Virgjil Muçi: Jeta ime letrare, një vuajtje që nuk di të ndalet



Nga Leonard VEIZI
Dashuri në tre kohë. Ndoshta vetëm kështu mund të përkufizohet krejt dukshëm puna e tij krijuese, e cila sot vjen në të paktën tre dimensione. Nëse, akoma më herët gjithçka e perceptuar prej tij ka anuar nga romantizmi idealist, duhet thënë se pak më vonë ai vetë i është larguar atij, për të qenë ndoshta më shumë pragmatist, brenda të njëjtave ujra…
…Shkrimtar, përkthyes e kritik… Nuk është aspak e lehtë të lundrosh mes tyre e të jesh gjithmonë mbi sipërfaqe. Por duket se ai ia ka dalë me sukses. Gjatë një interviste, Virgjil Muçi rrëfen pasionin për letërsinë e përkthimin, dashurinë e pakufijshme që ka dhënë për to, por dhe për anën tjetër të tij, atë të kritikës, vëzhgues i imët ndaj gjithçkaje të krijuar prej të tjerëve:
Jeni shkrimtar, përkthyes e kritik. Cili është për ju emëruesi i të triave?
Emëruesi i përbashkët i të triave është angazhimi qytetar dhe intelektual i një njeriu në shoqërinë ku jeton. Çdonjëra prej tyre përkon me një fazë të caktuar të jetës sime: më shkoqur, në qoftë se do të shkonim e do të huazonim një term nga historia e letërsisë do të thoja se Letërsia i përket epokës së Romantizmit në jetën time, e cila zë fill me adoleshencën dhe vjen deri në një periudhë të caktuar të rinisë, atëherë kur gjithçka identifikohej (njëjtësohej) me krijimtarinë letrare dhe vetëm me atë. Asokohe bota rrotullohej jo qark diellit, por rreth librave e letërsisë. Kohë leximesh të vrullshme dhe të pareshtura (sinqerisht ndjej një nostalgji të jashtëzakonshme për atë grimcë kohore), sprovash të palodhura për të shkruar në një makinë shkrimi “Brothers” që ma kishte dërguar ungji i sime mëje nga Amerika dhe trokitjesh të ndrojtura nëpër redaksi gazetash e revistash për të botuar. Orvajtje pa sukses, më duhet të pohoj. (Më vjen keq për të rinjtë e sotëm kur shoh se me çfarë lehtësie botojnë, shpesh me të paguar. Është pak a shumë e njëjta gjë sikur të bësh seks për herë të parë duke paguar një prostitutë.)
Po përkthimi sa vend do zinte në krijimtarinë tuaj?
Fill paskëtaj vjen periudha e dytë, e Përkthimeve, e cila në qoftë se do të vijonim me gjedhin historik përkon me Sentimentalizmin; koha e kuturisjes në lëmë të shqipes dhe të gjuhëve të huaja, kohë eksplorimesh, eksperimentimesh, barabitjesh, anatomish letrare. Çdo shkrimtar i madh i huaj dhe çdo vepër që merrja përsipër ta ktheje në shqipe shembëllente me zbulime të mëdha, por edhe dështime e hundëthyrje pa fund; sakaq vjen një ditë e zbulon se shqipja ka bukuri të rralla dhe sa më shumë i njeh viset dhe peizazhet e saj aq më fort nis dhe e dashuron; duke huazuar sërish një metaforë nga erotika është si të zhbirosh shtatin e një femre: lugina të mistershme, kodra hirplota, burime me ujra të ëmbël e pyje fantastikë ku hyn e magjepsesh dhe nuk del dot më.
Ndërkaq ju jeni marrë gjerësisht edhe me kritikën?
Dhe paskëtaj vijmë te periudha e fundit: Kritika, e cila, duke vijuar në të njëjtën vazhdë arsyetimi, përkon me Realizmin Kritik. Analiza, përimtime, zhdrivillime dhe miq të humbur, sa herë që rrekesh të gjykosh me sens kritik për ta dhe veprën e tyre. Në këtë pikë mund të pohoj se gjykimi kritik dhe vetëkritik nuk është ana e fortë për askënd prej nesh, dhe të jem realist ky nuk është ndonjë defekt që e kanë vetëm shqiptarët. Të gjithë rrudhim buzët dhe na vjen athtë kur na gjykojnë. Tekefundit e gjithë kjo është natyrshme, e panatyrshme do të ishte të përjetoje kënaqësi nga kritika; të qe kështu kënaqësia do të merrte trajtat e një farë mazohizmi, letrar, sigurisht! Nuk e di se çfarë mund të shprehte më mirë se tri metaforat e mësipërme marrëdhëniet e mia me letërsinë, përkthimet dhe kritikën; dhe këtu nuk kam parasysh vetëm atë letrare, por gjykimin kritik në përgjithësi si një element kartezian.
Një nga punimet tuaja më në zë është vëllimi “Erotikoni e Satririkoni”
“Erotikoni e Satirikoni”, libri im i fundit, ka zënë fill gati-gati si një episod anekdotik gjatë kohës që endesha si i shituar në qerthullin e magjepsur të përrallave. Figurativisht, mund të them se, ishte si molla e Njutonit që vjen e të bie kresë papritur e pakujtuar dhe, sakaq, ti vë re se ke zbuluar diçka që nuk të kishte shkuar kurrë më parë ndër mend. Duke eksploruar botën marramendëse të përrallave vura re se, aty-këtu, hasja në gërmadhat e mrekullueshme të një bote të zhdukur në terret e misteret kohësh të harruara. Kësisoj zuri fill ajo që sot mund ta quaj arkeologji letrare dhe ashtu si Shlimani shkoi e zbuloi Trojën nisur nga leximi i Eneidës së Virgjilit, unë u vura të rindërtoj mozaikun e një bote të bjerrë prej grimcave të mbledhura poshtë e përpjetë e cila, ashtu siç e njohim sot nuk i lë gjë mangut as Dekameronit të Bokaçios, as Rrëfimeve të Kentërbërit të Çoserit. Ja pra, kësisoj doli në dritë “Erotikoni e Satirikoni”, vepra me të cilën mbyllet udhëtimi im shumëvjeçar në botën e fantazisë.


