Anila Konomi: Stili flet më shumë se emri
Yllka Selita
Emri i Anila Konomit është një nga emrat më të njohur në fushën e modës dhe
jo vetëm. Ajo shpesh është prezent me koleksionet saj në sfilita mode, por nuk
ngurron që t’i vijë në ndihmë të gjitha femrave me këshillat e saj edhe
nëpërmjet mediave. Në një intervistë për suplementin “Summer Time” në gazetën
“Koha Jonë”, Anila rrëfen si e ka nisur rrugën e modës dhe sigurisht që jep
edhe këshillat e saj në lidhje me tendencat e momentit, duke i vënë një theks
të veçantë zgjedhjes së rrobave të plazhit. Për më shumë lexoni intervistën e
plotë.
Si kanë qenë fillesat tuaja në rrugën
e modës?
Si shumë histori stilistësh, gjithmonë ka një ngacmim të jashtëm që të
zgjon dëshirën, pasionin për të krijuar diçka tënden që të jesh unike, në atë çfarë
bën dhe në atë që të dallon nga të tjerët. Duke qenë binjake me motrën time,
tradita e donte që ne të visheshim njëlloj, me te njëjtat fustane të të njëjtit
kolor, sigurisht që ishte shumë bukur për të gjithë të shikonin dy vajza, si një
kopje të vetme, por pikërisht kjo zgjoi tek unë dëshirën për të qenë ndryshe
nga motra ime, dëshirën për të krijuar veshje unike, si dhe të ndryshoja çdo
detaj, të hiqja ose të shtoja, mjafton të mos ishte një kopje. Pikërisht duke u
marrë me këto detaje dhe duke kërkuar zgjidhje, fantazia më ngacmohej. Atëherë
më vinte çdo gjë instinktivisht dhe ende sot i qëndroj fanatike instinktit tim.
Sigurisht, studimi në degën Tekstil më njohu me shumë njohuri profesionale, si
dhe punësimi në institutin e modës, po ashtu një eksperiencë shumë e mirë ka
qenë e pjesëmarrja ime më byronë teknologjike të N.P.V. Tiranë.
Keni marrë pjesë në disa sfilita, a
jeni vlerësuar me çmime?
Sfilatat e para kanë qenë rreth viteve 2000 dhe më pak kanë vazhduar rregullisht
çdo vit. Por një prezantim shumë i mirë i krijimtarisë sime kanë qenë edhe spektaklet
e shumta si “Miss Shqipëria” për 8 vjet radhazi, si dhe spektakle të ndryshme,
festivale, teatro etj. Jam vlerësuar edhe me çmime ku mes tyre veçoj çmimin “Stilisti
më i mirë i vitit” në 2002.
Sa të vështirë e keni pasur që të
hapni një atelie tuajën dhe është e vështirë të mbijetosh në këtë treg
konfeksionesh?
Atelienë e hapa në një periudhë shumë të vështirë, kur Shqipëria nuk njihte
ende termin modë, nga ku vinim prej një eksperience dhe edukimi të imponuar, me
veshje jo më shumë se tre ngjyrash si kafja, grija e jeshilja ushtarake. Pra, u
desh të bëja edukimin, si dhe të ngacmoja dëshirën e njerëzve për të ndryshuar
dhe guxuar, sepse pa guxim nuk ka modë. Por me modesti e them se atelieri e
pati suksesin që në hapat e para. A është e vështirë të mbijetosh në këtë treg?
Kjo është një pyetje shumë aktuale dhe unë do t’i përgjigjem: - vetëm nëse dalim
me markën tonë, me koleksionet tona, atëherë mund të konkurrojmë në treg e
konfeksione. Personalisht ndodhem në një sfidë të tillë, por është akoma herët për
të folur konkretisht.
Çfarë gjen klienti tek stilisti, që
nuk ia ofron butiku?
Të realizosh një veshje në atelie, do të thotë që kjo veshje të jetë e
personalizuar, unike, si dhe të ketë stil. E veçanta tjetër në atelie është se
veshja punohet me dorë, ku i kushtohet shumë rëndësi detajeve, aksesorëve, si
dhe më e rëndësishmja, është që në fund kjo veshje mbart emrin e stilistit. Pra,
shkurtimisht, nëse ne blejmë një veshje në butik, atë mund ta gjejmë në kopje të
tjera, ndërsa në atelie ajo do të mbetet gjithnjë unike.
Si e shikoni rininë sot, përqasjen që
kanë ata me modën?
Dëshira e të rinjve shqiptarë është që ta përqasin shumë shpejt modën, por
kushtet dhe mundësitë jo të gjithë i kanë, sepse të ndjekësh modën do të thotë
jo vetëm ta ndjekësh në mënyrë virtuale, por edhe ta mbartësh atë, që do të thotë
të shpenzosh para për të.
Por shohim që shumica e të rinjve dinë mjaft mirë dhe zgjedhin atë që
duhet, ta kombinojnë dhe ta përshtatin mirë me veten, si dhe të luajnë me aksesorët,
që e bëjnë një veshje me tërheqëse.
Cila ka qenë gjeja më e çuditshme që
ju ka ndodhur me një klient?
Shkurtimisht do t’ju them një histori, e cila më ka ndodhur shumë vite përpara,
kur unë ende nuk kisha një markë timen. Në një festë ku edhe unë isha e ftuar, njëra
prej klientëve të mia iu referua veshjes së shoqes së saj, duke i thënë se
veshja mbante firmën e “Atelie Konomit”. Kjo ishte një gjë shumë e çuditshme për
mua, por edhe vlerësuese nga ana e klientit. Nga e gjithë kjo, unë kuptova se
stili flet më shumë se emri dhe është shumë interesante kur këtë gjë e mëson
nga një klient.
Cilat janë tendencat e momentit?
Meqenëse jemi në stinën e verës, po flasim pikërisht për veshjet, të cilat
po çudisin vitrinat e botës, ku e veçanta qëndron në koloret e tyre, të cilat
janë të forta, ngjyrat e neonit janë një tendencë e fundit. Loja e kontrasteve
të ngjyrave në një veshje, të cilën stilisten e kanë quajtur me termin
colour-block. Këto vijnë në prerje asimetrike. Shohim gjithashtu tendencë,
fundet e gjata që kishin vite pa u kthyer që sot janë me copa të printuar me
lule dhe me ngjyra të ndezura, si dhe te moshat e reja, kryesisht tek
adoleshentet, shohim në masë bluzat e pambukta në ngjyrë neoni të printuara. Këto
bluza, stilistet i kanë sjellë të sheqeruara me pantallona të shkurtra të të
gjitha ngjyrave.
Po për periudhën e plazhit, çfarë i
sugjeroni lexueseve?
Do të thosha që të përqendrohen te kostumet e banjës me ngjyra të ndezura
dhe të printuara me lule shumëngjyrëshe. Këshilla ime është që kostumin e banjës,
mos ta konsiderojnë si një copëz të veshjes nga gardëroba e tyre, por si një
kostum, cili i përfaqëson ato. Këtë këshillë do t’ia drejtoja kryesisht grave të
moshës së mesme, të cilat duhet të kenë kujdes kur të drejtohen për të blerë
kostumin e tyre të banjës, duhet ta blenë një masë më të madhe se masa e tyre,
sepse kjo bën të mundur sfumimin e linjave të tyre.
Cili është gabimi që bëjnë shpesh
femrat në veshje?
Shpeshherë ky gabim konsiston në mospërshtatjen e linjave të trupit, duke
mos ditur të zgjedhin stilin e tyre. Pra, këshilla ime është që duhet të studiojnë
linjat e trupit të tyre, të gjejnë stilin e tyre dhe mundësisht mos të lëvizin jashtë
tij, por të mundohen që brenda stilit të tyre të lëvizin me detajin, i cili është
shumë evidentues dhe gjithmonë bën ndryshimin në një veshje. Sigurisht dhe
ngjyra është shumë e rëndësishme, pasi ajo duhet të përshtatet me pigmentin e lëkurës
që ne kemi. Pra, duke pasur këto parasysh mund të eliminojnë shumë gabime në
veshje.
A do të shohim një sfilatë tuajën së shpejti?
Po, muaji shtator do të më sjelli me një koleksion të ri, i cili do të jetë
surprizë, ky aktivitet organizohet nga java e modës shqiptare dhe shpresojmë që
pjesëmarrja të jetë shumë e gjerë.
Po veshjet tuaja, i realizoni vetë
apo i blini diku tjetër?
Për sa i përket veshjeve të mia, mund të them që jam shumë e përqendruar në
stilin sport-klas, ku ngjyrat që spikasin janë shumë të qeta. Më pëlqen
kombinimi bardh e zi dhe nuk e tradhtoj, por sigurisht edhe unë si shumë gra të
tjera, preferoj edhe t’i nënshtrohem terapisë së bërit shopping, e cila më jep kënaqësi.
Por, pikërisht këto të fundit, janë veshjet që nuk rezistojnë shumë në gardërobën
time.
Ku keni vendosur t’i kaloni
pushimet?
Muaji gusht, është muaji, i cili mund të le punët mënjanë dhe të drejtohem
drejt Jugut të Shqipërisë, që janë edhe vendet e preferuara të familjes sime. E
veçanta e kësaj vere është se për herë të parë do të kaloj shumë kohë në Narte
të Vlorës dhe pastaj do t’i drejtohem Himarës, që ngelet një nga vendet e mia më
të preferuara për të bërë pushimet. Për shkak të impenjimeve, nuk mendoj se
pushimet do të më zgjasin më shumë se 2 javë dhe do t’i rikthehem punës.
Comments
Post a Comment