Seksi, ndjenja, dëshira, dëshpërime dhe epshe në pikturat e Gustav Klimt
Ai guxoi si pakkush tjetër i kohës së tij të shprehej hapur
dhe duke bërë këtë të demonstronte publikisht, me artin e tij të
jshtëzakonshëm, atë që shumë të tjerë para tij, por edhe ai, do ta paguanin me
një çmim të konsiderueshëm. Ata dhe ai, Gustav Klimt, futi seksin, ndjenjën,
epshin, dëshpërimin dhe thyerjen në tablo. Ai guxoi dhe u desh të paguante me
një anatemë, me një braktisje. Koha dhe artdashësit e paragjykuan, jo për asgjë
tjetër, vetëm për atë, për të cilën ai është sot i jashtëzakonshëm, i
paaritshëm.. Vepra më e famshme e piktorit austriak, “Puthja” është një ndër më
të “kopjuarat” dhe mund ta gjesh nëpër mure shkollash, zyrash, teatrosh,
lokalesh dhe shtëpish sigurisht. Po cili është sekreti i Klimt që e ka bërë
këtë vepër të tij kaq popullore? Pikturat e Klimt janë ndër më të shtrenjtat në
botë. Nëpër ankande, vlera e tyre shkon me miliona. E ndërkohë, shpesh në
qendër të tyre janë objekte krejtësisht të thjeshta duke filluar që nga vazo,
mbajtëset e pecetave apo gjëra të tjera të tilla. Një nga punët e tij “Portreti
i Adele Bloch-Bauer” ka në qendër të saj një grua shumë të bukur e sjellë në
telajo përmes stilit tipik të Klimt. Dhe ky është një stil i pangatërrueshëm,
unik, që çuditërisht ka fituar një popullaritet të gjerë aq sa për të qenë
“trendy” në çdo kohë dhe në çdo vend. Sipas disa specialistëve të artit,
popullariteti i tij është falë të qenët një piktor shumë pararojë, një piktor
që guxoi në një epokë shumë konservatore të eksperimentonte me ngjyrat dhe me
format dhe nga ana tjetër përmes kësaj mjeshtërie eksperimentale të vendoste në
qendër të veprave të tij subjekte që janë shumë të zakonshme, të jetës së
përditshme, po të dhëna në një formë të re dhe të pranueshme nga syri dhe
ndjesia artistike e njeriut. “Klimt ka një joshje të jashtëzakonshme dhe
njerëzit reagojnë ndaj saj në mënyrë instiktive dhe menjëherë. Ai e çon
pikturën e tij në prag të abstragimit, por e bën këtë duke ruajtur edhe
balancat mes reales dhe joreales. Mes abstraktes që ka në mendje dhe konkretes
që ka ai dhe të gjithë të tjerët para syve në jetën e përditshme. Por në punët
e tij ka edhe një ndjesi lirie, pakufijshmërie që karakterizon çdo krijim.
Klimt ishte anëtar i lëvizjes që quhej “Cesesuin”, një grup
artistësh vjenezë që kërkonte që të sfidonte rixhiditetin e pikturave austriake
në përgjithësi, në atë kohë.
Qëllimi i tyre kryesor ishte që të bënin bashkë shumë lloje
të ndryshme, zhanre të ndryshme arti në një lëvizje të madhe të përbashkët atë
që u quajt “Gesamtkunstëerk”. Ishte një lëvizje që më pas pati një ndikim jo të
vogël edhe në artin e Britanisë së Madhe të asaj periudhe me veprat
karakteristike të Charles Rennie Macintosh, stili dekorativ i të cilit arriti
që të kishte një audiencë maksimale.
Shoqja e ngushtë e Klimt dhe me sa thuhet edhe e dashura e
tij, Emilie Floege ishte e përfshirë në lëvizje në rolin e stilistes dhe më pas
u bë një nga stilistet dhe rrobaqepëset më të mëdha dhe më të famshme të Vjenës
së asaj periudhe. Puna e saj thuhet se ka ndikuar edhe në tekstilet me të cilat
janë krijuar shumë punë të Klimt, ndër të cilat edhe e famshmja e tij, “The
Kiss”.
Kjo grua ishte vetëm një nga të dashurat e shumta të
artistit. Edhe pse ai njihej si një njeri me reputacion prej të ndrojturi, ai
dashuroi shumë gra në jetën e tij dhe pas vitit 1990 i përdorte në mënyrë të
vazhdueshme si modele të tija. Dhe bëhet fjalë për piktura kryesisht nudo dhe
erotike në të cilat ai nënvizonte me të madhe sensualitetin e tyre dhe seksin.
Dhe ndërkohë, karakteristikë e përbashkët është se ato e shihnin “publikun” me
një vështrim shumë provokues. Kanë qenë për kohën imazhe shumë kontroversiale,
por kishin një joshje dhe një sensibilitet të ri dhe të ndryshëm nga pikturat e
mëparshme dhe ishin një celebrim i seksualitetit, i atij sensualiteti që sapo
kishte nisur që të shfaqej në atë periudhë në Austri. Dhe ishte pikërisht kjo
përshfaqje sensualiteti që u shndërrua edhe në “fushëbetejën” e një tjetër
njeriu të famshëm austriak, Sigmund Freud. Në vitin 1905 ai publikoi tre ese në
lidhje me teorinë e seksualitetit, një libër që përbënte një sfidë të madhe dhe
të thellë në këtë fushë.
Sikurse edhe Freud, edhe Klimt donte që të vendoste seksualitetin
në sferën publike. Por në vitin 1903 ai u detyrua që të hiqte një nga pikturat
e tij “Shpresa” nga retrospektiva e lëvizjes “Cecesion” ishte një pikturë në
qendër të së cilës ishte një grua e zhveshur shtatzënë, e cila kishte një
vështrim gati të paturpshëm dhe që në fakt përbënte diçka shumë më përtej
zakonit të vendit. Gjithsesi, askush si Klimt nuk arriti që të depërtonte dhe
të shfaqte ndjenja, dëshira, dëshpërime e epshe në veprat e tij. Dhe për këtë e
veçanërisht për gjithë sa tregoi për një epokë, ai vlerësohet edhe sot dhe
mbetet i madh.
Comments
Post a Comment