Përrallat
Me Italo Kalvinon një udhëtim në botën e fantazisë
Shkrimtari i njohur italian i përrallave për fëmijë, Italo Kalvino, vjen në shqip dhe nga përkthimi mjeshtëror i Virgjil Muçit, i cili i ngacmua në këtë pikë thotë: “Më vjen mirë për këtë dikotomi tuajën, kur e lidhni punën time me përrallat me figurën e një shkrimtari eksperimentues të madh si Kalvinoja. Dikur në një ese që kam shkruar për përrallat shqipe dhe marrëdhëniet e mia me atë botë të jashtëzakonshme e kam krahasuar këtë raport mes meje dhe shkrimtarit të shquar italian, si atë të për të cilin bën fjalë Danteja kur Virgjili, poeti latin, e merr përdore dhe i prin gjatë udhëtimit në ferr e në purgator, siç e ka përshkruar te “Komedia Hyjnore”. Mund të them se e njëjta gjë ka ngjarë mes meje dhe Kalvinos. Veçse këtë herë udhëtimi ynë kryhej në botën e fantazisë dhe qenieve të pagjasa. Shkurt e shkoqur një mrekulli. Lypset të pohoj këtu se për këtë i jam mirënjohës botueses së parë të Përrallave, Brikena Çabejt, e cila jo vetëm u mrekullua dhe më nxiti kur i fola për idenë time, por më shtiu në mendje se të njëjtën gjë kishte bërë edhe Kalvinoja, duke më dhënë zemër të vijoja punën e nisur pa kurrfarë kompleksi”.

Raportet e shkrimtarit në familje
“Më e lehtë të jesh bashkëshort se miku i fëmijëve të tu”
“Pas njëzet vjetësh i martuar nuk të mbetet gjë tjetër për të bërë veçse ta rilindësh ditë pas dite dashurinë përmes gjestesh të vegjël dhe, në dukje, të parëndësishëm. Fjala vjen, një lule e dhuruar si rastësisht, një e puthur e rrëmbyer përvjedhurazi, një deklaratë dashurie me sms si dy adoleshentë dhe njëqind e një truke të kësisojshëm, s’do mend në qoftë se e do ende gruan që ke dashuruar dikur dhe sot nuk e konsideron thjesht e vetëm një fotografi të vjetëruar nga koha në albumin e fotove të tua të njëherë e njëkohshme. Këtu po e ndërpres rrëfimin tim se ndruhem mos tingëlloj anakronik e patetik më fort nga ç’jam në të vërtetë, siç më qortonte një herë tim bir kur i kallëzova dedikimin që i bëja në hyrje të librit tim të fundit sime shoqeje, Olit. Ndërsa fëmijët? Ah, vjen një ditë dhe e kupton se qenkërka mjaft e vështirë të jesh prind, por edhe më e vështirë për të mos e thënë e pamundur të jesh shoku e miku i fëmijëve të tu. Pa ditur dhe pa mundur të krijosh një drejtpeshim midis këtyre të dyjave, prindit e shokut, zor se je në gjendje të krijosh e të mbash një marrëdhënie të qëndrueshme me ta”.

Comments

  1. Hi,
    My name is Sharma Pecoraro and I am the chairman of a nonprofit association in Sweden that is called Göteborgs Integrations Center (translation: The Integration Centre of Gothenburg). We are an association that focuses on working with integration issues for children and youths. We have been running various projects since a few years back and currently we are working on the production of audio books focusing on some of the books of Astrid Lindgren and translating them into 9 different languages. The purpose of this project is to offer children of different nationalities that live in Sweden the same opportunities that Swedish children have to listen to books in their own language and improve their native tongue.
    We are trying to contact Mr. Virgjil Muçi and get his permission and acquire the rights for the translation of:

    - Pipi C̦orapegjata / Astrid Lindgren ; përktheu Virgjil Muçi


    We dont know anyone in Albania and we would be most grateful if you can help us to find Mr Virgjil Muçi.

    With kind regards,

    Sharma Pecoraro
    Chairman
    Göteborgs Integrations Center
    Mobile: 0046-707907962

    ReplyDelete

Post a Comment

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk