Lamtumirë, Neil Armstrong, “kolonializatori” i parë i Hënës


Neil Armstrong, njeriu i parë që vajti në Hënë ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare. Ish-astronauti amerikan pati bërë këtë muaj një operacion zemre. Qeveria gjermane e sheh "një shkallë me Christoph Columbusin". Ish-astronauti i SHBA vdiq nga komplikacionet pas një operacioni zemre, bëri të ditur familja e tij të shtunën. Neil Armstrongu hyri në histori në 20 korrik 1969, duke lënë gjurmën e parë në sipërfaqen e Hënës. "Me hidhërim të madh ne bëjmë të ditur lajmin se Neil Armstrongu ndërroi jetë pas komplikacioneve që rezultuan në proceset kardiovaskalare", tha familja në një deklaratë. 82 vjeçari bëri dy ditë pas ditëlindjes së tij, në 7 gusht, një operacion bypass-i, për të zhbllokuar arteriet e zemrës. " Duke mbajtur zi për një burrë shumë të mirë, ne kremtojmë edhe jetën e tij të shquar dhe shpresojmë se do të jetë shembull për të rinjtë në të gjithë botën, për të punuar fort dhe për t'i vënë në jetë ëndrrat që kanë", kumtoi familja.
Presidenti i SHBA, Barack Obama tha se "ai ishte ndër heronjtë më të mëdhenj amerikanë-- jo vetëm të kohës së tij, por të të gjitha kohërave." Armstrongu dhe kolegu i tij astronaut, Buzz Aldrin u panë nga mbi 500 milionë vetë në televizor kur u ulën në Hënë, në 20 korrik 1969. Rreth 400.000 kilometra larg tokës, Armstrongu vuri këmbën e tij të majtë në tokën shkretëtirë të Hënës. Kur bëri hapin e parë, Armstrongu tha thënien e famshme ""Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hop gjigant për njerëzimin". Për qeverinë gjermane, Armstrongu qëndron prandaj në "një shkallë me Christoph Columbusin". Më tej, në reagimin zyrtar gjerman thuhet: "Fjalët e tij në Hënë do të mbeten përjetësisht në kujtesën e njerëzimit." Si komandant i misionit Apollo 11, 38 vjeçari Armstrong kishte detyrën të raportonte se moduli Eagle ishte ulur me sukses. Me fjalët "Houston, këtu baza Tranquility, Eagle u ul me sukses", ai shqiptoi një frazë tjetër që do të bëhej e famshme.
Neil Alden Armstrong lindi në 5 gusht 1930 në Wapakoneta të shtetit federal amerikan Ohio. Patentën e pilotit ai e mori që në moshën 16 vjeçare dhe pas kësaj shkoi të shërbente në luftën e Koresë si aviator i marinës së SHBA. Pasi shërbeu si pilot testues në Stacionin e Fluturimeve të Shpejtësisë së lartë në bazën Edwards të Flotës Ajrore në Kaliforni, atë e NASA e zgjodhi që të trajnohej si astronaut në Houston të Texas-it. Fluturimin e tij të parë në hapësirë, Armstrongu e kreu më 12 mars 1966 , si komandant i anijes kozmike të SHBA "Gemini 9". Tri vjet më vonë ai i plotësoi njerëzimit një ëndërr. Së bashku me Buzz (Edward) Aldrinin Armstrongu mblodhi më shumë se dy orë gurë në Hënë dhe bëri fotografi historike. Misioni i tij Apollo 11 rezultoi të ishte i fundit për Armstrongun, i cili doli në pension nga Administrata Ajrore dhe e Hapësirës më 1971. Pas kësaj ai u bë profesor i teknikës ajrore dhe hapësinore në Universitetin e Cincinnat-it. Armstrongu u tërhoq gradualisht nga jeta publike që pas fluturimit në Hënë. Por kur mbushi 80-vjetorin e tij ai e bëri të qartë se zemra e tij rrihte ende për fluturimet në hapësirë. Kur presidenti Barack Obama shpalli tërheqjen nga një program i ri i NASA-s për Hënën, legjenda e fluturimeve në hapësirë nuk heshti. Në një letër të hapur Armstrongu paralajmëroi për rrezikun e "rënies së SHBA në një vend të klasit të dytë" përsa i përket fluturimeve në hapësirë. Edhe në moshën 80 vjeçare ai ishte një njeri plot vizione.








Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk