Shllaku: Komunizmi e shndërroi Kadarenë në mit
Primo Shllaku, poeti gegë, i cili
përgjatë regjimit të Enver Hoxhës shkroi vetëm për vete pa i publikuar
shkrimet, po merr pjesë në Festivalin e Letërsisë në Orllan. Ai ka rrëfyer se
si kishte vendosur atëherë që të mos publikojë krijimtarinë, kjo vetëm për të
ruajtur ankthin e periudhës, të pacensuruar. Ai ka vjell helm mbi Kadarenë, duke vlerësuar
se periudha e komunizmit i zgjeroi Kadaresë hapësirën edhe në pjesën e parë të
shekullit të 20-të, të kohës së Fishtës, por Shllaku ka shtuar se Kadare nuk do
të mund të mbajë as pjesën e dytë të shekullit të 20-të pa e ndarë pa Martin
Camajn
Zëri: Z. Shllaku, qe sa kohë nuk keni
qenë në Kosovë, dhe çfarë ndjesie është për ju të jeni pjesëmarrës në një
festival të poezisë sikur ky “FLO”, me poetë të përzier nga Shqipëria dhe
Kosova?
Primo Shllako: Vij shpesh në Kosovë, relativisht shpesh, jo vetëm për arsye të miqve, por
edhe për shkëmbime kulturore, me festivale, me botime, për problemet e gjuhës,
poezisë, janë probleme të hapura që presin koordinim, edhe ky rast që ndodhemi
këtu është njëra prej tullave që e ndërtojnë këtë bashkëpunim. Për studiuesit e
letërsisë mendoj që kanë një interesim të veçantë, këto ngjarje kulturore na
ndihmojnë me prekë prej shumë afër shkallën e rritjes së produktit letrar në
një situatë krejt të re. Askund më bukur
se këtu nuk preket letërsia, sepse gjithçka është e gjallë, shijohet për së
gjalli, shkëmbimi i eksperiencave bëhet në mënyrën më të mirë dhe më të
dobishme të mundshme. Me këtë rast marrim vesh se çfarë shkruhet sot, se çfarë
bëhet sot. Është një prekje më e thellë dhe ka një sens konkurrimi, sepse një
krijues është në konkurrencë edhe me vetveten. Krijuesi duhet ta kapërcejë edhe
vetveten, ndryshe kthehet në plagjiat të vetvetes dhe aty është vdekja e tij.
Zëri: Është thënë shumë herë se poetët
kosovarë kanë qenë më të thellë në poezi sesa poetët e Shqipërisë, në kohërat e
shkuara, kohë të cilën ju e keni injoruar, sa u përket publikimeve. E injoruat
pikërisht për këtë fakt, pasi që bëhej poezi lajkatare ndoshta?
Primo Shllaku: Zhvillimet letrare në Kosovë dhe Shqipëri, që përkojnë me diktaturën te ne,
kanë një shkak që nuk është thjesht subjektiv, por është çështje orientimesh
shtetërore. Ka qenë shumë fat i madh që ish- Jugosllavia dhe udhëheqja e saj
kohe nuk është përzier kurrë në punën e artit edhe pse ishte vend komunist. Letërsitë e republikave të ish- Jugosllavisë
bënë një letërsi sipas problemeve brendapërbrenda si shoqëri, por edhe të
raporteve që kishin me kombet tjera, kësisoj letërsia në Kosovë ishte shumë e
mbytur me ideologji nacionale por gjithmonë ishin të ngarkuara edhe me
problemet me çështjen kombëtare të pazgjidhur. Nuk është e çuditshme që në atë
kohë Kosova kishte poetë të fuqishëm, si e tillë nëse e krahasojmë me letërsinë
botërore që e kishte lëshuar prej kohësh natyrën e vet etnocentrike dhe kishte
marrë rrugën e gjerë, këto dy letërsitë (Kosovë-Shqipëri) ishin letërsi të
ngarkuara me nacionalizëm dhe kishin një dell romantik, ishte deri diku edhe
anakronik, mirëpo goditjen pulsive e kishte të fuqishme. E keqja e madhe është sot se ajo letërsi nuk
mund të konsumohet më, sepse nuk flet për njeriun, po për marrëdhëniet e
njeriut me kohën e vet, historicizmi e ka vrarë këtë letërsi. Kjo letërsi e ka
shkarkuar baterinë e vet dhe nuk emocionon më. Të rinjtë sot kërkojnë një
letërsi të thellë, që flet për njeriun me marrëdhëniet me vetveten, kërkojnë
një tjetër erotikë në letërsi, shumë më pak mishtore sesa ajo që e kemi shijuar
te poezitë folklorike. Letërsia e atyre kohëve nuk ka mund të kalojë as pragun
e epokës.
