Suksesi i regjisores Arta Kallaba
Arta Kallaba
“Jam rritur në frymën e artit dhe kulturës në përgjithësi. Qysh si fëmijë babai na e ka imponuar muzikën dhe artin duke na marrë me vete në shkollën e muzikës, në teatër, në shumë koncerte për fëmijë dhe shumë organizime të tjera në Gjilan si dhe qytete të tjera në Kosovë. Gjilani si vend ka një traditë të kulturës. Sidomos për teatrin, publikun më të mirë në Kosovë e ka Gjilani. Teatri atje është gjithmonë plot dhe njerëzit e duan dhe përkrahin shumë artin”, ka thënë Arta Kallaba
Nga: Ermira Babamusta, New YorkJeta në Gjilan: Dashuria për botën e artit dhe muzikës
Arta Kallaba ka lindur në Gjilan, Kosovë në shtator 1983 në një familje artistike: babai Izet (kompozitor i njohur), mamaja Safete (edukatore), vëllai Korab (muzikant dhe arsimtar i shkollës së muzikës në Gjilan), motra Hana (fakulteti i Arteve në Prishtinë, perkusione), motra Mrika (shkolla e muzikës) dhe motra Albulena (fakulteti i Arteve të Muzikës).
“Jam rritur në frymën e artit dhe kulturës në përgjithësi. Qysh si fëmijë babai na e ka imponuar muzikën dhe artin duke na marrë me vete në shkollën e muzikës, në teatër, në shumë koncerte për fëmijë dhe shumë organizime të tjera në Gjilan si dhe qytete të tjera në Kosovë. Gjilani si vend ka një traditë të kulturës. Sidomos për teatrin, publikun më të mirë në Kosovë e ka Gjilani. Teatri atje është gjithmonë plot dhe njerëzit e duan dhe përkrahin shumë artin”, ka thënë Arta Kallaba
“Unë si fëmijë kam pasur fatin që babai të merret me muzikë, të jetë kompozitor dhe na ka edukuar në frymë të mirë dhe jemi rritur me energji pozitive. Dua të përmend një gjë të bukur që e kujtoj edhe sot. Kur kam qenë fëmijë TV-të shqiptare kanë qenë të ndaluara në përgjithësi dhe halla ime e cila jetonte në Prizren, ajo kapte një frekuence në TV programin e TVSH-së. Babai im e detyronte të incizonte emisionin në mungesë të emisioneve shqiptare në Kosove që pastaj të na lëshonte video kasetat të shikonim programet shqip. Në një farë mënyre jemi rritur me këngë te mirëfillta shqiptare si ato të Vaçe Zelës, Nertila Koka, Parashqevi Simaku, etj.”
Në moshën 8-vjeçare, pas klasës së dytë fillore Arta Kallaba u regjistrua në shkollën e muzikës në Gjilan për violinë. Shkollën e mesme e kreu në Gjimnazin Matamatiko-Natyror, ku paralelisht ka ndjekur edhe shkollën e mesme private të muzikës për solokëndim. Ka kënduar në skenë në shumë koncerte muzikore, organizime kulturore dhe festivale për fëmijë. Në vitin 1996 ka marrë pjesë në festivalin e njohur “Akordet e Kosovës” me këngën “8 marsi” të kompozuar nga babai i saj, Izet Kallaba.
Pas mbarimit të shkollës së mesme në vitin 2002 Arta Kallaba u regjistrua në Fakultetin e Arteve në Prishtinë për regji teatri. Gjithashtu, Arta ka magjistruar për regji në teatër në vitin 2011, ku mori magjistraturën nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Arteve.
“E zgjodha teatrin duke menduar se një shfaqje i përfshin gati të gjitha artet brenda dhe nuk u fokusova në aktrim ose në muzikë, gjë për të cilën më kanë bërë shumë pyetje pse nuk zgjodha të jem në skenë por prapa skenës. Meqë si fëmijë kam qenë shumë para skenës, mu duk ndryshe dhe desha të provoj artin si regjisore e teatrit.”
