të absorbohet tërë kjo laramani e dallimeve të shoqërisë kosovare në jetën e përditshme e lëre më të realizohen në role. Sa është e vështirë të gërshetohen karaktere të shtresave të ndryshme të shoqërisë në një grup?
Vedati: Fal Zotit që na dha mundësinë dhe talentin, kjo realizohet me punë , vullnet të madh, dhe energjia jonë është sikur kemi filluar tani. Ne do të vazhdojmë ti qëndrojmë besnik publikut deri në fund. E fund nuk kish kjo punë kurrë, hahahhahahahah.
KultPlus: Pos juve si grup që jeni të përhershëm në “Stupcat”, ju shpesh herë keni angazhuar edhe aktorë të jashtëm, sa sjellë freski ky bashkëpunim?
Osmani: Sa më shumë që bashkëpunojmë me të tjerët aq më shumë i sjellim freski dhe risi skeçeve tona.
KultPlus: Ndërkaq, temat që preken nga ky grup janë shumë të prekshme, gati se për çdo pjesë të shoqërisë, si ia bëni për përpilimin e teksteve, keni tekstshkrues të përhershëm, apo varësisht prej situatave?
Osmani: Kemi bashkëpunime me skenaristë të ndryshëm, varësisht prej situatës, nuk kemi tekstshkrues të përhershëm, por në të shumtën e rasteve i shkruajmë edhe vetë.
Osman Azemi
KultPlus: Në anën tjetër, duhen edhe kostume të ndryshme për përshtatjen në karaktere, duke pas parasysh se ju jeni një kompani private, i gjithë angazhimi duhet të jetë vetanak, sa është e vështirë edhe kjo pjesë në përshtatjen e kostumeve me rolet që bartni?
Osmani: Nuk është e vështirë pasi që kemi kostumografen e përhershme, është Yllka Brada e cila kujdeset për kostumet që të na i përshtatë me rolet që i luajmë.
KultPlus: Flasim për Televizionet Nacionale në Kosovë, a kanë tentuar që të ju kontraktojnë për ndonjë emision të rregullt, sikurse që veprojnë në Shqipëri me “Portokallinë”, dhe, nëse jo, a do të kishit dashur të keni emision javor në njërin nga kanalet televizive?
Osmani: Po na kanë kontaktuar pothuajse të gjitha Televizionet Kombëtare, por nuk kemi diçka konkrete . Përpos që jemi duke e punuar projektin për Vitin e Ri 2014 për RTK1.
KultPlus: Jemi edhe në fundvit, ka angazhime më shumë se sa gjatë vitit në tërësi?
Osmani: Ne punojmë pandërprerë, kështu që për neve është çdo ditë Viti i Ri, hahaha.
KultPlus: A ka ndonjë projekt të ri që do të sjellë Stupcat më ndryshe, si dhe mundësia e ndonjë karakteri të ri në grupin “Stupcat”?
Osmani: Po ka shumë befasi nga Stupcat dhe mund të shikoni projektin tonë të ri me shumë risi që do të emetohet në RTK1.
KultPlus: Dhe për fund, cili prezantim është më i suksesshmi, ai i televizioneve, internetit, apo koncerteve?
Osmani: Mendoj të tre prezantimet kanë peshën e barabartë./KultPlus.com
Comments
Post a Comment