Gjergj Kaçinari, kopozitori që e nxorrën me dhunë nga Filarmonia


Ardianë Pajaziti
Kompozitor, dirigjent për shumë vite i korit që nuk ekziston më “Colegium Cantorum”, Gjergj Kaçinari i ka vënë vijën e kuqe gjithçkaje që ka të bëjë me muzikën. Prej vitit 2004, ai nuk i përcjell më as koncertet orkestrale, ku sipas tij, kolegët e tij e përzunë nga puna me polici.
Ai nuk e ka të lejuar të hyjë në objektin e Filarmonisë Opera e Kosovës, edhe pse, aty i kanë mbetur edhe 34 këngë të vjetra korale. Kaçinari ka rrëfyer për gazetën se si e ka dashur dhe ka kontribuar për muzikën e vjetër shqiptare, duke botuar edhe librin me mbi 100 këngë të përmbledhura, sikurse që ka folur edhe për keqardhjen e tij që është dorëzuar para gjithçkaje të kësaj shoqërie, por që këtë e ka bërë, sepse siç thotë ai, nuk është Don Kishoti, që të luftojë me mullinjtë e erës
Zëri: Njiheni se keni kontribuar për muzikën e vjetër qytetare, realisht sa keni punuar në këtë drejtim?
Gjergj Kaçinari: Nuk ka pas shumë mundësi që të popullarizohet muzika e vjetër shqiptare, unë i them këngë të vjetra popullore. Kënga e vjetër qytetare është shumë e hershme dhe është e veçantë për disa treva, në Kosovë kemi tervat: Prizrenin, Gjakovën, Pejën, këto tri qytete e kanë kultivuar më së shumti muzikën e vjetër qytetare. Po natyrisht ndikimin e kanë pas nga kënga e vjetër shkodrane, pastaj nga kënga e Elbasanit, Tiranës, Korçës. Të gjitha këto vende i kanë karaktersitikat e veta në muzikë. Shkodra i ka jaret, Korça serenadat... Ndihem me fat që kam kontribuar për muzikën shqiptare, kam publikura një libër me këngë të vjetra qytetare ku kam përmbledhë mbi 100 këngë, dhe kjo shtyri që edhe të tjerët që ti publikojnë këngët në libra me nota, një formë e mirë për të ripërtrirë këngët. Edhe libri im është duke shërbyer për ringjalljen e këtyre këngëve. Është një nismë e mirë që e kanë marë si yrrnek për ta ruajtur këngën e vjetër shqiptare.
Zëri: Nëse bëjmë një krahasim, kush nga këto dy vende janë më të pasura me këngë të vjetra qytetare?
Gjergj Kaçinari: Shqipëria ka pasuri më të madhe sepse edhe qytetrimi ka qenë më i hershëm. Por edhe fakti se e kanë kultivuar më shumë këngën e vjetër, sidomos Shkodra. Por edhe Tirana tashmë ka grumbulluar të gjitha këngët nga trevat shqiptare. Kënga e vjetër shqiptare është shumë e veçantë në krahasim me këngët e vjetra të popujve të tjerë, për shkak se ne kemi ritmin karakteristik, begaton muzikën, jep një ritëm shumë të gjallë. Por mbi të gjitha Shkodra është perlë e muzikës së vjetër shqiptare, janë meloditë më të bukura të trevave shqiptare.
Zëri: Kur kemi parasysh bukurinë e tekstit dhe këngës së vjetër shqipe, ky kombinim po reflekton edhe dëshirë për rikomponim të këtyre këngëve nga gjeneratat e reja. Sa po të pëlqen kjo nismë?
Gjergj Kaçinari: Mirë është që po rikomponohen këngët e vjetra, pasi që po përdoret brumi i këngës popullore, mirëpo nuk më pëlqen forma të cilën e praktikojnë. Nuk jam për atë që këngët e vjetra qytetare të nëpërkëmben, jam për rikomponimin e tyre por me kritere të larta të muzikës serioze. Sepse, ato këngë janë pasuria e këtij vendi. Prej një kënge të bukur qytetare të këndohet rep, nuk di ku qëndron këtu e bukura. Pastaj më e keqja është se në një këngë rep po futen pjesët më të bukura të një kënge të vjetër qytetare, duke lënë anash pjesën tjetër.
Zëri: Sa jemi duke bërë për muzikën e vjetër ne si shoqëri?
Gjergj Kaçinari: Institucioni nuk e luan asnjë rol çfarë ka luajtur më herët Radio Televizioni i Prishtinës. Më herët institucionet i kanë dhënë dritën e gjelbër një kënge se kur duhet të dalë në treg. Sot gjithkush bëhet kompozitorë, tekstshkrues, këngëtarë. Atëherë ka pas komisione për lansimine të këngëve, e tash e ata që donë të bëhen këngëtarë po e shesin tokën dhe me ato para po bëhen tekstshkrues, kompozitorë dhe këngëtarë. Sidomos repi e ka bastarduar edhe tekstin edhe gjithçka që ka të bëjë me muzikën. Janë disa individë që akoma e mbajnë kriterin e muzikës së mirë, por janë të paktë. Sepse po punohet në atë formë se si po e do pazari, e pazari po e ha tallavanë dhe gjithçka tjetër pos këngës së mirëfilltë. Tash këngëtarët nuk janë në gjendje të mbajnë identitetin e këngëtarit pasi që po i dikton paraja.
Zëri: A duhet të jemi më syqelë për ruajtjen e kësaj pasurie dhe a është dashtë që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të bëjë më shumë që këngën e vjetër qytetare ta patentojë si pasuri shtetërore?
Gjergj Kaçinari: Fatkeqësisht ministrat shkojnë e vijnë, ata janë për një mandat aty. Nuk iu intereson shumë për këtë lëmi, e kanë sferën e tyre të interesit, pasi që të gjitha lëmitë e kulturës i kanë futur në një thes. Shembulli më i mire është kur e kam botuar librin tim me këngët e vjetra qytetare.
Unë me këtë rast nuk jam mbështetë nga Minsitria për Kulturë, dhe me është dashur ta botoj me paratë e mia. Një shembull i keq të tregon se MKRS i ka ndarë 15 mijë euro për CD-në e Albërie Hadërgjonaj e nuk është menduar për krijimin e një fondi të muzikës së vjetër qytetare. Nuk janë të vetëdijshëm se edhe këngët e vjetra qytetare janë pasuri shtetërore.
Zëri: I themi këngë e vjetër qytetare, por sa është e vjetër, prej kur daton?
Gjergj Kaçinari: Nuk mund të përcaktohen vitet. Populli ka kënduar gjithmonë, vetëm vihet në pikëpyetje se sa është përcjellë nëpër breza. Unë kam hasë në disa këngë që janë të vjetra 300 vjet. Më të hershme nuk di, sepse duhet të merren studiuesit e muzikologëve që janë pranë Institutit Albanologjik.
Zëri: Por sot kënga e vjetër qytetare rrallë herë është e pranishme si në medie ashtu edhe në organizime private. Është fakt shqetësues për ju?
Gjergj Kaçinari: Duhet të jetë një dhimbje për tërë shoqërinë, sepse atë që ia servojmë rinisë atë e absorbojnë. Nëse rinia nuk ka prej kujt ta dëgjojë këngën e vjetër shqipe nuk ka se si ta ruajë. Tash ke shembullin në dasma, ke një poterë të madhe, ku shumica mbyllin veshët.
Zëri: Po kur jemi te kriteret e televizioneve tona në raport me muzikën mendoni se ka kritere serioze?
Gjergj Kaçinari: Televizionet emetojnë ato që i do koha, këngët e ditës, për atë kemi shumë këngëtarë që kanë afat të skadimit sezonal. Janë këngë afatshkurtra, janë këngë të ditës.
Zëri: Nëse do të ishe kompetent si do të kishe vepruar mbi këtë kaos muzikor?
Gjergj Kaçinari: Kurqysh, sepse nuk ke se si të veprosh, thjesht arti është çështje e shijes.
Zëri: Mirëpo, dikush duhet të ketë fajin më të madh, mediet, këngëtarët apo populli?

Gjergj Kaçinari: Nuk është puna se te kush është faji, faji është i përgjithshëm. Tash kemi shumë të ardhur nga fshatrat, dhe ata që vijnë nga fshati, pavarsisht se vendosen në qytet ata vazhdojnë ta kultivojnë kulturën e fshatit. Në këtë rast nuk i kanë fajet mediet. Për këtë fakt këngëtarët i përshtaten tregut që e kërkon. Prandaj, nuk mund të them se kemi një fajtorë.
Zëri: Duke pas parasysh se ishit dirigjent, kompozitor dhe një kultivues i madh i muzikës së vlerave, çfarë jeni duke bërë së fundi?
Gjergj Kaçinari: Nuk jam duke bërë asgjë. Kam qenë dirigjinet i korit “Colegium Cantorum”, që ka funksionuar në kuadër të Filarmonisë Opera e Kosovës. Atë kor e kam udhëheqë prej vitit 1985 deri në vitin 2004, kur shqiptarët, miqtë e mi më larguan me polici prej aty. Fatkeqësia është më e madhe sepse dikush që i ka përjetuar të bëmat e serbëve, unë i kam përjetuar prej shqiptarëve. Shqiptarët më kanë larguar prej punës, shqiptarët ma kanë djegur shtëpinë në Prizren, e mos t’i përmend edhe shumë gjëra të tjera…Habitem se si kjo shoqëri e jona ka shuar një kor që ka pasur traditë, që ka pasur shpërblime nga më të ndryshmet nëpër botë, duke u ranguar edhe me vendin e tretë në botë, si një kor profesional. Mua tash nuk më lejojnë as të hy në atë objekt dhe nuk e kam të qartë se pse jam kaq i padëshiruar për ta, kur kam bërë aq shumë për atë kor. Bile më kanë mbetur edhe 34 këngë të vjetra brenda atij objekti, që sot nuk e di fatin e tyre. Të njëjtit pos që vepruan kështu me mua, nxorën nga Filarmonia Opera e Kosovës edhe bustin e Mark Kaçinarit, dhe po ata udhëhqës e shitën atë bust për bronz. Tash jam në pension, por jam pensionuar edhe në veprimtari. Prej vitit 2004 nuk merrem më as me muzikë e as me komponime, sepse nuk mund t’i përballoj kërkesat e sotme për muzikë. Nuk i përcjell prej atij viti as koncertet. Më vjen keq që jam dorëzuar por u dorëzova se nuk pata me kënd të luftoj. Nuk jam Don Kishoti që të luftoj me mullinjtë e erës. Kjo është historia edhe muzikës sonë por edhe e gjendjes sonë kolektive.
Zeri

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk