Mateus Frroku: Pritja në “Kënga Magjike”, si një ëndërr
“Kam bërë tifo për Xhesikën në ‘X Factor’ dhe vijoj të bëj tifo për të”
Ilda Lumani
Është dashur një melodi e duhur,
një tekst romantik një bashkëpunim me një zë të veçantë dhe suksesi flet vetë.
Pasi prej një jave ky kombinim e ka bërë të jetë si në ëndërr këngëtarin e ri
Mateus Frroku, i cili është rikthyer në muzikë bujshëm me këngën e tij, duet me
këngëtaren Xhesika Polo, “Më shumë të dua”. Pjesëmarrja në “Kënga Magjike” nuk
është e parë për të dhe ai e di mirë ndjesinë që i fal ky festival. Aq më tepër
reagimet që ka marrë për këngën e bëj të ndihet edhe më me fat edhe më i
lumtur. Nën këtë dozë ndjesish të bukura, ai shfaqet edhe në këtë intervistë
mjaft të këndshme.
Mateus, si e vlerëson pjesëmarrjen në “Kënga Magjike”?
Së pari, faleminderit shumë për këtë
intervistë që po bëjmë bashkë dhe një përshëndetje shumë të madhe për të gjithë
lexuesit. Më pëlqen fakti që jam pjesëmarrës në “Kënga Magjike”, sepse është një
event ku pjesëmarrës janë shumë këngëtarë të njohur dhe me këngë të bukura dhe
kjo padyshim që e bën garën e bukur dhe interesante. Fakti që në krye të tij është
një emër si Ardit Gjebrea e bën akoma më interesant këtë fakt. Arditi ka një përkushtim
shumë të madh për këtë festival dhe unë ndihem shumë mirë për këtë fakt.
Si lindi ideja e bashkëpunimit me Xhesikën?
Ka lindur krejt rastësisht. Unë Xhesikën
e kam ndjekur në performancat e saj në “X Factor” dhe e kam pëlqyer shumë, por
nuk mendoja se do të kishim një bashkëpunim kaq shpejt. Gjithçka erdhi shumë
shpejt. Unë dëgjova një material muzikor në studion e mikut tim Elgit Doda dhe
menjëherë mendova Xhesika Polo… dhe më pas të dy bashkë vendosëm ta këndojmë këtë
këngë.
Duket se e kishit lënë pak pas dore muzikën, përse nuk keni qenë shumë
aktiv?
Është e vërtetë… kjo nuk ka
ardhur si pasojë e një strategjie të menduar, por shpesh kam ndier mungesën e
një materiali të mirë. Kjo ka bërë që unë të mos jem shumë i pranishëm në
eventet në televizion. Kënga “Më shumë të dua” ishte ajo që mua më “çarmatosi”
dhe u dorëzova. (qesh).
Beson se dalja nga talent-show si “Ethet...” në këtë rast është mënyra
më e mirë për të hyrë në muzikë?
Sigurisht që po. “Ethet...” kanë
qenë një shkollë për mua, si në jetën artistike, ashtu dhe në atë personale. Gjithçka
për mua filloi aty. Shpesh i kam thënë vetes se jam njeri me fat për shkak të
pjesëmarrjes time në “ETHET”, pasi kjo më ka ndihmuar shumë të jem pranë muzikës
dhe publikut.
Jeni i kënaqur me rrugëtimin tuaj deri më tani në muzikë?
Ende jo… por shpresoj të kem
nisur një rrugë të mbarë tashmë. Unë jap maksimumin e vetes dhe dëshiroj që këtë
të bëj gjithmonë. Dëshiroj të jem serioz në atë që bëj dhe njerëzit të dëgjojnë
muzikën time dhe më vjen shumë mirë që kënga “Më shumë të dua” pëlqehet shumë
nga publiku. Kjo më gëzon pamasë.
Çfarë aspiron nga ky “Festival”?
Të them të drejtën unë në “Kënga
Magjike” marr kënaqësi pafund. Dua që dhe këtë herë të jetë po kështu. Dua të
ndihem i plotësuar dhe i duartrokitur nga publiku. Dua që kënga jonë këtë vit
të depërtojë në publik të jetë e pëlqyer.
Xhesin e keni ndjekur ne X Factor, çfarë mendimi kishit për të para se
të bashkëpunonit?
Unë isha tifoz për Xhesikën. E
them vërtet këtë. Më pëlqen siguria dhe figura që ajo krijon në skenë. Është e
vogël në moshë, por unë e harroj këtë dhe Xhesika mua më përcjell një artiste që
ka një eksperiencë të gjatë në skenë. E vlerësoj shumë vokalin e saj (është një
ngjyrë shumë e veçantë dhe shumë bukur). Për çudi unë vazhdoj të jem përsëri
tifoz i Xhesikës.
Çfarë reagimesh keni marrë deri më tani për këngën?
Pafund, si asnjëherë tjetër kam marrë
mesazhe pafund në telefonin tim. Reagimet në ambiente publike kishte kohë që më
kishin munguar. Kjo më bën të ndihem vërtet mirë. Këtë javë jam ndjerë shumë i
plotësuar dhe aspak i lodhur. Kjo është magjia, për të cilën në mundohemi pa fund,
me orët e stërzgjatura në studio me lodhjen pa fund. Kur kënga ka sukses është
ndjesi që nuk dëshiron të zgjohesh kurrë nga kjo ëndërr.
Comments
Post a Comment