Suksesi në Teatër dhe vlerësimet për shfaqjet e saj
E talentuara Arta Kallaba ka arritur sukses në shumë fusha të artit. Si regjisore e teatrit ka realizuar disa shfaqje mjaft të suksesshme si shfaqjet :“Antigona “ e Sofokliut, “Ëndrra e një nate vere” nga Shekspiri,” Balerina” vetë autore, “Mbreti Lir” Shekspiri, “Darka e Thërrimeve” nga Refet Abazi, dhe midis të tjerave edhe: “Lisistrata”, nga Aristofani, ”Guxim për Vrasje” nga Lars Noren, “Heshtje” nga Refet Abazi, etj, me të cilat është vlerësuar me çmime.
“Jam me fat se kam punuar me aktorë shumë të njohur të skenës shqiptare, si me aktorin dhe profesorin Enver Petrovci, Luan Jaha gjithashtu profesor i aktrimi, Arta Muçaj e cila jo vetëm në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni por tani edhe në Australi ajo ka bërë një emër të mirë si aktore, Çun Lajçi, Xhevdet Jashari aktor dhe profesor aktrimi nga Maqedonia dhe shumë të tjerë që tani s’po mund të gjithë t’i përmend.
Shfaqja Lisistrata (2003)
Në vitin 2003 regjisorja Arta Kallaba mori pjesë në edicionin e parë të Festivalit “Skena Up” me shfaqjen teatrale komedinë “Lisistrata”, shkruar nga dramaturgu i njohur Aristofani.
Në shfaqen “Lisistrata” me regji të Arta Kallabës kanë interpretuar aktorët e famshëm shqiptar : Fatmir Spahiu, Leonora Mehmetaj dhe Edona Reshitaj. Regjisorja Arta Kallaba fitoi çmimin “Best Drama” (Shfaqja më e mirë) për dramën “Lisistrata”.
“Shfaqjen Lisitrata e kam punuar me përkushtim të madh, dhe aktorët që kanë luajtur në këtë shfaqje, Fatmir Spahiu, Leonora Mehmetaj dhe Edona Reshitaj, ishin dy gjenerata para meje në fakultet dhe ata studionin aktrim. Fillimisht un kisha turp t’i ftoja sepse mendoja se janë më të mëdhenj se unë dhe nuk do ta pranojnë ftesën time, por ata me kënaqësi pranuan dhe kështu punuam shfaqjen e cila në festival mori edhe çmimin e parë. Dhe mua më krijoi sa vetëbesim po aq edhe përgjegjësi për punët e ardhshme si regjisore. U gëzova tej mase kur mora vesh që shfaqjet fituese do të prezantohen para publikut në Tiranë.”
Guxim për vrasje (2007)
Në 2007 Arta Kallaba prodhoi shfaqjen e parë të saj profesionale me titull “Guxim për Vrasje”, shkruar nga autori suedez Lars Noren, që trajton temën sociale, problemin familjar, marrëdhënien baba- djalë, etj. Në rolet kryesore kanë luajtur aktorët e talentuar shqiptarë si: Arta Muçaj, Enver Petrovci dhe Luan Jaha. Shfaqja pati sukses të jashtëzakonshëm duke fituar 4 çmime në Festivalin e Teatrove të Kosovës: “Best Drama” (Shfaqja më e mirë), “Best Lead Actor” (Aktori më i mirë për rolin kryesor) për Enver Petrovci, “Best Lead Actress” (Aktorja më e mire për rolin kryesor) për Arta Muçaj dhe “Best Supporting Actor” (Aktori më i mirë në rolin dytësor) për Luan Jaha.“Guxim për vrasje” u shfaq edhe në Fier ku fitoi çmimin “Aktori më i mirë”, Enver Petrovci në rolin e babait.
“Këtë shfaqje e kam punuar sapo mbarova fakultetin dhe me këtë shfaqje shfrytëzova rastin edhe diplomova, mbrojta diplomën time. Unë isha më e vogla në ekip dhe ndjehesha me fat të punoja me kaq artistë të talentuar dhe të njohur për publikun shqiptar. Këta aktorë jo vetëm që janë shumë të mirë dhe profesional, por kanë një edukatë jashtëzakonisht të mirë dhe e them me bindje se kam mësuar shumë nga ta, si nga ana profesionale ashtu edhe nga jeta e përditshme. Edhe pse unë isha regjisorja dhe e bëja shfaqjen, unë në të njëjtën kohë atë e llogaritja si një shkollë në vete, pasi që dikur këta ishin aktorët e mi të preferuar dhe se të punoja me ta për mua ishte një privilegj i madh. Kjo me shtyu që të jap maksimumin tim dhe premiera doli me sukses”.
Çun Lajçi, në shfaqjen e Arta Kallabës “Heshtje"
Heshtje (2010)
Në Janar 2010 Arta Kallaba trajtoi një temë sociale, problem familjare, droga, prostitucioni, si dhe thelbi i problemit të këtyre – incesti, në shfaqjen e saj me emër “Heshtje”.
“Heshtje bëri një zhurmë të madhe me temën dhe mesazhin që dha kundër këtyre dukurive negative që fatkeqësisht po ndodhin edhe në shoqëritë tonë shqiptare.”
Drama me regji të Arta Kallabës është një shfaqje e guximshme e regjisores dhe nxjerr në pah një temë tabu “incestin” dhe normat etike dhe sociale të familjes dhe shoqërisë. “Heshtje” u shfaq me sukses edhe në Tiranë.
Shfaqja, “Heshtje”, me autor Refet Abazi mori pjesë në Festivalin “Flaka e Janarit”, një manifestim tradicional që mbahet për nder të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Arta Kallaba fitoi çmimin special për realizimin e ri teatror. Në shfaqen “Heshtje” luajtën aktorët e njohur shqiptar: Çun Lajçi, Enver Petrovci, Igballe Qena, Bislim Muçaj,Yllka Gashi, Xhevdet Jashari, Leonora Mehmetaj dhe Donat Qosja.
Në vitin 2012 Arta Kallaba ka realizuar shfaqjen e fundit në Kosovë me titull “ Darka e Thërrimeve”, e cila shfaqje trajton një teme dashurie në botën e përtejme. Momentalisht ajo po përgatitet për një shfaqje të re në New York.
Gjatë kësaj kohe Arta Kallaba ka punuar edhe në Qeverinë e Republikës së Kosovës si Shefe për kulturë rini dhe sport të diasporës, nga viti 2007 në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pastaj është transferuar në Zyrën e Kryeministrit dhe në fund ka qenë po në të njëjtën pozitë në Ministrinë e Diasporës. Edhe aty Arta i ka shërbyer Kulturës shqiptare dhe krijuesve nga diaspora.
“Kemi pasur shumë organizime kulturore. Sidomos duhet përmendur manifestimi tradicional “Ditët e Diasporës në Kosovë” që mbahet çdo verë, dhe ftohen shumë artistë nga e gjithë bota duke mos i harruar as arbëreshët e Italisë dhe Arvanitët e Greqisë, te cilët u prezantuan vitin e kaluar në Kosove bashkë me shumë artistë të tjerë nga të gjitha vendet e botës. Nëpërmjet këtij manifestimi kemi afruar krijuesit nga diaspora jonë shqiptare me Kosovën.”
Në vitin 2013 regjisorja Arta Kallaba ka ardhur në Bronx, Neë York ku jeton dhe vazhdon veprimtarinë e saj artistike. Me 29 nëntor-1dhjetor 2013 mori pjesë si Kryetare e Jurisë në edicionin e parë të festivalit “Young Albanian Filmmakers Festival”, organizuar në New York nga Bujar Alimani./KultPlus.com
Comments
Post a Comment