Zëri: Po tërë ajo kohë e mbyllur për
publik, e për vete ju keni shkruar, çfarë ndjesie është të fshihni dhuntinë për
aq shumë vite?
Primo Shllaku: Do të më shkonte një paragjykim si tip egoisti ose si një egocentrist.
Marrëdhënia me vetveten në atë kohë është krejt racionale, shkrimtari, artisti
duhet të bëjë dëshminë e kohës së vet, kjo është deviza, më pas, a botohet, a
kuptohet, a lexohet, a përbuzet, a dënohet është një problem tjetër. Meqë
dënimi për shkrimtarin kundër rrymës në Shqipërinë e atyre viteve ishte
kapital, askush nuk e kishte luksin që të shkojë me këmbët e veta në litar, ose
me dalë te muri edhe me e hapë gjoksin. Heroizmi vinte deri aty që ti të bësh
dëshminë tënde dhe ta ruash për një kohë tjetër, kjo ka të bëjë me vizionin e
ardhmërisë. Unë e kam ditur që ajo fjali një ditë do të përfundonte me pikë dhe
do të fillonte një paragraf i ri. Dhe ruajtja e vetvetes dhe e krijimeve ka
qenë deviza ime kryesore, isha shumë i shpërblyer që unë vazhdoja me shkrime.
Kjo ka qenë në kushte të një emergjence të thellë historike. Por gjithmonë ka qenë ylli dhe drita në fund
të tunelit. Unë atë dritë e kam parë. Kam thënë, nëse unë nuk e arrij atë kohë
atëherë kam djalin, nëse jo edhe djali atëherë djali i djalit do të kryejë
punën time. Shkrimtarët e asaj kohe më mësonin aq shumë, aq fortë se si të mos
shkruaja dhe si të mos veproja. Vlente si një antimodel.
Zëri: Por tashti, a mendoni se ka
ndryshuar qasja në raport me poezinë, sa ndiheni i plotësuar?
Primo Shllaku: Krijimtaria në liri është shumë më e vështirë sesa në një kohë të palirë.
Unë mendoj se letërsia ka nevojë për një lloj ankthi brenda, nuk del prej
mirëqenies, prej lezeti, prej kënaqësisë. Ankthi i kësaj letërsie që kam
shkruar unë ka qenë ankth i kohës, dhe unë këtë ankth e kam sjellë këmbëkryq në
qendër të shkrimeve të mia, ky është suksesi im i parë, mandej sa cilësore
është kjo poezi, sa avangarde, ky është problem tjetër. Por unë ankthin e asaj kohe e solla të pa
censuruar, dhe në kohën kur poezitë dhe shkrimet e mia filluan të botoheshin,
unë e ndjeva se kisha qenë koherent me veten, kisha qenë koherent me kohën, me
rolin e shkrimtarit, me rolin e intelektualit dhe rolin e njeriut në një
emergjencë historike të pa shoqe, unë nuk isha dyzuar dhe nuk e kisha humbë
vetën. Kjo është plotnia ime dhe shpërblimi im.
Zëri: Ju shpesh here jeni deklaruar
edhe për publikimet e të tjerëve, a mendoni se një mendim i hapur por i
dhimbshëm krijon armiqësi, sa të ka kushtuar kjo kur keni kritikuar prej
Kadaresë e andej?
Primo Shllaku: Periudha e letërsisë së realizmit socialist ishte periudhë e
hegjemonizmit. U denigruan poetë të mëdhenj si Fishta. Nuk duhej të
përjashtohej Fishta në atë mënyrë sa me ia dhunue edhe varrin, vetëm e vetëm që
t’i krijohej një shesh një shekullor Ismail Kadaresë, me qenë ai autori më i
madh i letrave shqipe në një hapësirë prej 100 vjetëve, në një kohë kur Gjergj
Fishta ishte vigani, letrari më kompleks i gjysmës së parë të shekullit 20. Pushteti
komunist u mundua t’ia zgjerojë hapësirën Ismail Kadaresë edhe me ato 50 vjet
të Fishtës, t’ia grabiste Fishtës, në kohën kur Kadare ishte ende kalama. Edhe
qëndrimi i Ismail Kadaresë në kohën e diktaturës kur foli në terma etikisht të
palejuara për një koleg të vdekur, me të cilin nuk kishte lidhje, pos që ishte
një koleg. Ismail Kadare dhe regjimi për
mua kanë qenë në sintoni të plotë, kanë ndërtuar kulte, kanë ndërtuar mite,
sepse Ismail Kadare është mit i asaj kohë që po vazhdon edhe sot. Luftuan që të
zhdukej gjuha gege, të zhdukej letërsia gege dhe të fillonte një kohë e re
sikur të fillonte me Kadarenë. Mirëpo,
koha bëri që të tregojë se Kadare, jo që nuk mundi të marrë gjysmën e kohës së
Fishtës, por po i duhet me e nda edhe kohën e vet, gjysmën e dytë të shekullit
20 me Martin Camajn, i cili për mendimin tim është poet më integral, poet shumë
më vertikal, është shkrimtar më koherent me veten dhe rrugën e historisë. Camaj e bëri veprën e tij, u çue e vdiq, nuk
bëri asnjë polemikë për veprën e tij, ua la njerëzve që të gjykojnë, ua la
atyre për të cilët kish krijuar dhe nuk foli kurrë për veten, e prodhoi veprën
e vet dhe ua dha njerëzve. Martin Camaj
është autori më i madh, është magjistari i vërtetë i letrave dhe i shpirtit
shqiptar në krajatat e dhimbshme të gjysmës së dytë të shekullit të 20. Unë do
ta mbaj të tillë sikur të mos kem asnjë përkrahës derisa historia t’i bëjë
kullimet e veta.
Zëri: Flasim pak për gegnishten,
konsideroheni të jeni një mbrojtës i gegnishtes, por edhe gegnishtja ka pësuar
devijime, pse po ndodh kjo?
Primo Shllaku: Gegnishtja është gjuhë amtare që ka potencialet e mëdha të shprehjes, duke
filluar prej gëzimit, hidhërimit, prej vajit, humorit, edhe deri te shkrimi
letrar, futja e toskërishtes në atë mënyrë sikur se ka ndodhur është bërë në
situatë kur Kosova ka qenë shumë ngushtë. Ato situata për fatin tonë kanë
mbaruar, Kosova është një vend i lirë. Askush nuk ka të drejtë me vendosë se si
do të flasin fëmijët e fëmijëve të mi pas 40 vjetëve, gjuha evulon. Nëse standardi ka treguar shenja të dukshme të
një alergjie ndaj elementit gegë, nuk po kërkojmë që toskërishtes t’i fusim
fjalë gege, sepse nuk po e quajnë si gjuhë të tyre. Nuk do ta thoshin fjalën
shtatzanë në shtatzënë, pse po e zëvendësojnë atë A, pse po ia kujton
gegnishten. A-ja është më e hapur, më e bukur, më me ngjyra se sa shkronja Ë. Akademizmi shqiptar është treguar aq i verbër.
Gegnishtja ka aq shumë elegancë dhe tregon emocion, tregon gjendjen
shpirtërore. Nëse nuk e zotnon gjuhën si thellësi, si mjet absolut të
shprehjes, që ka karrovcerinë me bartë edhe emocionin jo vetëm mesazhin, kjo
bëhet vetëm nëse zotnohet mirë gjuha.
Ardianë Pajaziti
Comments
Post a Comment