Rileximi i letërsisë shqipe në gegnisht duhet filluar që në shkolla


Studiuesja e letërsisë, Dhurata Shehri, në kuadër të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, u paraqit me ligjëratën e saj ‘Rilexime të letërsisë shqipe’, në të cil[n, midis tjerash, theksoi se rileximi i letërsisë shqipe në gegnisht duhet filluar që në shkolla. Ligjërata e fundit që u mbajt në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare qe ajo e studiueses nga Tirana Dhurata Shehri, e cila foli për rileximet e letërsisë shqipe. Rileximit në letërsinë shqipe ajo iu qas përmes rileximit si lexim filologjik dhe rileximit dhe leximit ideologjik. “Vitet e para të shekullit 20 sollën vëmendjen nga autori tek teksti letrar, në fillim me formalistët e më pas me strukturalistët, sidomos në periudhën e parë. Sot, në shekullin 21 vëmendja e studimeve teorike mbi letërsinë e ka kapërcyer tekstin për të shkuar në skajin e fundit të skemës, tek lexuesi”, u shpreh Shehri. Ndërsa, duke folur për letërsinë shqipe, Shehri tha se letërsia shqipe që në fillimet e veta ka qenë një letërsi ishullore dhe moskomunikimin e ka pasur një nga tiparet themelore. Sipas saj, letërsia shqipe e shkruar e botuar nëpër ‘ujdhesa’ pa komunikim me njëra tjetrën e zë fill një farë komunikimi normal rreth viteve 20-30. Ndërsa, pas vitit 1945, pra vetëm rreth 5 vite më vonë, sistemi politik komunist e ndërpret sërish komunikimin normal letrar të sapo vendosur.
“Letërsia shqipe kthehet sërish në letërsi gjeografike, ujdhesash, pa komunikim me njëra tjetrën pas vitit 1945. Ndërpritet komunikimi me letërsinë që shkruhet në Kosovë dhe me atë që shkruhet jashtë Shqipërisë”, tha Shehri. Ajo foli për letërsinë e pabotuar, letërsinë jo në origjinal, letërsinë në gegnisht, rileximin e klasikëve si rekonstruksion i leximit ideologjik, rileximin ideologjik të autorëve të ndaluar, refuzimin e bashkëkohësisë si rilexim të kanoneve ideologjike të traditës, rileximin e letërsisë së realizmit socialist. Duke folur për letërsinë e shkruar jo në origjinal, ajo tha se letërsia shqipe e ka më të zhvilluar mitin e përshtatjes sesa mitin e origjinalit. “Thënë me fjalë të tjera, pjesa më e madhe e letërsisë së shkruar shqiptare nuk është botuar ende me botime kritike, ku ende është i pazbuluar ‘vullneti i autorit të tekstit’ (në konotimin filologjik të këtij termi). Kur flasim për mitin e përshtatjes e kemi fjalën për një mentalitet dominant edhe në elitat kulturore se letërsia e shkruar me një distancë kohore duhet përshtatur në gjuhën e sotme për t’u kuptuar nga masat. Madje deri shumë vonë shkolla ka qenë furnizuesja më e madhe e këtij miti”, tha Shehri, duke shtuar se “breza të tërë nxënësish në arsimin e detyruar dhe të mesëm nuk njohin qoftë edhe Këngët e Milosaos të De Radës e shkruar vetëm 176 vjet më parë”. Ndërkaq, duke folur për letërsinë në gegnisht, Shehri theksoi se një pjesë e madhe e letërsisë shqipe e shkruar në gegnisht ka qenë e ndaluar të lexohej dhe të studiohej nëpër shkolla për një gjysmë shekulli në Shqipëri.
“Më shumë se kaq, pjesa më e madhe e letërsisë së shkruar në gegnisht është përshkruar, apo përfolur në studimet dhe tekstet zyrtare e shkollore në Shqipëri me terma pezhorativë. Pak më vonë, dialekti toskë është në bazë të gjuhës standarde të vendosur që në vitin 1972 në Shqipëri dhe në Kosovë. Këto dy fakte empirike, të kombinuara mes vetes kanë quar në një refuzim filologjik, ideologjik por edhe estetik të letërsisë së shkruar në gegnisht në Shqipëri”, u shpreh Shehri. Për këto arsye, shtoi ajo, kur flasim për rilexim të letërsisë së shkruar në gegnisht, së pari duhet të flasim për lexim të parë duke filluar nga shkolla. Sipas saj, mungesa e leximit filologjik, në fakt është premisa më e mirë e leximit ideologjik të tyre, pra për mungesën e një leximi simbolik.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk